Swoboda: Kosova nuk mund të lavdërohet me rrethanat e zgjedhjes së Pacollit

24 Shkurt 2011, 12:24Rajoni TEMA
Swoboda: Kosova nuk mund të lavdërohet me rrethanat e zgjedhjes

Kritika nga parlamenti evropian pas zgjedhjes së Behgjet Pacollit

Hannes Swoboda, njëri prej politikanëve më të ndikim në Parlamentin Evropian, kritikon ashpër rrethanat e zgjedhjes së Behgjet Pacollit në postin e kryetarit

Vjenë, 23 shkurt  – “Është thellësisht për të ardhur keq që Kosova ende nuk po gjen stabilitet politik”. Me këto fjalë i ka komentuar zhvillimet në Kuvendin e Kosovës me rastin e zgjedhjes së Behgjet Pacollit në postin e presidentit të vendit nënkryetari i fraksionit socialdemokrat në Parlamentin Evropian Hannes Swoboda. Ai ka thënë se Kosova nuk mund të lavdërohet me rrethanat në lidhje me zgjedhjen e presidentit të saj, aq më tepër pas zgjedhjeve tepër problematike. Në një njoftim të shpërndarë nga shërbimi për shtyp i Partisë Socialdemokrate të Austrisë thuhet se Swoboda ka kritikuar edhe faktin se deri më tani pothuaj nuk ka ecur fare përpara lufta kundër korrupsionit, njëra prej detyrave më të rëndësishme të Kosovës. Sipas Swobodës mbetet të pritet nëse presidenti i ri, i cili është biznesmen, do të sjellë gatishmërinë për luftë kundër korrupsionit. Swoboda, i cili është edhe kryetar i grupit punues për Ballkanin në Parlamentin Evropian, qortoi autoritetet e Kosovës se pothuaj nuk po përgatiten për bisedimet e nevojshme me Serbinë. Nëse Kosova dëshiron ta mbajë veriun e vendit, i cili është i dominuar nga serbët, atëherë forcat politike duhet të zhvillojnë ide të reja për autonomi dhe integrim. Swoboda shtoi se përballë gjendjes jostabile dhe grindjes në Shqipëri dhe Maqedoni Kosova duhet të punojë për t’i dhënë arsyetim dhe stabilitet pavarësisë së saj. Bashkimi Evropian mund të ndihmojë, por politikanët e Kosovës duhet të kryejnë urgjentisht detyrat e tyre, theksoi Swoboda.

1 komente në “Swoboda: Kosova nuk mund të lavdërohet me rrethanat e zgjedhjes së Pacollit”

  1. protesto says:

    Z. Swobodes, qeveria e presidenti i Kosoves nuk jane zgjedhur nga populli i Kosoves ,por Ato jane Vetzgjedhur. Nga ana tjeter ,popullit te Kosoves akoma pa iu thare akoma gjaku i derdhur luuume nga kriminelja pushtuese Serbi, u ndodh para nje tradhetije te madhe qe qeveria e vet, se ciles i besoi, i beri atij ,qe ne vend te ndertonte nje shtet te se drejtes, mendoi vetem per xhepat e vet dhe akoma me keq sic po shihet ,po e shet vendin e vet tek Serbia, armikja e popullit te vet. Kjo qeveri vetshpallur u bojkotua nga populli i kosoves.Kete gje e tregoi pjesmara teper e ulet e popullit ne votime. Une habitem kur Ju kerkoni te luftohet korrupsioni nga te korruptuarit qe e linden dhe e instaluan me deshire e vet ate korrupsion. Une mendoj dhe Ju lutem JUVE dhe gjithe komitetit nderkombetar ta ndihmoni si Kosoven ashtu edhe shqiperine ne ndertimin e demokracise per te cilen kane enderruar me shekuj keta dy popuj te ndare me dysh, sepse ato nuk munden vetem, pa ndihmen tuaj,sepse atje vepron ligji i gjuetise se shtrigave dhe eshte nje trysni e madhe nga mafia gangstere politike aty.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje