Tre muaj më pare, qeveria shqiptare nuk kishte tetë milionë lekë të vjetra për të nisur arsimimin e fëmijëve shqiptarë në gjuhën shqipe në Greqi. Dje, ministri Haxhinasto deklaroi se do të dhuronte 5600 libra për këta fëmijë, edhe pse ata kanë nisur tashmë shkollën pas dhurimit të kryer nga organizma të shoqërisë civile.
Gjatë takimit, ministri Haxhinasto falënderoi pjesëmarrësit për kontributin e çmuar në promovimin e gjuhës dhe kulturës shqipe në vendet ku jetojnë dhe siguroi se qeveria shqiptare do të vijojë me përparësi programin për mbështetjen e diasporës.
“Ajo që për ne ka marrë një rëndësi të veçantë, është arsimimi në gjuhën shqipe i fëmijëve, të rinjve dhe të rejave që janë në emigracion. Për këtë qëllim Ministria e Jashtme, në sajë dhe të bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës, realizon dërgimin në Greqi, Itali dhe në Britaninë e Madhe të 5600 librave shkollorë për fëmijët e emigrantëve. Në bashkëpunim me MASH po bëhet gati një sasi librash për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Janë tekste duke filluar nga abetarja, fletore didaktike, tekste të matematikës dhe lëndëve të tjera, për klasa të ndryshme të mësimnxënies.” – tha ministri I Jashtëm.
Sipas tij, për mbarëvajtjen e mësimit plotësues të gjuhës shqipe është bashkëpunuar me shumë shoqata të shqiptarëve, sidomos me Shoqatën e Mësuesve Emigrantë në Greqi për të evidentuar fëmijët shqiptarë të moshës shkollore në qytete të ndryshme të Greqisë, së cilës iu refuzua në muajin tetor një sasi librash me vlerë më të vogël se 8 milionë lekë të vjetra.
Haxhinasto informoi përfaqësuesit e diasporës për hapat e ndërmarrë në drejtim të pajisjes së emigrantëve me pasaporta biometrike, njohjen e sigurimeve shoqërore dhe përpjekjet për hapjen e qendrave kulturore në diasporë. “Në Greqi është përgatitur infrastruktura e nevojshme për pajisjen e qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike dhe ky shërbim do të ofrohet në Itali dhe në vende të tjera.” – tha ministri i Punëve të Jashtme.
Para tre muajsh, kryetari I Këshillit Pedagogjik të Mësuesve Shqiptarë në Greqi, z. Jovan Mëhilli kishte thënë se arsimi shqip rrezikohet dhe se madje qeveria shqiptare po I bënte atentat gjuhës duke mos dhënë librat e nevojshme.
“Kërkesat tona për tekste shkollore kanë qenë për; Abetare dhe Paraabetare, tekste të Gjuhës Shqipe, komplete mjetesh mësimore për Ciklin e Ulët; programe të unifikuara për mësimin plotësues të Gjuhës Shqipe; metodika në ndihmë të mësuesit; regjistra, harta, amza etj. Kërkesat tona nuk janë të mëdha, por dua të theksoj së akoma më e madhe është rëndësia e tyre, sepse me këto libra mundësohet mësimi i Gjuhës Amtare për fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Greqi. Kështu realizohet një e drejtë themelore kushtetuese, lidhur me mësimin e Gjuhës së Nënës dhe njëherazi, ruhet identiteti i tyre kombëtar. Këtë mision, sa fisnik aq edhe atdhetar, përpiqen të realizojnë qindra mësues emigrantë shqiptarë në Greqi, që krahas punës së përditshme, u zhvillojnë vullnetarisht (pa asnjë pagesë) fëmijëve bashkëkombës mësimin e Gjuhës Shqipe. Prandaj ne mësimdhënësit e shqipes me të drejtë u drejtohemi drejtuesve të Ministrisë së Arsimit dhe të Ministrisë së Jashtme që të plotësojnë urgjentisht kërkesat tona për tekste e mjete mësimore, me dëshirën e mirë që viti mësimor 2010-2011 të nis normalisht, dhe se çdo vonesë është mungesë përgjegjësie prej tyre” – kishte deklaruar atëherë Mëhilli.