Zoti Berisha, kryeprokurorja po “fle” mbi dosjen e krimit tuaj për skandalin “Taçi-Ruli-ARMO”

11 Janar 2011, 21:17Politika TEMA

Nga Kledian Lula

Pak ditë më parë, në vijim të stilit të tij “Sulmo që të trembësh”, kryeministri Sali Berisha hodhi një sinjal kërcënues kundër kryeprokurores shqiptare Ina Rama. Këtë kërcënim, “kubeja” Berisha nuk e bëri për shkak të lajthitjes, por për shkak të vetëmbrojtjes prej marrjes si i pandehur për krimet e shumta ekonomike e anti-kombëtare, me cenim të plotë të Kushtetutës. Kryeministri më i korruptuar e më anti-kombëtar i Europës, Sali Berisha, ka në “CV” e tij qeverisëse e politike shumë fakte kompremtuese të konfirmuara, që dëshmojnë plotësisht përfshirjen e tij në afera zyrtare korruptive, shumica e të cilave kanë përfunduar me tragjedi njerëzore e fatkeqësi fizike për qendrat e banuara.

Siç dihet, në zyrën e drejtësisë e konkretisht në tavolinën e kryeprokurores shqiptare Ina Rama, janë stivosur një seri dosjesh të “zeza” të krimeve ekonomike e njerëzore që kanë për autorë ministrat e qeverisë “Berisha sh.p.k”, të afërm, familjarë e ortakë të tyre dhe padyshim, në krye edhe vetë kryeministrin e këtij vendi, që me “duart e pastra” ka shërbyer si firmëtar i të gjithë akteve shkresore korruptive e antikombëtare (falja e hapësirës detare, plehrat etj), duke e kthyer pasurinë kombëtare në pronë të grupit zhvatës që ai drejton dhe që e komandojnë. Kryeministri e di shumë mirë, se çfarë kanë brenda ato dosje të firmosura prej tij e ministrave të tij, që tashmë i ka në dorë drejtësia. Ndaj dhe për të bllokuar zbardhjen e tyre, ashtu si me të gjithë kryegjyqtarët e kryeprokurorët shqiptarë, ai nisi kërcënimet paralajmëruese edhe ndaj kryeprokurores Ina Rama, me synimin djallëzor për tulatjen dhe tërheqjen e saj, duke e akuzuar se “po fle mbi dosjet e krimit”.

Po zoti kryeministër, drejtësia po “fle” mbi dosjet e krimit. Dhe një nga këto dosje që nuk po hapet edhe pse ka brenda krim të dukshëm e të rëndë ekonomik, realizuar me falsifikime dokumentesh shkresore e financiare, është dosja juaj e skeduar “Berisha-Ruli”. Në këtë dosje qëndron akuza e faktuar, që dëshmon se dyshja juaj e babëzitur, realizoi privatizimin në mënyrë mafioze të kompanisë së naftës “ARMO”, duke ligjëruar si blerës “administratorin” tuaj ortak, Rezart Taçi, ose siç e keni cilësuar ju publikisht, “një taçi-toçi, një mafioz dhe kontrabandist shumë i rrezikshëm i naftës”.

Aktualisht, ky “pisnesmen” (jo biznesmen) një pjesë të fitimeve nga nafta që nuk nxjerr, por tregton, e depoziton në llogarinë e një fondacioni hije për “fëmijë në nevojë”, që ka për presidente bashkëshorten e shitësit të ARMO-s, kryeministrit Sali Berisha.

Që prej datës 19 qershor 2008, kryeprokurorja Ina Rama ka në tavolinë dosjen mafioze “ARMO-Berisha-Ruli-Taçi”. Sot jemi në datën 12 janar 2011 dhe kapaku i kësaj dosjeje me autorë qeverisës e ligjvënës të lartë nuk është hapur. Drejtësia e drejtuar nga Ina Rama, prej 2 vjet e gjysmë, ashtu siç thotë edhe vetë Berisha, po “fle” edhe mbi këtë dosje, duke mos nisur veprimet procedurale, për të cilësuar e marrë si të pandehur këtë grup falsifikatorësh bashkëpunues në falsifikime dokumentesh zyrtare gjatë privatizimit të paligjshëm të ARMO, si sektorë strategjik i ekonomisë kombëtare.

Denoncimi

Subjekti: Kërkesë për ndërhyrje në mbrojtje të ligjit

Të nderuarës, znj, Ina Rama

Prokurore e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë

Republika e Shqipërisë, Tiranë-Albania

E nderuara Prokurore e Përgjithshme:

1. Më datë 10 qershor 2008, ne kemi marrë njoftimin nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO), për privatizimin e ARMO-s, një kopje e të cilit gjendet bashkëlidhur. Përmes këtij njoftimi, Konsorciumi ynë u informua zyrtarisht për Vendimin Nr.3 të KVO, i cili përmban disa argumente të paligjshme për kualifikimin dhe klasifikimin e aplikantëve/konsorciumeve pjesëmarrës në procesin e tenderit për privatizimin e ARMO-s.

