Shkodra vazhdon të jetojë ditë të vështira, edhe pse për të dytën ditë me radhë niveli i liqenit është ulur sërish. Gjendja ka njohur një përmirësim të lehtë, por emergjenca mbetet ende si në qytet dhe në zonën e Nënshkodrës. Aktualisht ndodhen nën ujë 13700 hektarë, ndërsa nuk ka ndryshuar numri i banesave që janë të përmbytura. Disa komuna janë ende të izoluara, ndërsa 8 lagje të qytetit janë të përfshira nga uji. Forcat e ushtrisë kanë vijuar dhënien e ndihmës, edhe pse jo te gjithë banoret kane mundur ta përftojnë atë. Disa banorë janë ankuar për mënyrën e shpërndarjes së ndihmave, pasi thonë se po abuzohet. Ndërkohë në hidrocentrale gjendja duket disi më e mirë, pasi edhe niveli i prurjeve ka rënë.
Kryeministri Berisha vizitoi sërish dje Shkodrën, ku mori pjesë në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile.
Duke folur aty, Berisha tha se kjo përmbytje ndodh njëherë në 150 vjet. Në janar ai tha se një përmbytje e tillë ndodh njëherë në 100 vjet.
“Së pari, edhe një herë dëshiroj të përshëndes dhe të përgëzoj shumë përzemërsisht qytetarët e Shkodrës, të nën Shkodrës dhe rrethinave për trajtimin me gjakftohtësi të situatës natyrore më dramatike që vendi ka përjetuar, ndofta në 150 vitet e fundit, të fatkeqësisë natyrore të përmasave më të mëdha, me të cilën Shqipëria është përballur në tërë ekzistencën e shtetit shqiptar,” tha Berisha.
Berisha kërkoi nga qytetarët që të vetorganizohen për të shpërndarë ndihmat.
Për këtë qellim bashkia e Shkodrës ka kontraktuar 35 varka, përveç atyre të ushtrisë ne mënyrë që banorët e izoluar në qytet të shmangin pagesat për lëvizjet me varka.
“Në të gjithë këtë përpjekje, për të cilën edhe një herë unë dua të shpreh vlerësimin më të madh, është e pamundur që në çdo rast, për çdo problem, ne të kemi mundur të japim zgjidhje. Një ditë, duke parë mediat, një qytetar ankohej se i kishin sjellë vetëm dy bukë. Unë, duke treguar mirëkuptim për kërkesën e tij, dua ta garantoj se ka pasur qytetarë që kanë mbetur pa asnjë bukë, sepse çfarëdo që të bëhet në një situatë të tillë emergjence, me gjithë dëshirën e madhe, do ta kesh ndoshta praktikisht të pamundur të çosh bukën tek gjithsecili. U ndala në këtë moment, sepse tani një moment shumë i rëndësishëm për ne është një rrjetëzim sa më i plotë e total për furnizimin me bukë, ujë e ushqime. Por kjo kërkon një përgjegjësi qytetare më të lartë dhe Shkodrës nuk i ka munduar kurrë përgjegjësia qytetare. Unë u bëj thirrje banorëve të organizohen mbi bazë pallati, sepse është lënduese, në qoftë se ushqimin e marrin vetëm banorët e apartamenteve të kateve të para e të dyta dhe ai që ndodhet në katin e pestë të mbetet pa bukë e ujë. Ndaj thirrja imë është të ngrihemi në lartësitë e përgjegjësisë qytetare, përgjegjësia më fisnike e njeriut. Përgjegjësia qytetarë është ajo që të detyron të mos mendosh vetëm për vete, por edhe për tjetrin, edhe për hyrjen tjetër, pallatin, rrugicën dhe qytetin. Ndaj të ngrihemi në këtë lartësi dhe ne do të furnizojmë pa asnjë vështirësi çdo familje, kudo që ndodhet, me gjërat më të nevojshme,” tha Berisha.
Kryeministri tha se pavarësisht investimeve, Shkodra nuk do jetë kurrë jashtë rrezikut.
“Kam kënaqësi t’i informoj qytetarët e Shkodrës se një seri projektesh janë në fillim pothuaj imediat. Do të ishte jo realiste në qoftë se mendohej se në harkun kohor një vjeçar, kjo qeveri do të mund t’i jepni përgjigje afatmesme e afatgjatë problemit të përmbytjes. Por dua të garantoj qytetarët e Shkodrës e mbarë Shqipërisë se kjo qeveri ka punuar me seriozitetin më të madh, për t’i dhënë përgjigje afatmesme e afatgjatë problemeve të përmbytjeve të kësaj zone. Por, natyrisht, nuk mund të them kurrë se një zonë e një mrekullie të tillë tokësore e ujore do të dalë 100 përqind jashtë rrezikut, sepse nuk ekziston kjo. Shpesh marr shembull Rhine, sepse ky lum kalon në shtetin më të fuqishëm të Europës dhe një ndër më të fuqishmit e botës. Kanë bërë investimet më kolosale dhe sërish Rhine del e përmbyt jo pak dhe kjo jo se nuk i janë bërë ndërhyrje. Brenda muajve të parë të vitit që vjen do të fillojë ndërtimi i By pass-it të Shkodrës, projekti për të cilin ka përfunduar tërësisht. Projekti i By pass-it u rishqyrtua për t’u shndërruar në argjinaturë. Ky është një projekt i kushtueshëm, faktikisht, është si të ndërtosh një urë 13 kilometra të gjatë, madje në disa aspekte edhe më i komplikuar. Projekti i By pass-it është i përfunduar. Para këtij projekti, kishte ide të tjera. Përmbytja e vjetshme ishte një mësim, nga i cili ne duhej të konkludonim për të bërë një pritë, e cila do të presë aq sa mund të presë. Sigurisht, kërkohet edhe një sistem të fuqishëm pompash për evadimin e ujërave të qytetit, pasi ato ekzistojnë pavarësisht liqenit,” u shpreh kryeministri.