Qeveria, të krijohet, a të mos krijohet!?

10 Janar 2011, 17:00Politika TEMA

Ende pa u përmbyllur procesi zgjedhor i 12 dhjetorit, disa nga partitë pjesëmarrëse kërkojnë që Kosova të përgatitet për zgjedhje të reja, pasi që procesi aktual, sipas tyre, ishte i parregullt dhe i lënduar.

Formimi i institucioneve të reja në Kosovë shihet si sfidë, si në kuptimin e arritjes së koalicioneve e marrëveshjeve politike, ashtu edhe nga aspekti i legjitimitetit.

Rivotimet e 9 janarit, siç edhe është pritur nuk kanë ndryshuar shumë rezultatet e para preliminare të publikuara më 13 dhjetor.

Sidoqoftë, për Partinë Demokratike të Kosovës i gjithë procesi, përfshirë edhe rivotimet, vlerësohet se i ka përmbushur standardet demokratike.

Kurse, shqetësimet e analistëve dhe disa partive politike rreth formimit të qeverisë së ardhshme, për PDK-në nuk qëndrojnë. Memli Krasniqi nga PDK-ja, thotë se formimi i qeverisë do të jetë brenga më e vogël për PDK-në sapo të përfundojë i gjithë procesi zgjedhor.

“Pa dyshim se do të presim që edhe në komunën e Mitrovicës të hiqen dyshimet dhe shqetësimet që mund t’i ketë ndokush në mënyrë që ta kemi një rezultat përfundimtar të certifikuar dhe pastaj do të bindeni të gjithë se do të ketë me kohë, një qeveri të re për një kohë rekord. Problemi më i vogël që e ka PDK-ja është që t’i bëjë numrat në Kuvendin e Kosovës për ta krijuar një qeveri të re”, thotë Krasniqi.

Me gjithë optimizmin e PDK-së, ankesat e subjekteve politike kanë arritur në atë shkallë sa kontestohet legjitimiteti i gjithë procesit.

Lidhja Demokratike e Kosovës insiston që vendi të shkojë në zgjedhje të reja gjatë vjeshtës, duke krijuar paraprakisht një qeveri gjithëpërfshirëse.

Arben Gashi nga Kryesia e LDK-së, thotë se kjo qeveri gjithëpërfshirëse do t’i arrinte konsensuset e nevojshme politike në mënyrë që reformat të prekin gjithë procesin zgjedhor për t’i evidentuar dhe evituar parregullsitë për të ardhmen.

“Ne mendojmë që duhet të krijojmë një gjendje politike, ku do të kemi një përfaqësim gjithëpërfshirës derisa të vijë një moment kur institucionet e Kosovës të jenë gjithëpërfshirëse. Duhet të jetë një qeverisje, e cila duhet t’i përfshijë të gjithë, në mënyrë që të gjithë të jenë pjesë e procesit për hartimin e ligjit të ri për zgjedhjet, ose për ndryshimin Ligjit të zgjedhjeve”.

“Gjithashtu, duhet të krijohen kushtet e barabarta që në zgjedhjet e ardhshme, të cilat do të duhej të mbaheshin në vjeshtë, të ishin të gjithë të barabartë dhe në mënyrë të barabartë qytetarët të vendosnin për preferencat e tyre politike”, shprehet Gashi.

Votimet e 12 dhjetorit, si edhe rivotimet e djeshme, për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës nënkuptojnë një lëndim serioz të të gjithë procesit zgjedhor.

Burim Ramadani, sekretar i përgjithshëm i AAK-së, thotë se legjitimiteti i institucioneve është cenuar shumë nga parregullsitë e zgjedhjeve dhe beson se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të lira sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Ne duhet të ndërtojmë konsensus që të fillojmë menjëherë punën që të ndërtojmë një sistem tjetër zgjedhor dhe në mundësinë e parë që do të kemi si Kosovë, të futemi menjëherë në zgjedhje, sepse këto zgjedhje vërtet nuk mund të japin institucione legjitime. Do të thotë se është vështirë të paramendohet se do të ketë institucione me mandat katërvjeçar nga këto zgjedhje”, thekson Ramadani.

Ndërkohë, Aleanca Kosova e Re, përkatësisht Koalicioni për Kosovën e Re pozicionin e vet në raport me institucionet e ardhshme e ndërlidh me përmbylljen e procesit zgjedhor dhe publikimin e rezultateve zyrtare.

Zëvendëskryetarja e AKR-së, Mimoza Kusari-Lila, thotë se Koalicioni për Kosovën e Re, ndonëse ka shprehur shqetësime për vonesa në këtë proces zgjedhor, është në pritje të rezultateve zyrtare.

“Koalicioni për Kosovë të Re ka thënë se do t’i diskutojë të gjitha, por pasi të kemi një përmbyllje të procesit zgjedhor dhe certifikim të rezultateve. Pa një përmbyllje të këtij procesi dhe pa rezultatet zyrtare, Koalicioni për Kosovën e Re nuk ka dhënë asnjë shenjë lidhur me krijimin e institucioneve, ose nuk ka hapur diskutime lidhur me mundësinë e krijimit të institucioneve dhe hyrjes në ndonjë koalicion qeverisës”, thotë Kusari-Lila.

