Nga Lorenc Vangjeli, Revista Mapo
“Nuk kena buk´ as me fal Shën Kollin”. Dhjetëra banorët e fshatit Kozhnje, Kelmend, të izoluar nga bota për shkak të ujit dhe varfërisë, i telefonuan në fillimjavë me dëshpërim deputetit socialist Tom Doshi. Pak minuta më pas, një furgon i ngarkuar me miell niset nga Shkodra për të përfunduar në Kozhnje. Aty ku për shkak të varfërisë, dhjetra malësorë krenarë, “nuk kanë bukë as për të falur festën katolike të Shën Kollit”. Mungon buka, mungon uji i pijshëm dhe mbi të gjitha, mungon dhe shpresa se jeta normale mund të rikthehet në këto vise, që për herë të pestë në një vit, ranë nën mbretërimin e ftohtë të ujit.
“Bukë, bukë, zotni deputet”
Tom Doshi, deputeti socialist i qarkut të Shkodrës ndjehet i dëshpëruar, edhe pse orë më pas, ka rimarrë telefonatat e falenderimit të banorëve: “Më shumë se bukë, ata njerëz kanë nevojë të qeverisen dhe të ndjejnë se shteti i trajton si njerëz dhe jo si numra elektoralë”, thotë ai. Doshi sapo ka ardhur nga Shkodra dhe ka sjellë në Tiranë dëshpërimin pafund të njerëzve që detyrohen të jetojnë me ujin në prag. Që detyrohen të jetojnë pa zjarr dhe me ujin që ju ka sjellë qeveria brenda shtretërve të gjumit. Dhe që tashmë e kanë dhe gjumin e vrarë. “Pashë pemët përpara kryeministrisë që i kishin dekoruar me drita blu. Sot, falë qeverisjes blu, në malësinë e Shkodrës gratë lindin në dritën e qiriut. Por edhe qirinj nuk ka më”, thotë Doshi që nxiton të arrijë seancën plenare të Kuvendit të enjten në mbrëmje.
Në mëngjez, në një nga fshatrat e rrethuar nga uji, kishte parë mosprezencën totale të strukturave të shtetit. Banorët i ishin ankuar se telefonatave të tyre për ndihmë, nuk ju ishte përgjigjur askush nga strukturat përkatëse. Dhe deputeti socialist kishte zgjedhur të bënte “hilen e vogël: kishte telefonuar në një stacion televiziv dhe kishte përshkruar situatën. Brenda një ore në fshat kishin mbërritur varkat e para “të qeverisë”. “Sepse ky është shtet që do të dalë vetëm në televizor”, thotë Doshi.
Në Tiranë, seanca e Kuvendit ka kohë që ka filluar dhe është mjaft e nxehtë, por sipas Doshit, ka pak për t´u thënë aty: “Qeveria duhet të tregojë me letra se çfarë ka bërë në qarkun e Shkodrës, por dhe në Lezhë që nga fillimi i këtij viti. Ku ka ndërhyrë për të përforcuar argjinaturat, ku ka hapur apo ka zgjeruar kanalet kulluese. Sepse fajësinë që ja ka dhënë hënës blu, baticës dhe shirave të paparë që prej 100 vjetësh, e ka konsumuar njëherë. Në janar fajësuan Zotin për përmbytjet, tani çdo shqiptar duhet ta kuptojë se ata që sillen si zotër të këtij vendi, janë fajtorët e vetëm”, thotë deputeti socialist. Ai jep si shembull punimet e nisura, por kurrë të bitisura në argjinaturën e Taragjatit. Një argjinaturë me një gjatësi prej 13 kilometrash në të cilën është punuar vetëm në një kilometër. “Problemi është se punimet me vlerë 15 milion kanë nisur vetëm në fund të tetorit, kur është dhe stina që nisin shirat. Një marrëzi totale. Por atëherë mbyllën procedurat e tenderimeve dhe tani që erdhi sërish përmbytja, argjinatura u shemb edhe aty ku është punuar dhe paratë e dhëna i morri lumi”, thotë Doshi.
Deputeti socialist është nervoz sidomos kur dëgjon në lajme se qeveria e shet si vlerë faktin që ka bërë një mbledhje të saj në Shkodër dhe se ndodhet e tëra aty. “Unë do të propozoja që të vazhdojë të rrijë në Shkodër me shpresë se do ta marrë edhe atë lumi me vete sepse ajo është bërë diga që ndalon përparimin e këtij vendi, sepse boll bëri të pamundurën që ta marrë lumi të gjithë vendin”, thotë ai duke veshur menjëherë “xhaketën” e zakontë të humorit shkodran. Dhe në të njëjtën kohë, vesh gjithashtu bindjen e forcës së tij politike se Shkodra po përmbytet nga uji dhe gjithë Shqipëria po lundron nën korrupsion dhe paaftësi, sepse në 28 qershor 2009, PD grabiti vullnetin e votuesit shqiptar.
Premto sot, nesër harrohet gjithçka
Deputeti tjetër socialist i qarkut të Shkodrës është më diskret. Ilir Beqja thotë se për të kuptuar se çfarë po ndodh dhe pse po ndodh në Shkodër, mjafton të kuptosh sesi drejton vendin qeveria në Tiranë. “Mjafton edhe vetëm të lexosh dokumentat zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, të prodhuar në harkun e më pak se një viti. Në punimet e Kuvendit dhe të njërit prej komisioneve parlamentare. Në korrik, kur do të shkurtonin buxhetin paralajmërova se do të vinin sërish shirat e vjeshtës dhe të dimrit, por askush nuk dëgjoi. Sepse kjo është një qeverisje kuturu, me sot për nesër”, thotë ai.
Në këto dokumenta shihet qartë, sipas deputetit Beqja, distanca e madhe nga premtimet e qeverisë tek realiteti konkret, nga çfarë afrohet të jepet në janar 2010 në kulmin e përmbytjeve dhe çfarë shkurtohet me mendje edhe më të shkurtër në korrik të të njëjtit vit. Beqja afron diskutimet e Kuvendit në 18 janar 2010 dhe ato të Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në 14 korrik të të njëjtit vit. Dy dokumenta të cilët akuzojnë fort, egër dhe ashpër vetë qeverinë si një trupë mashtruese dhe e paaftë, sipas Ilir Beqes.
Dokumenti i parë, Berisha
Eshtë seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë në 18 janar 2010. Qarku i Shkodrës është nën ujë, kurse gjithë Shqipëria në ankth për çfarë po ndodhte. Kryeministri Sali Berisha mban fjalën e tij sipas zakonit; të gjatë, të artikuluar me arrogancë ndaj opozitës që mungon në Kuvend dhe me akuza ndaj atyre që nuk mund t´i replikonin në sallë: u sul ndaj hënës, rreshjeve të papara, baticës detare, rrymave afrikane të ajrit dhe deri vetë Perëndisë.
MAPO boton procesverbalin e seancës së Kuvendit në të cilin Berisha thotë: “Seanca e jashtëzakonshme, e thirrur sot për fatkeqësinë e madhe natyrore të Shkodrës dhe të rrethinave të saj, është një moment i veçantë për të paraqitur edhe një herë përpara shqiptarëve këtë zhvillim, i cili, sipas observatorëve më seriozë të planetit, ka një kohëndodhje më të rrallë se 1 herë në 100 vjet… Ditët e fundit të dhjetorit dhe java e parë e janarit u karakterizuan nga fenomene natyrore të rralla, të rënda dhe të pazakonta, në njërën anë nga reshjet e mëdha, të cilat patën përqendrimin maksimal në Verilindje të Shqipërisë dhe nga ana tjetër një rritje, një dalje e paparë e detit dhe vërshimi i tij në zonën e Ultësirës Bregdetare të qarqeve Kurbin dhe Shkodër. Një rrymë afrikane ajri rriti me shpejtësi temperaturat në Shqipërinë e Mesme me 24 gradë, në Verilindje të vendit në 20 deri në 22 gradë. Të gjitha këto bënë që lumenjtë Mat, Drin i Zi, Drin i Bardhë, Valbonë, lumi Curraj, lumi Gjadër, lumi i Gomsiqes, Kiri, Përroi i Thatë dhe Moraça të vërshonin me tërbim drejt liqenit, drejt Shkodrës dhe rrethinave të saj. Kaskada e Drinit ka derdhur rreth qytetit dhe rrethinave të tij mbi 2.4 miliardë metër kub ujëra.
