“Një situatë që ndodh herë pas here”, e ka konsideruar gjendjen e krijuar nga përmbytjet, ambasadori i OSBE në Tiranë. Nga Gjirokastra, ku ndodhet për një vizitë 2 ditore, diplomati i huaj u ndal tek situata e përmbytjeve duke apeluar për bashkëpunim si mjet i vetëm për kapërcimin e gjendjes e cila vijon të jetë e rëndë veçanërisht në Shkodër. “Situata e përmbytjeve është një situatë që ndodh herë pas here dhe kjo kërkon bashkëpunim sa më të mirë nga të gjitha palët. Mendoj se tashmë kanë filluar diskutimet në parlament, siç janë diskutimet për buxhetin dhe ky është një hap për përmirësimin e situatës.” u shpreh ambasadori Eugen VVollfarth.
I pyetur për përgatitjet parazgjedhore, Ambasadori OSBE vlerësoi sërish se bashkëpunimi do të garantonte mbarëvajtje të procesit. “Procesi elektoral dhe zgjedhjet janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe misionin e OSBE prandaj puna jonë është të bashkëpunojmë me njësitë e qeverisjes lokale për të përgatitur listat e zgjedhësve sa më të mira.” u shpreh ai. Në lidhje me këtë çështje, ambasadori VVollfarth zhvilloi takime me drejtuesit vendorë. Kryeministri Berisha merr pjesë në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile, në prefekturën e Shkodrës.