Pozicionin e vet në raport me institucionet e ardhshme, përkatësisht me Qeverinë, e ka qartësuar edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila është përcaktuar për opozitë.

Procesi zgjedhor nuk është përmbyllur ende, pasi që tani priten edhe rivotimet në Mitrovicë.

Analistët kanë parashikuar vonesa të theksuara në formimin e qeverisë, marrë parasysh pozicionet e partive politike, të cilat, ose e kontestojnë gjithë procesin zgjedhor, ose edhe hezitojnë të përfshihen në një koalicion të ardhshëm, duke mos besuar në qëndrueshmërinë dhe mandatin katërvjeçar të qeverisë së ardhshme.

“RFE”

5 komente në “Qeveria, të krijohet, a të mos krijohet!?”

  1. kris says:

    Duhen zgjedhje te reja me qeveri teknike si ne Shqiperi ashtu dhe ne Kosove.Kombi ka nevoje per zgjedhje te lira e te ndershme qe edhe te numurohen drejt.

  2. Patriot Kodra says:

    More Kris,

    Ty as te nxi… b.. per Kosoven. Une e di ate 1milion %. Ti ke qejf qe Kosova te futet ne nje rreth vicioz pa fund, e te degradohet si mos me keq. Por, fatmiresisht, parashikimet e mia jane se Kosova do te prosperoje dhe do te jete anetare e OKB-se. Avantazhi i Kosoves eshte se Ajo ka me shume kulture evropiane se ne. Ti e ke pare Europen 50 vjet me vone se sa kosovaret. Nu ka ngelur Kosova te marre leksione nga ty dhe ca te veckel si Mero Baze. Ka Kosova intelektuale me shume se sa Shqiperia. Intelektualet kosovare nuk e kane patur te detyrueshme qe gjysma e provimeve te shtetit te ishin per marksizem-leninizmin sic i ka bere Baze me shoke.

    1. Epirioti says:

      Kodra marksizem-leninizmi vazhdon e studiohet edhe sot ne universitetet amerikane, dega e filozofise dhe ekonomise. Te dish dicka me shume nuk te bene keq. Une nuk kam patur provime shteti me marksizem-leninizem, por prinderit tane, te mite, te tute e te kujtdo tjeter ishin te detyruar ta jepnin si lende. Halli eshte se kush perfitoi prej asaj lende qe i mesonte njerezit hileqar, spiun, karrierist dhe mashtrues. Vetem nje i ben lavde cdo dite ne mengjes ne hale asaj lende, e ky eshte Sali Berisha sepse ai po ve ne jete gjithe te zezat qe ka historia e marksizem-leninizmit.
      Sa per Thacin, eshte pergjegjesi e tij te zbut tonet dhe te krijoj pajtim idese perparimtare te te gjitha partive, pavaresisht se disa do qendrojne ne opozite e disa ne pushtet.

  3. Patriot Kodra says:

    Une jam plotesisht i bindur se ka ca ne Partine e Thacit qe kan bere e po bejne njelloj sic bene komunistet e 1944-es ne Shqiperi. Me tu crliruar Kosova ato deklaruan se “ne beme luften, dhe ne na takon gjithshka tani.”
    . Keshtu bene Leberit (komuniste) me 1944-n ne Shqiperi. “Ne beme luften, Ne beme luften”- thonin gjithmone keta gangster, qe vrane, prene dhe burgosen shqipetare patriote te pafajshem.
    Gjermanet iken se humben luften dhe keta komuniste “Zan Causha” hyjne ne Tirane bashke me Miladin Popovicet dhe Dushan Mugoshet si “clirimtare”, duke vrane kundershtaret pa asnje hezitim dhe sollen barinjte e kurveleshit e i bene ambasadore. Dihet se sa jete te lumtur paten shqipetaret per 60 vjet te sundimit te tyre. (1944-1992; 1997-2007).
    Kam respektin me te madh per UCK-en dhe Thacin. Nese ka patur manipulues ne rradhet e UCK-se per perfitime materiale, ato ndodhin ne cdo ushtri clirimtare. Por, ne duhet ta mbrojme me pasion dhe respkt te verteten mbi luften e UCK-es. Sepse ajo beri lufte balle per balle kunder makines shfarosese serbe.
    Kosova ka qene dhe do te mbetet fortesa shqipetare qe ka ndaluar dhe do te ndaloje dyndjet barbare te serbeve drejt territoreve shqipetare.

    1. Epirioti says:

      Tani po flet si Kodra pas bregut! Nuk eshte situate per te justifikuar disa segmente qe meqe fituan duan edhe pushtet. Nese Cezari keput nje kokerr molle ushtria pas tij shkreton gjithe pemtarine. E sa per ate qe leberit bene luften, ne fakt ata e bene se dreqi e mori trimat leber dhane jeten e fshataret si nga veriu, lindja dhe jugu u bene ambasadore e pushtetare. Trimat nuk rrine asnjehere ne pushtet por ne opozite, e ate duhet te beje edhe Thaci

Comments are closed.

Lini një Përgjigje