Akademi për turizmin për të rritur standardet

31 Tetor 2025, 17:00Turizëm TEMA
Akademi për turizmin për të rritur standardet

Operatorët turistik në vend kanë parashtruar disa kërkesa për garantimin sa më të mirë të industrisë së turizmit.

Mbulimi i siguracioneve nga ana e qeverisë për punonjësit në sektorin e turizmit jashtë sezonit, por edhe plotësimi i nevojës që ka tregu për rreth 30 mijë punonjës, janë disa nga kërkesat kryesore.

“Nevojiten të pakën 30 mijë vende pune të reja. Kryesisht kjo forcë nevojitet gjatë sezonit veror që ka dhe prurjet më të mëdha të pikut”, tha Rrahman Kasa.

Nga ana tjetër, kreu i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, ngriti si shqetësim aftësitë profesionale të të rinjve që përfundojnë studimet për turizëm, ndaj sipas tij duhet ngritur Akademia e Turizmit.

“Ne kemi me të vërtetë degë turizmi, të shpërndara nëpër universitetet tona. Për fat të keq nuk janë ato që duhet. Kurrikulat nuk janë të përshtatshme për atë se çfarë kërkon tregu. Ajo që mund të japë zgjidhje është të ngrihet një akademi turizmi, që do ketë degët specifike, të posaçme që kërkon sot tregu”, tha Kasa.

Vendimi për kthimin e Ksamilit dhe Dhërmiut vetëm me plazhe publike është pranuar nga operatorët turistik, por ata kundërshtojnë që brenda hapësirës së menaxhuar, 50% të jetë publike, si dhe çmontimin çdo vit të beach-bareve.

“Jo që ti brenda hapësirës së paguar të kesh edhe një hapësirë prap të dedikuar publikut. Nuk ka logjikë. Mund të dakordësohemi që plazh privat, ka ngjitur një plazh publik, e mund të marri përsipër edhe mirëmbajtjen e atij plazhi, pastaj kjo është histori tjetër”, tha Kasa.

Nga ana tjetër, ata propozojnë edhe ngritjen e linjave të dedikuara të transportit publik për destinacionet turistike bregdetare dhe sitet kryesore turistike.

Lini një Përgjigje