Në këtë sasi kolosale nuk përfshihen ujërat e Gjadrit, Kirit, Përroit të Thatë, Cemit dhe Moraçës. Në ditët e fundit të dhjetorit dhe fillimit të janarit u krijua një situatë shumë emergjente… Kam besim se me masat që po merren për fuqizimin e hidrovorit të Çasit, për thellimin e kanalit të Velipojës, të Vilunit, për improvizimin me emergjencë të një hidrovorit në anën e Bunës, sasitë e mëdha ujore që u gjendën të depozituara do të mund të evakuohen shumë më shpejt sesa në kursin e tyre natyral… Cilido që njeh Shkodrën, ose ka pasur rastin ta sodisë atë, nga kalaja e saj kupton se ajo gjendet brenda një mrekullie ujore. Shkodra, si asnjë qytet tjetër, rrethohet nga të gjitha anët nga ujëra të mrekullueshme, liqeni, Buna, Drini, Kiri, të cilët periodikisht shfrenohen dhe i krijojnë asaj fatkeqësinë. Është detyrimi i kësaj Qeverie, i këtij shteti që, pavarësisht nga çmimi, Shkodrës përmbytja ujore të mos i qëndrojë më si shpata e Demokleut. Kjo kërkon projekte të mëdha, kërkon ndërhyrje ndër më seriozet… Digat janë një faktor jashtëzakonisht i fuqishëm mbrojtës për Shkodrën. Më shumë investime të mëdha duhet të bëhen nën diga për të krijuar disiplinimin më të madh të mundshëm të prurjeve dhe të shkarkimeve të tyre… Së fundi, një projekt tjetër madhor është thellimi i Bunës, projekt i cili duhet të nisë me emergjencë… Ujdia me Kryeministrin e Malit të Zi u bë në shtator. Ky projekt duhet të ecë. Ministria e Punëve Publike ka marrë porosinë që të studiojë modalitetet e hapjes së një tenderi ndërkombëtar për projektin. Unë kam besimin se me kompletimin e këtyre ndërhyrjeve ne do të bëjmë që fatkeqësitë natyrore nga uji të jenë jo një herë në 100 vjet, por le të shpresojmë që pas këtyre masave as një herë në 300 vjet”. Kështu foli kryeministri, por duket se 300 vjetët e mëpasmë që premtoi se Shkodra do të rrinte në të thatë, kaluan brenda më pak se dhjetë muajsh. Zoti Berisha premtoi se do të bënte Bunën e lundrueshme, por për herë të parë në histori, i lundrueshëm është bërë vetë qyteti brenda. Argjinatura e Çasit nuk ekziston më sepse e morri uji, kurse Velipoja është shndërruar në ishull, sa për të përmendur dy nga toponimet që përmendi vetë kryeministri në janar.
Në këtë seancë plenare folën me rradhë deputetë dhe anëtarë të kabinetit qeveritar. Ajo çfarë binte më së shumti në sy ishte se askush prej tyre nuk harroi të nënvizojë dy detaje: së pari, nuk mungonin falenderimet e nxehta për vetë eprorin e tyre, zotin Berisha dhe së dyti, nuk mungonin akuzat për opozitën që mungonte në Kuvend. Në fund edhe një rezolutë për situatën, një qershi mbi tortën që do t´i premtohej Shkodrës në të ardhmen. Një qershi, që në fakt, e përtypi me gjithë bërthamë në fillim Jemin Gjana i PD-së, e më pas, e gjithë shumica blu.
Dokumenti i dytë
Për të kundërshtuar kryeministrin Berisha, mendoi ish-ministri i tij i bujqësisë Jemin Gjana dhe pas tij, edhe gjithë deputetët e shumicës së tij të cilët votuan me komandë ndryshimet në buxhetin e vitit 2010. Ishte 14 korrik, nuk binte asnjë pikë shi në Tiranë dhe gjetkë dhe çfarë kishte ndodhur në janar ishte harruar me mendjelehtësinë tipike të qeverisjeve shqiptare. Që punojnë vetëm si në emergjencë dhe vetëm si agjenci qokash dhe funeralesh.
