Christian Karembeu është një prej atyre futbollistëve që mbesin në kujtimet e tifozëve për shkak të suksesit dhe trofeve të fituara në karrierë. Më parë me Realin e Madridit dhe me Kombëtaren e Francës, Karembeu ka arritur që të fitojë edhe Botërorin.
Ky ishte njeriu i deleguar nga UEFA për të ndjekur nga afër eventin që organizoi FSHF për më të mirët e këtij viti në futbollin shqiptar.
Në një intervistë për “Ora News” me Altin Sulçen, Karembeu foli edhe për Shqipërinë. Në fakt, njihte jo pak sa i përket futbollistëve tonë. Sigurisht që kur bëhet fjalë për Francën, nuk kishte sesi të mos e njihte Lorik Canën. Por Karembeu kishte parë më herët edhe Qazim Laçin te Olimpiakosi dhe ndeshjen e Shqipërinë në Europianin e Francës ndaj Zvicrës. Kur diskutohet për trajnerin Silvinjo ka vetëm përgëzime për zgjedhjen e bërë nga Shqipëri.
“UEFA më dërgoi në Shqipëri që ta përfaqësoj për ndarjen e çmimeve të lojtarëve më të mirë të vendit tuaj. Duhej të ishte dikush dhe më dërguan mua këtu. Eventi ishte i mrekullueshëm, organizimi më pëlqeu. Është hera e parë që vi në Shqipëri. Unë kam shkuar gjithandej me Kombëtaren e Francës, por nuk kam ardhur ndonjëherë këtu. Më kanë folur për kombin shqiptar dhe Tiranën. Kur isha në Francë, Lorik Cana ka qenë shumë i njohur. Kam parë në Europianin e Francës ndeshje Zvicër-Shqipëri dhe ishte interesante pasi kishte lojtarë shqiptarë në të dy ekipet. Kam parë Sadikun, Muratin.
Kam parë edhe Qazim Lacin te Olimpiakosin kur u zhvillua si lojtar, se ishte shumë i ri atëherë. Më pëlqen ai djalë se ka zemër dhe mendje në futboll. Armand Duka po punon me gjeneratën e re për të rritur futbollistët e së ardhmes. Këtë e kemi bërë 40 vite më para në Francë, i kemi hedhur sytë nga akademia dhe sot kemi nxjerrë shumë lojtarë.
Investimet i japin frytet në vitet e ardhshme. E takova presidentin Duka dhe trajnerin Sylvinho. Keni bërë mirë që i keni besuar këtij trajneri, ai di shumë nga futbolli dhe me idetë e tij do ta dërgojë Shqipërinë në Europian ose Botëror”, tha Karembeu.
Qerimbeu thuaj
Po cfare do thoshte per Duken ky miky kur ishte i ftuar prej tij. Duka eshte shkaterruesi i futbollit shqiptar, ku niveli i kampionatit tone eshte per te qare e per te qeshur. Nese punohet ne akademite e moshave, ajo eshte merite e atyre qe i financiojne, pasi FSHF-ja merr para per to nga FIFA dhe UEFA dhe i perdor per qellime te tjera. Po keshtu, terrenet sportive jane prej Presidenteve te klubeve, pushteteve lokale dhe sidomos te qeverise, pasi Duka parate i do per vete.