
Steven Zhang përfshihet nga stuhia. Sipas asaj që raportohet nga Calcio e Finanza, presidenti i Interit mund të rrezikojë deri në tre muaj burg. Shkak është një borxh i papaguar prej mbi 300 milionësh ndaj China Construction Bank Asia. Për këtë çështje, kreditorët kanë nisur disa procese gjyqësore kundër Zhang: një në Shtetet e Bashkuara, një në Milano dhe dy në Hong Kong. Pikërisht në këtë të fundit, gjyqtarët vendosën në favor të kreditorëve.
Pas kërkesës së parë të gjykimit, presidenti i zikaltërve duhet të dalë në gjykatë më 13 marsin e ardhshëm. Kjo kërkesë është pjesë e një procesi të quajtur ekzaminimi i debitorit. Në këtë rast Zhang do të merret në pyetje për të hedhur dritë mbi borxhet e tij. Kështu, do të kuptohet se çfarë të ardhurash apo mjetesh kishte ai në dispozicion për të shlyer borxhin mbi 300 milionë. Në këtë kuptim, Zhang duhet të paraqesë çdo dokument që lidhet me asetet dhe detyrimet e tij.
HIPOTEZA BURGIM
Sipas precedentëve të cituar nga kreditorët, rreziku do të përkthehej në mundësi burgimi deri në tre muaj. Një skenar, ky, që mund të realizohet nëse Gjykata konstaton se presidenti i Interit ka fshehur pasuri për të shmangur pagesën e borxhit. Ose ka refuzuar vullnetarisht t’i përgjigjet cilësdo pyetje.
Për më tepër, kreditorët mund të kompensohen edhe në një terren tjetër. Atë që ka të bëjë me aksionet e klubit zikaltër në pronësi të Zhang. Në fakt, një çështje tjetër po zhvillohet në Gjykatën e Milanos. Në këtë kuptim, kreditorët kërkojnë anulimin e rezolutës përmes së cilës Interi pranoi të mos i paguante Zhang rrogën si president klubi. Në këtë drejtim, seanca e parë në kryeqendrën lombarde është caktuar për datën 8 mars në orën 10.00.
Lini një Përgjigje