Gjana e të tjerë të PD-së, kishin përveshur mëngët për të përdorur gërshërë të mëdha politike në buxhet. Dhe kush e pësoi në fillim? Investimet e planifikuara për Ministrinë e Bujqësisë, në zërin infrastruktura e kullimit dhe ujitjes. Në mbledhjen e komisionit të kryesuar gjerësisht nga Gjana, procesverbali dëshmon se një sërë investimesh të premtuara për në qarkun e Shkodrës, janë shkurtuar me mendjelehtësinë lebetitëse të ligjvënësve shqiptarë. Nëse zoti Berisha premtonte në janar për ndërhyrje të shpejta dhe energjike në hidrovorin e Çasit, sa për të marrë një shembull, komisioni i Gjanës vendos ndryshe. Përfaqësuesja e ministrisë së bujqësisë thotë: “Buxhetit të Ministrisë së Bujqësisë i është pakësuar një fond prej 700 milionë lekësh në investime dhe 359 milionë në shpenzime korente. Këto janë investime kryesisht të programit të menaxhimit të infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit”. Deputeti Gjana sqaron: “Fondet e ngrira kanë ndërprerë procesin e prokurimit për disa objekte. Kanë qenë kryesisht ngrirje fondesh të objekteve të investimeve”. Dhe më tej thotë se është plot merak: “Kam një shqetësim. Duke qenë se programi i ujitjes dhe kullimit është programi më i madh, kur pakësohet buxheti, është pikërisht ai që e pëson më shumë. Me problemet që u krijuan nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës, a ka mundësi që ky program me këto reduktime të rikuperojë një pjesë të çështjeve të emergjencës, që u krijuan pasi ne e kishim të miratuar buxhetin…”. “Kujdes, mund të rikthehen përpmbytjet”, paralajmëron Beqja i PS-së, por askush nuk e dëgjon. Një tjetër përfaqësues i Ministrisë së Bujqësisë sqaron se shkurtimet bëhen edhe për shkak të procedurave, të cilat deri në muajin korrik nuk ishin kryer. Sepse natyrisht pasi kishin kaluar shirat e janarit, ishte tharrë edhe emfaza e premtimeve pa bazë. “Nga shkurtimi prej 700 milionë lekësh të reja që bëhet në programin e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, 425 milionë lekë të reja i janë hequr fondit të zhvillimit rajonal, pra flasim po për të njëjta investime, por me një procedurë tjetër në zbatim të një VKM-je. Arsyeja që preket kjo pjesë, është se, sipas VKM-së, afati kohor, për marrjen e vendimit përkatës se cilat aplikime mund të financohen, është fundi i muajit korrik. Po të llogarisim procedurat e tenderimit, të cilat vazhdojnë për 2 muaj, i bie që punimet civile të fillojnë në muajt shtator–tetor. Duke pasur parasysh se një pjesë e aplikimeve janë për objekte të mbrojtjes nga përmbytjet (që teorikisht koinçidon me periudhën e reshjeve), është menduar që, në radhë të parë, të preket kjo pjesë e fondit. Shkurtimet e tjera prekin 2 ose 3 objekte të mëdha, përfshirë edhe 2 subjekte në zonën e nën-Shkodrës, të cilat nuk kanë qenë të planifikuara në buxhetin normal, por u futën si pasojë e përmbytjeve… Kuptohet që situata ideale do të ishte që në qoftë se do t’i kishim këto investime, ne natyrisht do të ndërhynim, por kjo bëhet duke ruajtur një radhë prioritetesh. Është menduar të hiqet argjinatura e Çasit, sepse kushton 130 milionë… Megjithatë, në këtë argjinaturë është bërë një ndërhyrje e pjesshme, rreth 20 milionë lekë, për të kaluar një emergjencë të emergjencave, por mbetet që të trajtohet në përgjithësi”, thotë përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë. Domethënë, krejt të kundërtën e asaj që kishte thënë kryeministri gjashtë muaj më parë. Domethënë, çfarë ishte prioritet në janar, në korrik nuk ishte më e tillë. Domethënë, meqë vapa e korrikut e thau ujin e janarit, qeveria e trajtoi argjinaturën e Çasit dhe të tjera si ai, me statusin e kalit që nuk hyn më në punë. “Në këtë botë, edhe natyra i ndëshkon gënjeshtarët. Pavarësisht se viktima mbeten gjithmonë fakirët, që janë viktimë e një qeverie sa gënjeshtare, po aq dhe të paaftë”, thotë deputeti Beqja. Kësaj rradhe, si rradhën tjetër, u ndëshkua sërish Shkodra. E cila edhe vetë pret se kush e ka rradhën pas saj.
Comments are closed.
Servil i PS dhe i Evdin Rames. Ç’mund te behet me teper ne Shkoder ? Apo ju te PS e ndaloni shiun qe e sjell natyra. Nese nuk do ishte ndertuar rruga Durres – Kukes e te tjera dhe investimet do ishin orjentuar ne Shkoder ju perseri do thoni se nuk jane bere investime ne rruge per te sjall zhvillimin e turizmit.
Me Edvin Ramen ne krye juve nuk ju gjendet terezia. Largojeni te çmendurin nga drejtimi i PS qe te vini ne pushtet, ne te kundert Sala do e keni kryeminister sa te jete gjalle.
Keto , qe shkruan Z. Vangjeli qendrojne , por s’jane i gjithe problemi . Ministrite e bujqesise dhe te mjedisit , nuk kane konceptin e menazhimit te tokes dhe te ujrave . Kuptohet se per qeverrine keto koncepte jane injoruar me kohe . Kullimi dhe bonifikimi nuk mund te konceptohet parcial , por teresor . Ne Shkoder influencon , kullimi i gjithe Ultesires bregdetare . Qeverria zhduku Ndermarriet e ujrave , eskavatoret , dragat dhe sheshoi te tera argjinaturat , kolektoret , Fusha me e begate e Adrikut dhe nga me te famshet e Mesdheut , ju dorezua pa kushte furise se lumejve dhe detit.