Flamuri dyshoi dje përfundimisht për ambasadorin e ri amerikan. Megjithëse ai burri i kishte thirrur disa herë në biseda private dhe i kishte siguruar se “ky nuk do jetë si ai i pari”, dje Flamuri pati dyshime serioze. Ai ishte duke bërë gati një pritje për 8 Dhjetorin, dhe lajmëroi atë burrin.
– Lëre atë festë Flamur, po dal të them dy fjalë unë se do jem në pritje tek ambasadori amerikan.
– Po pse, sot e gjeti ai të bëjë festë, tha Flamuri.
– Epo sot e ka lënë, tha ai burri.
Këtu Flamuri pësoi tronditjen e parë. Mori makinën dhe shkoi tek rruga e Elbasanit të numëronte sa njerëz i kishin shkuar. Numëroi deri në 250 pastaj u lodh dhe iku. Mes njerëzve që shkonin aty, pa dhe Glorin.
– Po pyes atë kur të mbarojë, tha me vete, çfarë tha ndonjë gjë pro qeverisë.
Këtu pësoi tronditjen e dytë.
Glori ishte shumë i mërzitur se ai kishte lavdëruar forcën dhe kurajën e popullit shqiptar në përballimin e fatkeqësisë.
– Sipas tij, fatkeqësinë e paska përballuar populli, jo qeveria, tha Flamuri.
– Me sa duket po, tha Glori, por s’kishte faj se ia kishin shkruar. Do jenë ato fjalimet e vjetra të atij tjetrit. Se dhe ai ka pasë fol për përmbytjet dhe do t’i kenë marrë fjalimet gati. E ke parasysh siç i marrim ndonjëherë ne fjalimet e Nanos për shefin.
– S’më pëlqen fare kjo punë, tha Flamuri. U bë rasti i dytë që po shikoj dyshime. Se ky dhe emrin e ka të dyshimtë.
– Po pse çka të dyshimtë emri, i tha Glori.
– Po ja mo burrë, e ka Aleksandër Fevziu. D.m.th për emër ka Sandrin, për mbiemër ka Fevziun.
– Po jo mo burrë se e ka Aleksandër Arvizu.
– E mo, njësoj është, Fevziu e shqiptojnë të gjithë. Po hajde se Fevziu nuk prish punë, po ka filluar e thotë Sandri lart e poshtë që “Dy Sandra e drejtojnë këtë vend, unë këtu, dhe ai tek Rruga e Elbasanit”.
– Po jo mo burrë se Sandri nuk ishte fare aty. Vetëm Fevziu ishte.
– Po s’ka rëndësi mo Glori se ç’bëhet, po ç’thuhet. Edhe sikur t’i them unë gjithë shqiptarëve që nuk kam gjë në dorë, të gjithë e dinë se jam numri dy, pas atij burrë. Edhe kjo punë e Sandrit është e rrezikshme se ngjit shumë kjo që këtë vend e kanë në dorë dy njerëz me emrin Aleksandër.
– Nuk e di Flamur, po ai burri mu duk shumë i përzemërt me të. Folën disa minuta bashkë dhe i shpjegoi luftën që kanë bërë kundër krimit dhe korrupsionit. Ky Sandri tundte kokën, dhe thoshte kam dëgjuar, kam dëgjuar. Pastaj Doktori i tha se kundërshtarët e tij kanë qenë të lidhur me krimin e organizuar dhe se kishte deputet ose ministra që njihnin dhe kishin shokë vrasës. Këtu u krijua një keqkuptim nga anglishtja e atij burrit dhe ambasadori i tha, e di, e di. Atij burrit i shndritën sytë dhe u kthye nga Bujar Nishani.
– Kanë informacion, i tha. E shikon, e di që janë të lidhur me krimin.
– Më kanë sqaruar të FBI i tha që zëvendëskryeministri juaj kishte shef kabineti një vrasës te kërkuar në SHBA…
Doktori e humbi, tha Glori, por u përmbajt.
– Jo, ka qenë një rast i shkëputur, i tha. E kisha fjalën për raste të tjera.
– Po, po, kam dëgjuar, i tha ambasadori. Një bodigardi juaj ka vrarë një kamarier dhe gjykata nuk e ka arrestuar.
Aty doktori e humbi pak qetësinë.
– Desha të them se më parë kanë ndodhur gjëra më të rënda, i tha ambasadorit.
– Ah, po, kam dëgjuar. Në mandatin e kaluar është hedhur në erë një fabrikë e njerëzve tuaj. Më kanë thënë se humbët 26 vetë dhe nuk është gjykuar.
Doktori këtu u mërzit. E la bisedën dhe në vend t’ia zgjaste dorën ambasadorit, ia zgjati Nishanit dhe iku.
Është bela e madhe se e kanë keqinformuar, i tha Glori.
– E prisja këtë, tha Flamuri. S’mu duk shenjë e mirë që kur la festën e tij më 8 Dhjetor për të prishur festën time. Këto që më thua ti ma përforcojnë. Dhe ku dreqin ka gjetur atë emër Sandër, se mu bë makth ky emër. O unë, o ky emër në këtë vend, se më çmendi.