nga Anila Sulstarova
Teksa shihja “The Odyssey” të regjisorit Christopher Nolan, vazhdimisht më krijohej ndjesia se nuk po shihja thjesht një hero që përpiqej të kthehej në Itakë. Më dukej sikur po shihja një njeri që, për vite me radhë, përpiqej të gjente rrugën për t’u kthyer te vetja. Pra, drama e filmit lëviz në procese të thella psikologjike.
Në shumë momente filmi më ngjante me një proces terapie.
Jo sepse dikush po analizonte emocionet e tij, por sepse vetë jeta po e detyronte ta bënte këtë. Në terapi nuk janë gjithmonë interpretimet ato që të ndryshojnë. Shpesh është vetë jeta ajo që vazhdon të të vendosë përballë së njëjtës temë, derisa të shohësh atë që ke refuzuar të shohësh.
Sa më shumë e mendoja, aq më pak më dukej se beteja e Odisesë zhvillohej në det. Beteja zhvillohej brenda tij.
Më bëri shumë përshtypje mënyra si filmi e trajton egon.
Ne, zakonisht, e lidhim egon me krenarinë. Nuk jam e bindur se është kaq e thjeshtë. Shpesh egoja vishet me petkun e inteligjencës, të aftësisë apo të bindjes se, nëse je mjaftueshëm i zgjuar, do ta gjesh gjithmonë një zgjidhje.
Odiseja është pikërisht ky njeri.
Ai shpëton sepse është inteligjent dhe dinak. Mbijeton sepse di të llogarisë.
Për një kohë të gjatë kjo funksionon. Por jeta nuk i gjykon zgjedhjet në momentin kur i bëjmë. I gjykon vite më vonë. Ka vendime që në çastin kur u morën, dukeshin fitore. E, megjithatë, me kalimin e kohës zbulohet se kanë qenë fillimi i një dhimbjeje që do të kërkojë vite për t’u kuptuar dhe ndoshta gjithë jetën për t’u pajtuar me to.
Kjo më kujtoi diçka që e hasim shpesh edhe te njerëzit. Nuk janë gjithmonë plagët ato që na mbajnë peng.
Shpesh na mbajnë peng mënyrat me të cilat kemi mbijetuar. (Jam e bindur që shumë njerëz kanë pishmane për zgjedhje të caktuara në këto faza.)
Ajo që dikur na shpëtoi, më vonë mund të na pengojë të jetojmë ose psherëtijmë kur e kujtojmë.
Pastaj është kontrolli. Në fillim të filmit duket sikur gjithçka varet nga zgjuarsia e Odisesë. Mjafton të gjejë strategjinë e duhur dhe gjithçka do të zgjidhet. Por, bëhet e qartë se ka forca që nuk negociojnë me inteligjencën.
Në mitologji quhen perëndi.
Në jetën tonë kanë emra të tjerë: koha, humbja, sëmundja, lufta, vdekja, vendimet e njerëzve që duam - ato nuk kontrollohen.
Dhe ndoshta ky është një nga momentet më të vështira të pjekurisë: të kuptosh se nuk je i gjithëfuqishëm.
Por filmi, sipas meje, shkon edhe një hap më tej.
Ai nuk flet vetëm për njeriun që përpiqet të kontrollojë jetën. Flet edhe për tundimin për të hequr dorë prej saj. Një nga skenat që më mbeti më gjatë në mendje ishte ajo e ishullit ku Odiseja kalon shtatë vjet.
Shifra shtatë nuk është rastësore. Në shumë tradita fetare dhe filozofike ajo lidhet me një cikël transformimi. Me një periudhë në të cilën diçka duhet të përfundojë, që diçka tjetër të mund të lindë.
Por ajo që më interesoi nuk ishte vetëm numri: ishte arsyeja pse ai qëndron.
Në film, qoftë përmes lotusit apo përmes figurës së Kalipsos, mesazhi më dukej i njëjtë.
Ai rri aty sepse pushon së kujtuari. Humb kujtesën e asaj se kush është, nga vjen dhe ku duhet të shkojë.
Dhe ndoshta kjo është forma më e rrezikshme e robërisë. Jo kur nuk mund të largohesh. Por kur nuk të kujtohet më pse duhet të largohesh.
Kjo më dukej si një metaforë jashtëzakonisht e saktë për psikikën njerëzore. Ndonjëherë nuk jetojmë në ferr. Jetojmë në një parajsë të vogël.
Mjaftueshëm të rehatshme për të mos vuajtur, por jo aq të vërtetë sa të jetojmë plotësisht. Një paqe që nuk lind nga pajtimi me veten, por nga harresa.
Nga shmangia. Nga mpirja. Nga gjithçka që na ndihmon të mos ndiejmë.
Është një paqe që nuk na shëron. Na mban peng. Ndërsa nuk vuajmë më aq shumë, nuk ecim dot as drejt asaj që jemi.
Në atë çast kuptova se ndoshta destinacioni ynë nuk pengohet gjithmonë nga dhimbja. Shpesh pengohet nga një paqe e rreme.
Nga ajo lloj qetësie që na bind se nuk kemi pse të ndryshojmë, nuk kemi pse të kujtojmë, nuk kemi pse të vazhdojmë rrugën.
Por një paqe që blihet me harresën, nuk është paqe. Është vetëm mpirje, ose përgatitje për luftën e vërtetë.
Dhe, ndoshta, kjo është arsyeja pse Odiseja mund të vazhdojë udhëtimin vetëm pasi kujton. Sepse askush nuk mund të kthehet në shtëpi nëse më parë nuk është kthyer te vetja.
Dhe mbase kjo është ideja që më mbeti nga i gjithë filmi.
Gjithkush e ka të humbur luftën me detin: perënditë dhe fatin.
Fitorja e vetme e mundshme është të mos humbasësh veten ndërsa kalon nëpër to.
Ndoshta për këtë arsye Odiseja vazhdon të mbetet një histori universale.
Sepse secili prej nesh ka një Itakë.
Ka edhe Ciklopët e vet, edhe Poseidonët e vet, edhe ishujt ku tundohet të qëndrojë përgjithmonë.
Por udhëtimi më i rëndësishëm nuk është ai drejt një vendi. Është ai drejt vetes.