Koha Ditore në një tekst më të gjatë shkruan sot se vëzhgues të cilët kanë përcjellë procesin e rinumërimit të votave në QNR kanë konfirmuar se votat po manipulohen edhe në këtë qendër. Nga QNR-ja së fundmi janë larguar tre punëtorë, të cilët janë zënë duke shtuar dhe hequr votat e deputetëve gjatë rinumërimit.
Sipas gazetës, jo gjithçka është duke shkuar mirë në organizimin e zgjedhjeve nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Ky institucion përveç se nuk ka arritur t’i mbajë nën kontroll komisionarët, të cilët i certifikon vetë, gjithashtu nuk po mund t’i kontrollojë as punonjësit në Qendrën e Numërimit të Rezultateve, të cilët po manipulojnë me votat e deputetëve. Nga kjo qendër së fundmi janë larguar nga puna tre punëtorë, të cilët kishin bërë rinumërimin e votave të deputetëve. Arsyeja e largimit të tyre nga QNR-ja është se gjatë rinumërimit ata kishin shtuar-hequr votat e kandidatëve. Ndëshkimi i vetëm për punëtorët, të cilët ishin zënë duke manipuluar me votat ka qenë heqja e mëditjes, tregon burimi i gazetës brenda KQZ-së.
“Të premten e kaluar dy ose tre punëtorë të QNR-së janë larguar nga puna për shkak se janë zënë duke shtuar dhe duke i hequr votat e kandidatëve. Masa e vetme që është marrë ndaj tyre ka qenë heqja e mëditjes”, ka treguar burimi i gazetës. I njëjti burim ka bërë me dije se pazari me votat e deputetëve kishte filluar edhe më herët, atëherë kur KQZ-ja mori vendim që t’i rinumërojë 40 për qind të votave të 12 dhjetorit apo 760 kuti votimi. Edhe pse e kishte nisur këtë proces për t’i vërtetuar parregullsitë të cilat shumica kishin të bënin me votat e kandidatëve, dikush brenda QNR-së u kujdes që deputetëve të caktuar t’ua shtonte votat edhe gjatë rinumërimit. “Pasi janë rinumëruar 760 kutitë e votimit dhe ka filluar procedimi i tyre, në sistemin e të dhënave ka dalë se diçka nuk është në rregull me 120 kuti të votimit. Pas kësaj është dashur që të bëhej edhe një herë rinumërimi i këtyre kutive të votimit, sepse ka pasur kandidatë të partive të ndryshme që kanë pasur më shumë vota se vetë partia”, ka thënë një vëzhgues i njërës nga partitë që e ka monitoruar procesin e rinumërimit të dyzet për qind të votave, i cili ka preferuar të mos identifikohet.