Gjykatësi që dënoi Vokshin: Kryeministrat na nëpërkëmbën

29 Nëntor 2010, 18:09Rajoni TEMA

Gjyqtari Nazim Vllaqo, që e dënoi ditë më parë deputeten nga Shqipëria, Albana Vokshi me 250 euro, i është gëzuar shumë vizitës së gazetarëve.

“Shumë mirë që erdhët se ne askush nuk na ka pyetur asgjë”, thoshte ai. Dy kryeministrat shqiptarë e kanë nëpërkëmbur dhe fyer punën e tij, shkruan gazeta Koha Ditore.

Vllaqos, pa iu dridhur syri dhe me një buzagaz, i quan të dy kryeministrat si njerëz që kanë paragjykuar me deklarimet e tyre për rastin e deputetes Albana Vokshi. I sapoemëruar në pozitën e gjyqtarit në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje në Prizren, ai është sfiduar nga një deputete, të cilën e quan arrogante, për shkak të sjelljeve të saj të pahijshme.

“Unë e kam një ligj përpara, Ligjin për Kundërvajtje që nuk njeh privilegje për deputetët, ndërsa dënohen ata që prishin qetësinë publike”, thotë ai. I pyetur nëse është ndier i frikësuar apo nën presion pas deklarimeve të dy kryeministrave, ai thjesht i ka quajtur ata paragjykues.

“Mua më ka ardhur shumë keq pse kanë folur ashtu, pa u parë dhe pa u konstatuar gjendja faktike… Prandaj, mendoj se janë ngutur për shkak se ka procedura të ankesës, nëse nuk pajtohen me vendimin që kam marrë unë. Ato deklarime janë paragjykime”, shprehet Vllaqo, i bindur se ka vepruar drejt.

Ai është prekur shumë kur deputetja i kishte quajtur policët kriminelë dhe ua kishte përmendur policinë serbe. “Ne jemi afër me kufij, ne jemi një popull edhe krejt çka është kërkuar nga deputetja ka qenë që të mos i fyente institucionet tona”, thekson ai.

Vllaqo i është gëzuar vizitës së gazetarëve edhe për një arsye tjetër. I vjen shumë keq për policët, por thotë se s’ka si t’i ndihmojë.

Kur i është kërkuar të flasë për deputeten, thotë se sjelljet kanë qenë arrogante. “Sjelljet e deputetes kanë qenë arrogante. Edhe në gjykatë ka bërë sjellje të pahijshme, nuk e ka përfillur asnjë procedurë, vazhdimisht e ngrinte zërin, madje është munduar që t’i tregonte procesmbajtëses se çfarë të shkruante. Katër avokatë i ka shfrytëzuar, me asnjërin nuk ka arritur të bashkëpunonte dhe avokatët i largoheshin”, tregon Vllaqo.

1 komente në “Gjykatësi që dënoi Vokshin: Kryeministrat na nëpërkëmbën”

  1. vlora says:

    E pergezojme per formatin e ri dhe i urojme gazetes Tema pune te mbare.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje