Kameleoni kosovar

21 Dhjetor 2010, 21:46Rajoni TEMA
Kameleoni kosovar

Nga Enver Robelli

– Prej Kremlinit në Kosovë: Rruga e gjatë e Behgjet Pacollit drejt zenitit politik

„Vëllezër e motra, unë kam ardhur t’ju ndihmoj“. Me këto fjalë, të përsëritura shpesh, Behgjet Pacolli para tri vitesh vendosi këmbët në skenën e rrëshqitshme politike të Kosovës. Atëbotë ky sipërmarrës i njohur kryesisht si ndërtimtar formalisht u largua nga atdheu i tij i dytë, nga Zvicra, më konkretisht nga kantoni i Tiçinos në kufi me Italinë. Erdhi në Kosovë dhe themeloi Aleancën Kosova e Re. Sipas fjalëve të kritikëve, të cilat s’është e thënë të jenë të pavërteta, partinë e Pacollit e themeloi inxhinieri i pushtetit Hashim Thaçi me një grup „gazetarësh“ lojalë, pak duke ia bërë qejfin ardhacakut të pasur, pak duke i premtuar se do të marrë një pjesë nga kulaçi i pushtetit. Në vitin 2007 shumë njerëz ishin të prirë t’i besonin retorikës pseudosociale të Pacollit. Lidhja Demokratike e Kosovës ishte e dobësuar nga përçarja dhe nga impotenca politike e krerëve të saj, një pjesë e të cilëve edhe sot vazhdojnë të jenë vendimmarrës. Jo pak zgjedhës kërkonin një vatër të re politike. Për ata që Thaçi s’ishte alternativë, por as LDK, Pacolli ishte aventura që ia vlente të provohej. Hyrja në Kuvendin e Kosovës për partinë e Pacollit ishte e lehtë. I fitoi 13 vende. Për shumë kosovarë, të cilët jetojnë në mjerim social, Pacolli konsiderohej si „bacë“ me qëllime të mira. Ky ishte ai njeriu që kishte bërë emër duke dhënë kontribute për shërimin e njerëzve jashtë vendit, duke punësuar shqiptarë nëpër kantiere të stepave aziatike etj. Në prag të zgjedhjeve të vitit 2007 Pacolli deklaroi një pasuri prej 400 milionë euro. Njerëzit mendonin: Një njeri i tillë po vinte në këtë vend në një mision – gjoja – altruist. Shumë bukur tingëllonte fraza: „Vëllezër e motra, unë kam ardhur t’ju ndihmoj“. Nëntoni i saj ishte: Të tjerët synojnë pushtetin për t’ju vjedhur.

Paterica e Hashim Th.

Megjithëkëtë, Pacolli s’arriti të katapultohej në pushtet. Ishte edhe interes i bashkësisë ndërkombëtare që në fazën e shpalljes së pavarësisë pushtetin ta përbënin Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, në krye me çiftin Hashim Thaçi dhe Fatmir Sejdiu. Gjatë tri viteve në opozitë Pacolli sikur e konfirmoi atë që e kishin supozuar kritikët: Partia e tij s’u dëshmua si forcë opozitare, por si patericë e PDK-së. Edhe kur e kritikonin Thaçin deputetët e AKR-së, gjithçka tingëllonte si kritikë e kalkuluar. Kur Thaçit i duheshin vota për ta bërë Radio-Televizionin e Kosovës megafon shtetëror në shërbim të PDK-së, të parët që i dolën në ndihmë ishin deputetët e AKR-së. Votuan për një bord të RTK-së, që përbëhet kryesisht prej anëtarëve që s’u dëgjohet zëri kurrë dhe të cilët janë të lumtur që nga buxheti i Kosovës marrin një rrogë. Gjatë tri viteve në opozitë disa deputetë të ARK-së kaluan në parti të tjera.

Partia-patericë e Pacollit e pagoi çmimin në të ashtuquajturat zgjedhje parlamentare të 12 dhjetorit. Pacolli humbi mjaft mbështetës. Premtimet e tij se do të krijojë vende pune, se do të ndërtojë spitale dhe do ta afrojë vendin me Evropën Perëndimore nuk tingëlluan të besueshme si në vitin 2007. Simbol i aleancës së tij me Thaçin ishte tenderi për sanimin e ndërtesës së „Rilindjes“, pesha financiare e të cilit ishte 15 milionë euro. Me këto para mbase do të mund të ndërtoheshin dy godina të tilla në Prishtinë.

Për kritikët e Pacollit tenderi i „Rilindjes“ ishte edhe një dëshmi se kosovari me pasaportë zvicerane erdhi në Kosovë, në radhë të parë, për interesa të tij si sipërmarrës. Në këtë kuptim kyçja e tij në politikë shikohet vetëm si përpjekje për t’u pajisur me pushtet, në mënyrë që të sigurojë tenderë dhe të ketë pozitë të fuqishme në privatizimin e ndërmarrjeve në pronësi shtetërore. Gjatë fushatës Pacolli shpalli ambicien e tij tashmë të ditur për t’u bërë president i Kosovës. Kjo s’është për t’u habitur, sepse në karrierën e tij si biznesmen Pacolli ka pasur rastin të takojë dhe të ketë punë me disa kryetarë shtetesh autokratike, me Boris Jelcinin e Rusisë dhe me atë të Kazakistanit, Nursulltan Nazarbajev.

Imamët e Pacollit

Në fushatën paraelektorale Pacolli arriti t’i sjellë në anijen e tij politike disa parti të vogla, madje edhe një grupacion islamist, i cili hapur propagandon përdhosjen e islamit tradicional shqiptar dhe kërkon imitimin e islamit rigjid të shkretëtirave të Arabisë Saudite. Me ndihmën e Pacollit islamistët politikë synojnë të shkelin shtetin laik, të rregullojnë me ligj bartjen e shamisë në institucione shtetërore dhe të ndërtojnë në Prishtinë qendrën më të madhe islamike në Ballkan. Për herë të parë në historinë e Kosovës imamë ekstremistë nuk ngurruan të dalin publikisht dhe të përzihen në politikë, duke deklaruar se është mëkat të votohet për parti të tjera përveç partisë së Pacollit. Me këtë aleancë Pacolli tregoi se është një kameleon politik. Nga njëra anë përkrahës i kërkesave të islamit ekstrem, nga ana tjetër kozmopolit, që flet disa gjuhë. Për politikën e brendshme kosovare Pacolli nuk ka treguar ndonjë interes. Skena e preferuar e tij është politika e jashtme. Në Prishtinë ka mjaft gazetarë sahanlëpirës që mezi presin t’i bëjnë elozhe, kur Pacolli lobon për njohjen e pavarësisë nga Tuvalu, Hondurasi, Maldivet dhe Libia. Shpesh është e paqartë nëse Pacolli në këto misione lobon për njohje apo për firmën e tij.

Si shumë shqiptarë të Kosovës edhe Pacolli emigroi para më shumë se tri deceniesh në Evropën Perëndimore. Në Hamburg ndoqi mësimet në një shkollë tregtare, pastaj punoi në Austri dhe në Zvicër. Më 1991 themeloi në Lugano të Zvicrës firmën ndërtimore Mabetex dhe shpejt arriti sukses në Rusi: Atje ndërtoi fabrika, klinika, hotele, ndërtesa administrate. I famshëm u bë me renovimin e Kremlinit. Në kohërat e mira qarkullimi vjetor i grupit Mabetex arrinte mbi gjysmë miliardë euro në vit.

Akuza të rënda

Në vitin 1999 në selinë e firmës Mabetex në Lugano-Paradiso erdhi befasisht një mysafire e paftuar: Carla Del Ponte. Prokurorja e atëhershme federale e Zvicrës e mori Pacollin në pyetje dhe e fajësoi se përmes Hungarisë i kishte transferuar Boris Jelcinit një milion euro. Po ashtu Pacolli dyshohej se kishte ndërmjetësuar në pajisjen e vajzave të Jelcinit me kartela kredie. Kështu Pacolli, sipas mediave zvicerane, dëshironte të tregohej mirënjohës për tenderët, të cilët ia kishte dhënë Kremlini. Më vonë drejtësia në Gjenevë e akuzoi Pacollin për shpëlarje parash. Më tutje autoritetet zvicerane nuk arritën, sepse drejtësia ruse s’shihte asgjë joligjore në veprimtarinë e Pacollit dhe i bllokoi hetimet. Raportet me Rusinë dhe Kazakistanin nuk janë aq favorizuese për karrierën politike të Pacollit në Kosovë. Këto shtete refuzojnë të pranojnë pavarësinë e Kosovës. Edhe një episod tjetër nga jetëshkrimi i Pacollit mund të jetë pengesë për ambiciet e tij presidenciale në Prishtinë. Në vitin 1998, pak ditë pas masakrës ndaj familjes së Adem Jasharit në Drenicë, Pacolli kishte udhëtuar në Moskë. Siç ka treguar vetë, në Kremlin ai u takua me liderët rusë, të cilët e kishin bindur të shkojë në Beograd dhe Prishtinë si ndërmjetësues „për të ndalur gjakderdhjen“. I gjendur nën presionin rus despoti serb Slobodan Milosheviq kishte pranuar të takohej me Pacollin dhe t’i shpreh atij gatishmërinë për negociata me shqiptarët e Kosovës, por pa ndërmjetësim ndërkombëtar!

