Dorëheqja 5-minutëshe e Thaçit

24 Shkurt 2011, 09:55Rajoni TEMA

UPDATE- Partia Demokratike e Kosovës të martën për disa minuta kishte mbetur pa kryetarin e saj, Hashim Thaçin. I pakënaqur dhe i revoltuar me zhvillimet që po ndodhnin në procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, Thaçi kishte dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në parti.

Ai këtë veprim e kishte ndërmarrë në pauzën 45-minutëshe të Grupit parlamentar të PDK-së, ndërmjet dy raundeve të votimit të Pacollit për president të Kosovës. Mirëpo, dorëheqja e tij nuk zgjati edhe aq shumë, rreth pesë minuta, sepse Thaçi i ra pishman dhe u rikthye në mbledhje, e natyrisht edhe në krye të partisë, kanë bërë të ditur burime të “Zërit” të afërta me Grupin parlamentar të PDK-së.

“Pas disa minutave që kishte lëshuar mbledhjen e Grupit parlamentar, Hashim Thaçi është kthyer, ku u ka thënë deputetëve se ai e di shumë mirë se cilët deputetë janë kundër Pacollit. Ai i ka kërcënuar ata se nëse në raundin e tretë nuk do të votojnë për presidentin e ardhshëm, ata më nuk do të jenë në listën e PDK-së, në rast të zgjedhjeve të reja”, ka thënë ky burim i gazetës.

Gjithnjë sipas këtij burimi, kërcënimi i Thaçit rezultoi të jetë i suksesshëm, gjë që u pa edhe pas kthimit të deputetëve të PDK-së, pas një pauze rreth njëorëshe, të cilët pastaj votuan që Behgjet Pacolli të jetë president i ardhshëm i Kosovës.

Mirëpo, një gjë e tillë mohohet nga zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës. Sipas tyre, Thaçi nuk u ka bërë kurrfarë presioni deputetëve të partisë që ta votojnë Pacollin për president.

Arsyetimi i përplasjeve

E tërë kjo ngjarje, përveç problemeve në raport me kushtetutshmërinë dhe imazhin e institucioneve, konsiderohet si faza e parë e hyrjes së PDK-së në krizë të brendshme.

Kjo u vu re edhe në përplasjet që ndodhën në Kuvend, mes kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili është sekretar i përgjithshëm i PDK-së, dhe liderit të kësaj partie, pas raundit të dytë të votimit.

Në këtë kohë, Krasniqi e akuzoi për shkelje të Kushtetutës dhe të Rregullores së punës imponimin e pauzës 5- minutëshe, e cila u kërkua formalisht nga nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, e që në fakt rezultoi me zgjedhjen e presidentit.

“Unë po i jap pesë minuta pauzë, por ta dini që kjo është shkelje e rezultatit, e Kushtetutës dhe e rregullores së punës të Kuvendit. Çdo ndryshim i rezultatit është i papranueshëm dhe është thjeshtë presion mbi deputetët”, ka thënë Krasniqi.

Mirëpo, një ndër kundërshtarët publikë të zgjedhjes së Pacollit për president, nënkryetari i PDK-së Fatmir Limaj, i ka konsideruar shenjë të zhvillimit të demokracisë mospajtimet e fundit në PDK.

Ai ka mohuar të jetë përballur me presione nga Thaçi dhe faktorët ndërkombëtarë për të ndryshuar qëndrimin. Kurse, rreth qëndrimeve të ndryshme brenda PDK-së, Limaj ka thënë se mendimi ndryshe brenda PDK-së është pjesë e demokracisë dhe askush nuk duhet të frikësohet nga kjo. Por, ky i fundit nuk ka preferuar të japë detaje rreth zhvillimeve në takimin e Grupit Parlamentar të PDK-së, gjatë pauzës, i cili rezultoi me ndryshimin e mënyrës së votimit të katër deputetëve të PDK-së.

Kurse kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, ka thënë të martën se nuk ka bërë presion as ai vetë, por as faktorët ndërkombëtarë për të ndryshuar votimin rreth kandidaturës së Pacollit. Sipas tij, kjo zgjedhje ka qenë legjitime dhe vendim i vetë deputetëve të Kuvendit.

Krizë apo demokratizim i PDK-së

Me gjithë zhvillimet e fundit në PDK, zyrtarët e saj vazhdojnë të deklarojnë se kjo parti në fakt po e avancon nivelin e demokracisë brenda saj, duke mohuar fraksionizimin e saj.

Blerand Stavileci, zëdhënës i PDK-së, ka thënë se gjithçka rreth zhvillimeve në seancën e së martës është përfunduar dhe tejkaluar në të. Sipas tij, në fakt, zhvillimet në këtë seancë kanë ndodhur në përputhje me deklaratat e mëhershme të zyrtarëve të PDK-së. “Natyrisht që këto janë procese, tek të cilat nuk është e thënë që gjithmonë përfaqësuesit e një subjekti të mendojnë njëjtë.

Kjo është pjesë e veprimeve dhe qëndrimeve të hapura dhe demokratike që ekzistojnë në të gjitha subjektet”, ka thënë Stavileci. Sipas tij, edhe në takimin e pauzës të Grupit Parlamentar të PDK-së, në të cilin ai nuk ka marrë pjesë, nuk ka pasur zhvillime siç janë raportuar nga mediet. “Gjithçka ka shkuar mirë dhe Grupi Parlamentar i PDK-së ka qenë unik, pasi që objektivi ka qenë që institucionet e reja të votohen”, ka thënë ai, duke shtuar se të gjitha zhvillimet tjera janë pjesë e mendimeve dhe qëndrime të ndryshme, por që kanë një synim të përbashkët.

“Tash ne shkojmë kah e ardhmja dhe PDK-ja gjithnjë është partia më unike, e konsoliduar dhe kompakte në Kosovë”, ka thënë Stavileci.

Ndërsa analistët politikë vlerësojnë se PDK-ja po ballafaqohet me përçarje brenda radhëve të vet. Analisti Avni Zogiani mendon se PDK-ja realisht po përballet me një krizë të brendshme.

Sipas tij, zhvillimet në seancën e fundit realisht tregojnë përçarjen që ekziston mes dy grupeve në PDK, kurse mosndarja e tyre, siç ka thënë ai, po shtyhet për një kohë tjetër. “Nëse ka seriozitet në krahun i cili mendon se në PDK ka një pushtet autoritar, besoj që të martën ka qenë rasti që z. Krasniqi do të duhej të ishte i vendosur në respektimin e Kushtetutës”, ka thënë Zogiani.

Sipas tij, aktualisht në PDK të dyja palët janë duke u shfrytëzuar nga ndërkombëtarët, me parimin “përçaj e sundo”.

“ZERI”

1 komente në “Dorëheqja 5-minutëshe e Thaçit”

  1. Dajti says:

    Bravo o kopje e kumbares tend Sali,sa mire po e imiton ne cdo hap te karjeres tende.Turp per ty dhe Krasniqet e tu qe shkelet mbi gjakun e Adem Jasharit e deshmoreve te tjere te Kosoves dhe cuat ne postin me te larte te shtetit dhenderrin e rusise, qe se ze gjumi naten per prosperitetin e Kosovos!

Comments are closed.

Lini një Përgjigje