Mendohet se orët e vona të natës ose orët e para të mëngjesit janë orët më produktive për mendjen e njeriut dhe ka plot njerëz që e shfrytëzojnë këtë kohë për të punët e tyre duke synuar më shumë produktivitet, sidomos kur është fjala për punë krijuese, si të shkruarit. Por orët e para të mëngjesit na kanë dhënë një rezultat të ri në një shembull live në TV të enjten në të gdhirë e premtja. Në Kuvendin e Shqipërisë, ku po diskutohej që prej paradites të së enjtes kryeligji, ligji më u rëndësishëm i vitit, Projekt-Buxheti i qeverisë për vitin 2011, kreativiteti i orëve të mesnatës ka qenë tejet banal në fjalorin e përdorur dhe replikat e shkëmbyera.
U përmendën aty që nga veset e fëmijërisë, punët e bëra në rini, brigadierët e kooperativave bujqësore, njerëzit me të cilët deputetët pinin kafe apo ndanin pazare, lakuriqësia, veshjet e çdo akuzë banale që mund tu shkonte ndërmend kryeministrit nga njëra anë që për hir të së vërtetës ishte çakmaku që ndezi këtë lloji debati dhe përgjigjeve të socialistëve nga ana tjetër. Një orë debat, replika e batuta, me të cilat median u morën dy ditë rresht. Kaq u desh për të eklipsuar në mënyrë perfekte 20 orë debat për projekt-buxhetin e vitit që vjen, për atë ligj që na prek të gjithëve, tek taksat që paguajmë, tek çmimet e ushqimeve, tek dritat e uji, tek pensioni apo paga. Nuk di nëse ka pasur ndonjë shqiptar që të premten duke pirë kafenë me miqtë të ketë thënë e morët vesh se ku do shkojnë paratë tona vitin që vjen. Por besoj se të gjithë ata që janë në moshë madhore e shohin lajme do kenë diskutuar për “prostitutat” e Lulzim Bashës, për fustanin e Gramoz Ruçit, Pashukun e Jozefinës apo vesin e hershëm të Berishës që na vidhte librat e gjyshit të Ben Blushit. Nuk e di nëse i kanë bërë për të qeshur apo për të qartë shqiptarët këto batuta, po dyshoj se do i kenë bërë më të mençur apo më të ndriçuar për buxhetin e tyre. Nga komentet në forumet online kuptohej në fakt se shumicën e tyre këto batuta pa kripë të mesnatës i kanë bërë për të vjellë. Të ngopur e tejngopur nga akuza të tilla që jo vetëm nuk merren më seriozisht nga ata që i thonë, dhe as nga organet hetimore nëse ka vend për hetim, por megjithatë për fat të keq vazhdojnë të gëzojnë më shumë vend në faqet e gazetave se sa detajomi fjala vjen i ndarjes së fondeve në Buxhet.
Nga vitet e gjata në politikë të Sali Berishës një vrojtuesi zakonshëm i politikës e ka kuptuar tashmë se ai preferon ti kthejë shpesh ngjarje të rëndësishme në batuta lehtësisht të thithshme që bëhen më pas thashetheme pa fund e krye që fshehin problemin e vërtetë. Mjaft të përmendim deklaratën e tij për martesat e homoseksualëve, thua ishte problemi më madhor që shqetësonte në atë kohë qeverinë që ai drejtonte dhe vendin, apo epitetet e historitë që tregon për kundërshtarët e tij politikë në Kuvend e jashtë tij. Çdo seancë e gjatë dhe e rëndësishme në Kuvendin shqiptar nuk ka pasur shanse që ti qëndrojë temës për të cilën diskutohet pa dalë në batuta, fyerje apo sharje personale mes Berishës e opozitës. Domethënë ajo që ndodhi në mesnatën e së enjtes pritej nga Berisha, por ajo që ndoshta s’duhej të ndodhte ishte rënia e opozitës në këtë grackë. Imazhi që përcillet tek publiku është i njëjtë. Publiku i vë epitetin një parlamenti të tërë si banal, si një parlament që nuk ka qëllim të qartësojë se ku për çfarë përdoren paratë e taksapaguesve por të gjejë dashnoret dhe veset e deputetëve. Për fat të keq ne jemi një komb që pavarësisht sa konservator mund të jemi e të dukemi nuk u japim rëndësinë që duhet as veseve dhe as implikimit në ngjarje me natyrë amorale ku mund të jetë përfshirë një përfaqësues i politikës. Nëse do të ishte e kundërta nuk do të vazhdonim t’i votonim ata, por do të na duhej të shpiknim një klasë të re politike. Për fat të keq dhe media mjaftohet me zbardhjen në detaje të akuzave, sharjeve e fyerjeve, por nuk merr mundimin të hetojë e të nxjerrë të vërtetën për prostitutat, veset e fëmijërisë apo veset e tanishme të politikanëve.
Comments are closed.
Ne kete rast fajin e kane te dyja palet,po si nuk doli nje deputet nga te 3 kahet qe t’i thoshte z.Berisha qe te mos qeshte.Po nuk ka faj nje njeri fajin e kemi ne te gjithe.qe vazhdojme te votojme kete klas politike,qe me disa perjashtime te vogla une politiken shqiptare do ta quaja funderine.Une kam lexuar diku qe fjala POLITIK vjen nga greqishtja dhe nje pjes e fjales perktheht kurve,po qe t’i kemi kaq kurva keta politikanet tane nuk e dija.Po ku i kane keta shkellata vendet e punes 180mije do t’i hapte Lsi-a vetem.Dine vetem te zhvatin kete poplull.Po ketu duhet nje 97 e dyte qe te qerohen ca kokra se nuk behet shqiperia jo.