Fehmi Agani kundër Rusisë

Pas takimit me Milosheviqin, Pacolli në mars 1998 fluturoi në Prishtinë, ku autoritetet e atëhershme serbe ia hapën aeroportin pas mesnatës. Erdhi në shtëpinë e tij në Hajvali dhe i ftoi në takim Ibrahim Rugovën, Fehmi Aganin, Mahmut Bakallin dhe Shkëlzen Maliqin. (Këta emra i ka përmendur Pacolli në bisedë me autorin e këtij shkrimi). Rugova s’kishte shkuar në takim. Gjithë misionin e Pacollit, ndërkaq, e kishte „prishur“ sidomos Fehmi Agani, i cili atëbotë ishte strategu kryesor politik i LDK-së. Agani s’kishte pranuar që një delegacion i Kosovës të shkojë në Beograd, të takohet me Milosheviqin dhe të nënshkruajë një deklaratë, ku përfaqësuesit e Prishtinës do të theksonin se nuk ka nevojë për ndërmjetësim ndërkombëtar dhe se për zgjidhjen e problemeve do të bisedojnë bilateralisht me Serbinë. Qëllimi i nismës ruse ishte i qartë: Të mashtrohen shqiptarët dhe të pranojnë biseda bilaterale me Serbinë. Në këtë mënyrë nga procesi për pavarësimin e Kosovës do të përjashtoheshin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet kryesore të Evropës, të cilat çliruan Kosovën. Me apo pa vetëdije Pacolli atëbotë u bë instrument i politikës ruse. Ndoshta nga naiviteti. Ka mjaft raste kur biznesmenë të suksesshëm janë politikanë naiv. Tani është çështje e shoqërisë së Kosovës nëse është e gatshme të pranojë në krye të vendit një politikan naiv si Pacolli. Hashim Thaçi në këtë drejtim nuk ka asnjë skrupull, siç nuk pati as kur organizoi, siç thanë diplomatët perëndimorë, „vjedhjen industriale të votave“ më 12 dhjetor.

11 komente në “Kameleoni kosovar”

  1. edmond says:

    Faktet qe hidhen ne shkrim mund te jene e mund te mos jene te verteta.Gjithashtu dhe opinionet.Me bie ne sy gjuha e ashper ndaj personalitetve politike sikur eshte gatuar ne guzhinen e vicidolit.

  2. Ediruci says:

    VICI-DOLI NE PERGJIGJEN E PARE DHE E KA EMRIN EDMOND.

  3. Dino USA says:

    Asnje argument nuk lexova qe mund te them se Pacolli eshte kunder Kosves dhe popullit te vet,perkundrazishihet perpjekja e tij per nje ulje tensioni dhe gjakrash,karakteristike e politikaneve shqipptar

  4. guri says:

    I vogel ky Rob-elli.I vogel ka qen dhe i vogel ka mbet.Nje cope gazetar qe shkruan me honorar si ti thone .

  5. Gjergj Zefi says:

    Shkrim shume i argumentuar. Vecse Robelli eshte dashur ta permende edhe nje fakt tjeter, se Pacolli ka shkuar per t’u takuar ne Beograd me Millosheviqin ne pranveren vitit 1999, ne kohen kur Ibrahim Rugova mbahej ne arrest shtepiak nga Millosheviqi, ndersa makineria e tij vrastare digjte e pergjakte popullin e Kosoves.

  6. Lexuesi says:

    Nuk ka pasur EURO ne ate periudhe.

  7. Agroni says:

    Zoti Robeli, e lexova ket shkrim ne variant me të shkurter dhe ne Tagesanzeiger të Zvicrës. Ajo qe due ta them asht se ky shkrim asht shum i sakt per të gjith ata qe din e mbajne mend ato vite të rënda të Kosovës. Per tarafet tjera nuk vlenë asgje: as e verteta, as drejtësia as e ardhmja. Mjafton të kenë të ngopën!?
    Kameleoni kosovar Pacolli, të tillë ka pasë Kosova vazhdimisht, kishte takue Ibrahim Rugovën, ne shtepinë e tij, per tia komunikue porosinë e Millosheviqit permes Jelcinit, pastaj kishte takue dhe delegaionin qe ju permendni në shtepinë e vet në Hajvali. Ketë fakt e dinë shum intelektual. Kishte ardhe dhe per te kerkue nderprejen e bombardimeve!!! Ajo qe po mungon: po ta realizonte Pacolli porosinë e Jelcinit e Millosheviqit do të bëhej minister i jashtem i federatës “Serbi e Mali i Zi” dhe do të kishte interese ne aranzhmanet bisnisore! Ne shpatulla te kujt do i fitonte keto privilegje Pacolli?Të shpresojmë se shqiptarët (jo kosvarët!?) do ti kthehen identitetit kombëtar e njerzor, per ti tregue, dhe me votë, secilit ku e ka vendin, dhe per të kerkue ti fut ne sistem njerzit me të devotshem, te aftë e te pashitur!
    Kam pritë, si shum shokë, qe këto zgjedhje te jenë te ndershme, jo të vjedhen ne menyrë industriale, ashtu qe tia tregonin “vendin” shum kujt dhe kameleonit Pacolli bashk me mendimtarët e tij në koalicion qe nuk ndryshojnë prej tij.
    Po pranoj populli tu vijë ne krye të shtetit Pacolli, me mendimtarë të vet, ateherë del se ky popull ka harrue gjakun e derdhun dhe herojt e vendit per liri e pavarësi.
    Sa i perket Hashim Thaqit, jo qe është i paskrubullt, por ai asht ne gjendje të bënë qdo gja, sikur shum tjerë ne te kaluarën, vetem qe të mbetet ne pushtet!

