Të hetohet si vepër penale me vete, hapja e zjarrit dhe dhuna mbi gazetarët për shkak të detyrës

24 Janar 2011, 17:51Politika TEMA
Të hetohet si vepër penale me vete, hapja e zjarrit dhe dhuna mbi

Gazetari Mahmutaj flet në celular kur snajperi qëllon. Plumbi i kap dorën e përfundon në kokën e protestuesit

Forumi Shqiptar për Mediet e Lira shpreh shqetësimin e tij rreth veprimeve kriminale të forcave të sigurisë, të cilat hapën zjarr më 21 janar mbi tavolinën ku vetë policia kishte vendosur gazetarët për të filmuar protestën e thirrur nga opozita. Rreth orës 15:00 në pasdite, një breshëri plumbash e lëshuar nga brenda kryeministrisë ka pasur objekt tavolinën ku ishin vendosur kamerat dhe gazetarët e disa redaksive, mes të cilëve Vizion Plus, Top Channel dhe ABC News. Nga ky sulm mbeti i vrarë një qytetar i rastësishëm që ishte ngjitur së bashku me gazetarët në tavolinën e punës dhe u plagos gazetari Fatos Mahmutaj, që punonte për stacionin ABC News. Po ashtu policia ushtroi dhunë dhe ka rrahur në krye të detyrës një gazetar të stacionit Ora News, gazetarin e gazetes  Shekulli, Ened Janina, si dhe gazetarin e Vizion Plus, Ardi Bita.

Forumi Shqiptar për Mediet e Lira shpreh shqetësimin për papërgjegjësinë me të cilën forcat e sigurisë janë sjellë ndaj medies në detyrë, e cila mbulonte një nga ngjarjet më të rëndësishme për momentin. Falë medies ajo që ka ndodhur më 21 janar është më e qartë për opinionin publik dhe më e lehtë për organet e drejtësisë për të hetuar.

Forumi Shqiptar për Mediet e Lira shpreh shqetësimin për gjuhën e urrejtjes që kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe disa deputete të Partisë Demokratike kanë shprehur ndaj gazetarëve që kanë dokumentuar të vërtetën e hidhur të vrasjeve më 21 janar dhe veçanërisht gazetarit Artan Hoxha të stacionit News 24, i cili ka mundur të filmojë skenën e dy vrasjeve. Në vend të falënderimeve për punën e tyre, gazetarët kanë marrë si shpërblim plumba, shkopinj gome dhe së fundmi një lumë fyerjesh nga drejtuesit kryesor të pushtetit politik në Tiranë.

Forumi Shqiptar për Mediet e Lira kërkon një hetim të thelluar për ngjarjet, ku të përfshihet si vepër penale më vete hapja zjarr mbi gazetarët dhe dhuna mbi ta si “goditje për shkak të detyrës”. Për fat të mirë ekzistojnë gjithë provat filmike që provojnë zjarrin e hapur mbi gazetarët dhe dhunën e ushtruar ndaj tyre.

Forumi Shqiptar për Mediet e Lira u bën thirrje po ashtu redaksive të cilave u janë keqtrajtuar gazetarët, apo që u janë rrezikuar të vriten nga hapja e zjarrit të bëjnë denoncimet e tyre pranë organeve të drejtësisë dhe të heqin dorë nga presioni mbi gazetarët për të mbyllur gojën ndaj kësaj situate të papërgjegjshme.

Rrezikimi i pozitës së reporterëve në kriza të tilla si ajo e 21 janarit, është një përpjekje për të frikësuar medien me qëllim fshehjen e të vërtetës për publikun. Kjo është dhe një goditje e rëndë për misionin e gazetarëve, ndaj i bëjmë thirrje qeverisë të marrë masa për sigurinë e jetës së gazetareve dhe të çojë vetë para drejtësisë gjithë ata policë që kanë ngritur shkopin e gomës kundër gazetarëve dhe kanë drejtuar pa përgjegjësi kallashnikovët mbi ta, duke plagosur dhe vrarë njerëz të pafajshëm.

Kryetari

Mero Baze

2 komente në “Të hetohet si vepër penale me vete, hapja e zjarrit dhe dhuna mbi gazetarët për shkak të detyrës”

  1. labi says:

    shpresoj qe jo vetem te ndiqen ligjerisht te gjithe ata burracake qe mbyllen ne kullen e kryeministerit,por shpresoj qe dhe Juve si Gazetare te mos terhiqeni,pasi kjo do te ishte vdekje e vertete e demokracise.

  2. orion says:

    pyes veten nese vrasja e gazetarit te ABC News ( nje tv afer qeverise ), do ta kishte forcuar tezen se vrasjet jane bere nga opozita.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje