Hashim Thaçi do të mendojë se do ta rifitojë legjitimitetin e tij në BE prapë, nëse bën një marrëveshje me Serbinë, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Qendrës për Politika të Reja në Beograd, Vladimir Todoriç.
Zyrtarët në Prishtinë kanë treguar gatishmërinë e tyre për të nisur dialogun me Beogradin pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. A është edhe Beogradi i gatshëm për një dialog të tillë? Cila është përshtypja juaj?
Kam përshtypjen se Beogradi është më shumë i etshëm për të nisur dialogun në këtë moment. Ne nuk e dimë ende se cila është korniza kohore e dialogut. Ne dimë se kufiri i kësaj kornize kohore është ndoshta tre muaj para zgjedhjeve në Serbi dhe ato do të mbahen më së largu në fund të marsit, apo në prill të 2012-ës. Andaj, ndoshta po flasim për fundin e këtij viti.
Mendoj se krijimi i qeverisë në Kosovë, nuk do të jetë një proces i lehtë, duke pasur parasysh mungesën e qartësisë për jehonës që ka pasur raporti i Dik Martit. Një nga pasojat e këtij raporti është se Hashim Thaçi nuk do të jetë personi, me të cilin krerët e shteteve anëtare të BE-së do të dëshirojnë t’i shtrëngojnë duart apo të bëjnë fotografi.
Pra, mendoj se partnerët apo rivalët e tij politikë në Prishtinë janë të vetëdijshëm për këtë dhe supozoj që kjo është një kuti problematike sa i përket formimit të koalicionit të ardhshëm qeveritar në Kosovë. Beogradi është shumë i qartë lidhur me fillimin e dialogut.
Ishte vlerësim i të gjithëve – kur flasim për tetorin, nëntorin apo dhjetorin e këtij viti, se koha ishte në anën e Prishtinës dhe se Beogradi do të duhej të niste dialogun sa më parë që të jetë e mundur. Kam përshtypjen se ka një ndryshim të lehtë të këtij momentumi tani.
Pra, a mendoni se raporti i Dik Martit do të mund të prodhonte efekte afatgjata për Kosovën?
Raporti i Dik Martit është në fakt një raport politik, që është dizajnuar të jetë raport politik. Mendoj se çelësi për ta kuptuar këtë dokument gjendet te fusnotat e raportit, ku shihet se faktet mbi hetimet atij i janë dhënë përmes raporteve të shërbimeve sekrete të katër shteteve të BE-së, kryesisht të Gjermanisë, Francës, Greqisë dhe Italisë. Askush nuk i jep këto raporte pa ndonjë lloj vendimi politik të këtyre shteteve.
Mendoj se ky është një mesazh i qartë për Kosovën se Kosova duhet ta ndërpresë politikën e saj të varësisë nga politika e SHBA-së dhe se ajo nuk do të tolerohet siç është bërë më parë – nëse ju kujtohet arrestimi i tre agjentëve të BND-së një apo një vit e gjysmë më parë. Kjo duhet të merret parasysh nëse lexohen mesazhet e raportit.
Askush nuk mund të thotë për momentin se a do të kemi ndonjë gjykim, apo ndonjë hetim zyrtar, por këto janë akuza shumë serioze politike të një autoriteti të lartë. Këto janë akuza të zhvendosura që do të mbesin për një kohë të pacaktuar, që do ta pengojnë Hashim Thaçin në të ardhmen dhe do ta pengojnë Kosovën nëse Hashim Thaçi vazhdon ta udhëheqë Kosovën për një periudhë të pacaktuar.
Kjo është diçka, në të cilën po llogarit Beogradi; nëse i lexoni deklaratat e Boris Tadiqit – ai ka thënë se do të vazhdojë të flasë me Hashim Thaçin, pavarësisht akuzave derisa të kemi verdikt zyrtar dhe dyshoj se do të kemi një lloj të këtij verdikti në të ardhmen e afërt.
Pra, mendoj se kjo pasqyron vlerësimin se do të ishte më e lehtë të zhvillohen negociata me Hashim Thaçin me këto akuza që rëndojnë mbi të, sepse ai do të mendojë se do ta rifitojë legjitimitetin e tij në Bashkimin Evropian prapë, nëse ai bën një marrëveshje me Serbinë.
Pra, çfarë mendoni se duhet të bëjnë autoritetet në Prishtinë? Cilat janë veprimet apo masat që ata duhet t’i ndërmarrin?
Mendoj se autoritetet në Prishtinë kanë një mundësi dhe kjo është të vazhdojnë dialogun me Bashkimin Evropian për bisedimet e ardhshme me Beogradin, duke e përfshirë perspektivën evropiane – mundësinë për ta nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim dhe liberalizimin e vizave në tërë kontekstin e dialogut.