  8. inf says:

    po ka met kosova per ket RUS me emrin pacolli mire ti bohet ,turp i madh e njofti kosoven kjo koloni ajo koloni ky fis indianesh qe nuk jane as antare dhe as gje prej gjeje dhe ja ky PACI une e bana une do i baj te tana ky udbash i rendomte qe e la qazimin e ana OKSEN vetem e cila e lidhi me lloj lloj xhibilet mileti dhe ky e perdorI si ti desh qejfi ketij ,.
    Kosova FLAKE ky hante e pinte me RUSET me Jelsina e Putina ky klysh i beogradit e pa se nuk ka me se te merrte dhe hapi PARTI dhe tani do te marri pushtetin nga pushti Thaqi.
    Harroje Kosoven z,PACI Harroje ti je dhe do ngelesh nji klysh i pa bese se ke hangerr buken e HASMIT tone dhe pik .Nuk ke ti te drejte dhe bindje shqiptare te drejtosh ti dhe thaqi kosoven ,ju i keni vjedh votat dhe duhet ta pranoni vjedhjen se po ju vertetohet dhe nga te Huajt .
    Shko z,Pacolli ne RUSI dhe ngopu me femra se vetem per ate pune je ti Ti je vetem per BORRDELLO dhe kaq ik largohu nga kosova se ti e ke braktisur ate qush ne lindje o baba I QAZIMIT .

  9. Nderim Halimi says:

    Shpresoj shume qe amerikanet nuk do te lejojne qe Behgjet Pacolli, matrapazi i Kosoves, te behet President i ketij vendi. Sa per Thacin ai behet, per sa kohe qe vete KM ne largim te mbetet ne post. A po e shihni, edhe Presidenti i Serbise Tadiq eshte brengosur per fatin politik te Thacit keto dite.
    Ne tjeter gje, qe nuk eshte permendur deri sot eshte: ne rast se matrapazi behet President zonje e pare nuk behet Mimoza Kusari, por gruaja ruse e Pacollit. Rusja Zonje e Pare e Kosoves. Ironi e rende!

  10. dn says:

    Rusja ,zoje e pare e kosoves ironi? Shqiptaret jane mesuar:Liri Berisha eshte serbe,po ashtu! Mode kjo tek aparatchiket!

  11. alban says:

    Shiko per te share e per te shpifur nuk eshte ndonje gje e re,”spiun i serbeve”,”spiun i ruseve” et j,keto dokrra i gjen ne cdo cep te Kosoves,s’ka ngel njeri ne Kosove pa nje epitet,zor se gjen ndokend pa u sha.Uniteti ne Kosove nuk vlen fare,kjo eshte per kedo..po mos te ishte Pacolli do te ishte nje tjeter qe edhe ai prap do te shahej e mallkohej,duke i thene se” gjyshja e tij ishte turke,ruse,serbe,italiane ose shkonte ne xhami,kishe etj etj”.Pak e veshtire ne Kosove,gjithmone na kane akuzuar si shtet jo formues,sic duket na kane njohur mire.Lerini njerzit te punojne,boll me analiza fshati,Pacolli ka mbi 15 vjet qe punon e punon per Kosoven,pse nuk i shihni gjerat e mira,por vetem shani,besoj se balanca eshte plotesisht ne favor te tij.Ai ka investuarr e ndertuar plot gjera ne Kosove pa asnje interes,falas,po kujt i hyn sy..dikujt qe eshte hallexhi po i hyn,dikujt qe e bren xhelozia krahinore si hyn asgje ne sy,kollaj te shahet tjetri.Nuk eshte vendi per te treguar se cfare ka bere Pacolli per Kosoven ,se ne kete koment nuk ja vlen fare,aq me teper ne kete gazete qe cdo vit nderron opinionet per njerzit sipas interesave financiare.
    Gezuar vitin e ri 2011.
    Albani

Comments are closed.

Lini një Përgjigje