VIDEO: Kaos në Marseille-PSG, tifozi ishte gati të përleshej me Galtier. Ndërhyn sigurimi dhe dhe shmang më të keqen

27 Shkurt 2023, 19:08Sport TEMA

VIDEO: Kaos në Marseille-PSG, tifozi ishte gati të përleshej me

Fund i tensionuar i ndeshjes së madhe të Ligue 1 mes Olympique Marseille dhe Paris Saint-Germain. Në bilbilin e fundit, trajneri i parizienëve, Christophe Galtier u bë protagonist i një momenti mjaft të acaruar me tifozët pas stolit të tij. Teksa po largohej që aty, Galtier u kthye dhe filloi t’iu bërtasë disa prej tyre me tone kërcënuese.

Me shumë mundësi, trajneri i PSG-së kishte ndërruar më herët disa fjalë të këqija, pasi siç shihet nga video, ai duket se kishte ndërmend të shkonte në dhomat e zhveshjes, por në një moment kthehet dhe targeton dikë pas stolit.

Është e qartë se tifozët e OM nuk prisnin asgjë tjetër, madje njëri prej tyre donte të hynte në fushë për t’u përplasur fizikisht. Ai u ndalua nga sigurimi i pranishëm në sektorin e stadiumit “Velodrome”.

Kishte shumë presion mbi supet e Galtier pas humbjeve kundër Marseille, Monaco dhe Bayern Munich. Këto tri përplasje në tri gara të ndryshme e kishin vënë në dyshim rolin e tij dhe kishin rikthyer atë të Thomas Tuchel, i cili në pankinën e PSG-së ka qenë tashmë dhe duket se është një nga emrat më të pëlqyer, pavarësisht ndarjes së papritur tri vite më parë.

Në tribuna pati tension, gjë që e karakterizon gjithmonë “Le Classique”, por në fushë nuk pati histori. PSG fitoi 3-0 dhe ndoshta nisi arratisjen përfundimtare drejt fitimit të kampionatit francez.

Mbappé hapi rezultatin në minutën e 25-të dhe pak më pas i shërbeu Messit për të dyfishuar rezultatin, duke ia dhënë “La Pulce” golin e tij të 700-të në karrierë me klubet në një “pjatë të argjendtë”. Kylian kompletoi dopietën e tij personale menjëherë pas pushimit, duke shënuar golin e 200-të për PSG-në dhe barazuar Edinson Cavani si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave.

Lini një Përgjigje