Shumë njerëz në Prishtinë nuk do ta konsiderojnë këtë si këshillë miqësore, por jam i sigurt se nuk do të jetë e lehtë për Prishtinën të ecë në këtë drejtim me BE-në, duke pasur parasysh legjitimitetin, integritetin dhe besueshmërinë që Shtetet e Bashkuara kanë vënë në tërë projektin për këtë lloj pavarësie të Kosovës.
Së fundi ka pasur vlerësime të ndryshme se a do të duhej veriu të jetë një nga temat e bisedimeve. Cila është pikëpamja e juaj?
Parimisht, veriu i Kosovës do të jetë pika kryesore e bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, sapo të ketë përfunduar e ashtuquajtura pjesa teknike e dialogut, që ka të bëjë me kthimin e pronës, telekomunikacionin, njohjen e dokumentacionit, çështjen e CEFTA-s, atë të pasaportave, të regjistrave, çështjen e personave të pagjetur dhe kështu me radhë. Beogradi duhet ta ketë një përfitim nga ky dialog dhe kjo ka të bëjë vetëm me nivelin e autonomisë për veriun.
Beogradi ka, tashmë, de facto një kontroll mbi veriun dhe do të kërkojë vetëm një lloj legalizimi të kësaj. Mirëpo, nëse thellohen pasojat për Qeverinë e Kosovës pas raportit të Dik Martit, mund të rritet apetiti i Beogradit lidhur me shkëmbimet territoriale me Kosovën por nuk mendoj se do të ketë një rezultat të tillë në dy apo tri vitet e ardhshme. Ndoshta më vonë, por për momentin është vetëm një lloj spekulimi. Megjithatë, nëse lexoni raportin e fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave shihni se kjo është gjithashtu në tryezë.
Ju përmendet disa zgjidhje eventuale, si autonomia për veriun apo shkëmbimi i territoreve. A mendoni se vërtet ka hapësirë për kompromis ndërmjet të dy palëve nëse marrim parasysh deklaratën e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiq, i cili tha se Beogradi nuk do ta ndryshojë qëndrimin karshi pavarësisë së Kosovës?
Natyrisht! Beogradi nuk do të ndryshojë qëndrimin ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare ose njohjeve të mëtejmë. Por, nuk mendoj se dikush mund të presë tani që Kosova të marrë më shumë njohje me Hashim Thaçin si kryeministër, dhe me raportin e Dik Martit. Nëse lexoni shtypin në Gjermani, Zvicër apo Itali bëhet mjaft e qartë.
Pra, nuk mendoj se diplomacia serbe do të përpiqet fuqishëm t’i ndalë njohjet, sepse në fakt çdokush druan se njohjet nuk janë diçka, mbi të cilën duhet bazuar. Beogradi duhet ta mbajë qëndrimin e njëjtë ndaj Kosovës, sepse po qe se do ta ndryshonte atë, Kosova nuk do të kishte ndonjë motiv për të hyrë në dialog. Motivimi i vetëm për Kosovës është një lloj pranimi në rrymat ndërkombëtare.
Pra, Kosova nuk mund ta nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit; Kosova nuk mund të nënshkruajë marrëveshje për riatdhesim që është e nevojshme për liberalizimin e vizave. Përderisa pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur ende Kosovën, nuk do ta njohin atë, perspektiva evropiane e Kosovës do të largohet më shumë.
Comments are closed.
Shqiperia eshte e malkuar sepse shikoni :500 vjet Turqia,Princ Vidi,Haxhi Qamili Esat Pasha,Noli qe e rexoi Zogu me serbet e sot vazhdojne qe te jene heronjte e shqiperise[familja dhe Zogu] Enveri, Nano dhe se fundi i perjetshmi katundari dhe mund te thuash cdo epitet tjeter ,te keq kuptohet,Te dashur shqiptare Berisha eshte nga Vicidoli,me falni nuk dua te ofendoj njeri tjeter vec Sales nuk mund ta beje Shqiperine me mire se katundi i tij me kale apo shalqij,Pa le kur thote se eshte me i mire.Pra ai ka shteruar,nuk mund te beje me mire se kaq.Prapa tij tani jane vetem disa klane mafioze qe do ta plackitin Shqiperine deri ne kocken e fundit.Ka disa deputete qe i mbajne ison se ai ju hap dosjet dhe po e ndan vendin ne armiq dhe miq.Popullit tone i duhet dashuri me njeri tjetrin per te perballuar lufte qe na bejne serbet dhe te tjeret.Pse na duhen plehrat kur te gjithe e dime se me plehrat merrt vetem mafia,shikoni Napolin.Pra vendi duhet te shkoje ne zgjedhje te reja me qeveri teknike dhe po te fitoje prap Berisha hallall se ne do te kemi qeverine qe meritojme.Falemnderit