2. Më 13 qershor, 2008, konsorciumi ynë, në ushtrim të së drejtës së ankimit, i ka dërguar Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Genc Ruli, një letër ankimi, një kopje e të cilës gjendet bashkëlidhur. Në paragrafin 6 të ankimit bashkëlidhur, i kemi bërë të qartë disa prej shkeljeve të bëra nga KVO, shkelje të cilat janë të dënueshme nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë. Një dokument i rëndësishëm që tregon shkeljet e KVO, u publikua së fundi në shtyp, dokument i cili gjendet bashkëlidhur. Ky dokument i bashkëlidhur përbën një kopje të letrës së paligjshme që KVO i ka dërguar “Anika Enterprises” & “Refinery Associates of Texas”, duke i këshilluar ata sesi t’i zgjidhin problemet/mangësitë që ata kishin në ofertën fillestare të paraqitur si p.sh.: a) Të hiqnin dorë nga kushtet paraprake dhe të kundërligjshme lidhur me çmimin e ofruar më 21 maj, 2008; b) Të gjejnë një partner/investitor strategjik, i cili mungonte në ofertën e tyre të paraqitur më 21 maj, 2008.

3. Më 17 qershor, 2008, z. Genc Ruli, Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, i është përgjigjur ankimit tonë, kopje e së cilës gjendet bashkëlidhur. Në letrën e tij, Ministri, pa iu përgjigjur me transparencë dhe çështje për çështje argumenteve të ngritur në ankesën tonë, i ka quajtur ankesat e konsorciumit tonë si të pabaza dhe që nuk kanë vlerë ligjore.

4. Siç mund ta vini re nga brendia e korrespondencave, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, (KVO), dhe z. Genc Ruli, Ministër i Ekonomisë, Tregtisë & Energjetikës së Republikës së Shqipërisë, kanë vepruar në kundërshtim dhe shkelje të plotë të ligjeve, normave dhe rregullave të Republikës së Shqipërisë, përfshirë Vendimin Nr. 82, të Këshillit të Ministrave, të datës 03/02/2008, kopje e të cilit vendim gjendet bashkëlidhur, me qëllim të lehtësimit të përdorimit dhe referencave në atë vendim. Veprimet e paligjshme të pasqyruara më lart, janë shkelje të rënda të parimit të barazisë së pjesëmarrësve në një tender publik, dhe që përbëjnë një krim penal, të dënueshëm nga Neni 258, i Kodi Penal, të Republikës së Shqipërisë.

5. Eshtë në dritën e kronologjisë së ngjarjeve si më lart, që konsorciumit tonë nuk i ka mbetur zgjedhje tjetër, veçse ta referoje këtë rast shkeljesh të profilit të lartë ,tek Ju, si personaliteti më i lartë i mbrojtjes së ligjit në Republikën e Shqipërisë, duke kërkuar ndërhyrjen Tuaj të menjëhershme dhe legjitime, përpara se të detyrohemi të kërkojmë asistencën e sistemit ndërkombëtar të drejtësisë në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

6. Konsorciumi ynë beson se është koha e duhur për Autoritetin Tuaj të Nderuar, që të sigurojë që qytetarët e Shqipërisë në përgjithësi, dhe zyrtarët më të lartë të shtetit, në veçanti nuk mund t’ia hedhin pa u lagur nga shkelje të tilla qartësisht të rënda të ligjeve, normave dhe rregullave të Republikës së Shqipërisë, ligje të cilat kanë parasysh pikërisht rregullimin e jetës së popullit në fusha të ndryshme. Po kështu, është shumë e rëndësishme për interesin kombëtar të Shqipërisë, për imazhin e saj rajonal dhe ndërkombëtar që Institucioni juaj i nderuar, të garantojë shkallën më të lartë të respektimit të ligjeve, normave dhe rregullave të Republikës së Shqipërisë, si dhe të standardeve ndërkombëtare europiane dhe amerikane, në mënyrë që investitorët e huaj, të ndjehen të sigurt dhe të kenë besim tek zbatimi i ligjit dhe drejtësisë për mbrojtjen e investimeve të tyre potenciale në vendin tuaj. Kjo është natyrisht e një rëndësie supreme për imazhin, reputacionin dhe zhvillimin e ardhshëm ekonomik të Shqipërisë, kur bëhet fjalë për tenderat ndërkombëtarë me pjesëmarrjen e ofertuesve ndërkombëtarë, siç është rasti i procesit të privatizimit të ARMO-s.

7. Si konkluzion, Konsorciumi ynë fton vëmendjen tuaj për ta sjellë rastin në një hetim të plotë, duke e pezulluar procesin, së paku deri në momentin që Institucioni Juaj të ekzaminojë dhe verifikojë shkeljet e hapura të normave dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë, të cilat ne i kemi nënvizuar më lart, dhe përpara se e gjithë çështja të dëmtojë rëndë imazhin dhe kredibilitetin e Shqipërisë në nivelet rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe në sytë e investitorëve të huaj europianë dhe amerikanë.

Në pritje të rastit të lumtur të reagimit Tuaj sa më parë

Sinqerisht,

Joseph ATIAS

Drejtor Menaxher i “US Balkan Capital Fund Inc”, New York, USA

Në emër të Konsorciumit “US Blkan Capital Fund Inc”-“Euroil sha” dhe “NFS Partners” & “Vitol Group”.

Tiranë, e mërkurë, Qershor 19, 2008

Lini një Përgjigje