Steinbach: Kosova ka nevojë për zgjedhje të drejta

1 Dhjetor 2010, 18:08Rajoni TEMA

PRISHTINE- Ambasadori gjerman në Prishtinë, Hans-Dieter Steinbach me rastin e fillimit të fushatës parazgjedhore tha se zgjedhjet parlamentare janë udhërrëfyes i rëndësishëm për demokracinë dhe Republika e Kosovës ka nevojë për zgjedhje parlamentare të drejta dhe transparente, sipas standardeve ndërkombëtare.

Kjo sipas tij, është një interes qendror shtetëror dhe do të përcaktojë imazhin e Republikës së Kosovës edhe jashtë vendit. “Unë ftoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote, të marrin pjesë në zgjedhje dhe të përcaktojnë me votën e tyre kursin politik të vendit. Këto zgjedhje janë të shumë rëndësishme sidomos për pakicat në Kosovë, sepse vetëm pjesëmarrja në to është garanci që pjesëmarrja politike, e siguruar nëpërmjet kushtetutës, orientohet sipas vullnetit konkret të artikuluar nga votuesit”, theksoi Steinbach.

Sipas tij, shoqëria civile kosovare, ashtu si dhe partnerët ndërkombëtarë të Kosovës mbështesin Komisionin Qendror Zgjedhor në detyrën e tij, për të përgatitur dhe organizuar zgjedhjet sipas planit dhe Ligjit mbi zgjedhjet. “Unë e përshëndes faktin që për ditën e zgjedhjeve është siguruar një vëzhgim gjithëpërfshirës i zgjedhjeve nga rrejti i OJQ-ve ‘Demokracia në veprim’. Jam i bindur se data 12.12.2010 do të jetë një ditë e suksesshme për demokracinë kosovare dhe njerëzit në këtë vend”, shprehet ambasadori gjerman në Prishtinë.

Ai pohoi se Qeveria federale gjermane mbështetë përgatitjet për zgjedhje në mënyrë aktive, ashtu si edhe monitorimin në ditën e zgjedhjeve. Ndryshe, bëhet e ditur se së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, Konfederatën Zvicerane dhe SHBA-të, Gjermania financon, ndër të tjera, angazhimin e 4.800 vëzhguesve të pavarur të zgjedhjeve, të cilët do të jenë aktiv në ditën e zgjedhjeve në mbarë vendin në kuadër të rrjetit të OJQ-ve ‘Demokracia në veprim’. Përveç kësaj, Gjermania, para së gjithash, angazhohet për mobilizimin e votuesve nga radhët e pakicave.

Lini një Përgjigje