Paul Pogba ka hedhur pas krahëve momentin e vështirë dhe po përgatit rikthimin në fushë. 32-vjeçari francez nuk luan një ndeshje zyrtare nga 3 shtatori i vitit 2023, për shkak se në testet anti-doping, u zbulua një substancë e ndaluar.
Atë kohë, Pogba u pezullua me katër vite, por dënimi u reduktua dhe përfundoi në mars të këtij viti.
Futbollisti ndërpreu kontratën me Juventusin në janar, ndërsa në një deklaratë të bërë së fundmi, është shprehur se nuk është ndihmuar gjatë kësaj periudhë nga klubi italian.
“I kërkova ndihmë Juventusit, si për shembull të kisha një trajner personal, sepse gjithmonë isha pjesë e ekipit. Kisha të drejtë për këtë. Nuk më mbështetën farë dhe kjo më habiti. Nuk e kuptova arsyen. Mendoja se luftën e kisha kundër dopingut dhe jo ndaj Juventusit”,deklaroi Pogba.
Francezi do të vazhdojë karrierën e tij në Ligue 1, ndërsa ka arritur marrëveshjen me Monaco-n, për dy sezone.
Lini një Përgjigje