Në fazat e para të martesës, çiftet e vendosin veten në qendër të jetës së njëri-tjetrit, si dhe vlerësojnë njëtrajtësisht mendimet dhe dëshirat e tyre. Me kalimin e kohës, ky përqendrim, ose fokusim, kalon tek fëmija për gruan dhe tek puna për burrin.
Edhe gratë pa fëmijë e zënë kohën me punët e shtëpisë. Dhe kështu vijon rrjedha e jetës. Sipas psikologes, Merve Tunay, kjo monotoni bëhet shkak për shkëputjen e lidhjeve të respektit dhe dashurisë në martesë. Duke pohuar se çiftet e kalojnë kohën vetëm para televizorit dhe në tavolinë, Merve Tunay theksoi se si rrjedhojë e kësaj, vihen re çifte të cilët jetojnë bashkë, por të painformuar rreth njëri-tjetrit. “Familja mund të mblidhet vetëm në mbrëmje. Por edhe gjatë kësaj kohe kaq të shkurtër fokusohen tek televizori. Kjo situate përsëritet në të njëjtën mënyrë çdo ditë. Edhe gjatë ditëve të pushimit, çifti nuk ndan diçka të përbashkët. Pas një fare kohe, çiftet në mënyrë reciproke, ose vetëm njëra anë, fillojnë të ankohen për jetën monotone. Ata nuk arrijnë të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe si pasojë e kësaj, nuk mund të kuptojnë nevojat dhe kërkesat e tyre. Në këtë mënyrë, në martesë këputen lidhjet e dashurisë dhe respektit”, shprehet Tunay.
Tunay pohon se “me kalimin e kohës bashkëshortët të cilët nuk arrijnë të kuptojnë njeri-tjetrin, si dhe nuk respektojnë dëshirat dhe kërkesat e njëri-tjetrit, këtë boshllëk të krijuar në jetën e tyre do të mundohen ta mbushin me gjëra të ndryshme, si përkujdesja e tepërt ndaj fëmijëve, vlerësimi i tepërt i punës, ose kalimi i kohës me shoqërinë. Pra, largimi nga një jetë e mbyllur në vetvete. Nga ana tjetër, një martesë monotone mund ta çojë çiftin deri në divorc”.
Duke theksuar se shumica e bashkëshortëve të pacientëve të saj kanë vendosur të ndahen vetëm për shkak të sjelljeve monotone, Tunay sqaron: “Pacientët e mi kërkojnë nga bashkëshortët/et të bëjnë ca ndryshime të vogla, përveç sjelljeve monotone të tyre. Çiftet duhet të komunikojnë menjëherë me njëri-tjetrin, sapo ta ndjejnë monotoninë e martesës dhe të shprehin kërkesat dhe nevojat e tyre.”
Teksa gratë ankohen për indiferencën e burrave, burrat janë të lodhur duke dëgjuar përherë të njëjta ankesa nga gratë.
Sipas psikologes, Merve Tunay, gratë ankohen nga burrat, sepse pasi vijnë nga puna, ata kalojnë kohën para televizorit, në vend që të tregojnë pak interes për to.
Përveç kësaj, mbartja e përgjegjësisë së fëmijëve vetëm nga ana e tyre, shkakton një lodhje tek gruaja, e cila kërkon të ketë një jetë më të pavarur. Sapo e ndjejnë diçka të tillë, ato pohojnë se gjëra të tilla përsëriten çdo ditë dhe në këtë mënyrë martesa kthehet në një monotoni. Ndërsa burrat bezdisen nga fytyra e vrenjtur e gruas çdo mëngjes dhe nga përsëritja e vazhdueshme e të njëjtave ankesa gjatë ditës. Burrat të cilët humbin besimin në vetvete për shkak të këtyre sjelljeve, fillojnë të ankohen për një martesë në të cilën nuk ka emocion dhe e cila vazhdon në mënyrë konstante.
Si luftohet monotonia në martesë?
Komunikoni me bashkëshortin/en tuaj. Në komunikim përdorni fjalën “unë” në vend të fjalës “ti”. Fjalitë e formuara me fjalën “ti” përmbajnë sinjale kritikuese dhe kjo vë në lëvizje anën tjetër, e cila do të përpiqet të mbrohet.
Ndani me bashkëshortin/en hobet e tij/saj, ose të paktën mos kritikoni dëshirat e tij/saj. Komunikoni lirshëm, sepse personi i cili nuk arrin të kuptohet nga bashkëshorti, pas një farë kohe nuk do të përpiqet të flasë rreth vetes dhe kështu do të krijohen distanca të mëdha mes çiftit.
Gjallërojeni martesën tuaj me ndryshime të vogla të herë pas hershme. Ana e cila kërkon ndryshim duhet ta shprehë qartë këtë dhe në pikën e mosmarrëveshjes duhet të diskutojë për të gjetur një zgjidhje. Para se të fillojnë ankesat, secili nga bashkëshortët duhet të ndryshojë vetveten më parë.