Mustafa: 100 ditë afat qeverisë Thaçi

3 Mars 2011, 09:56Rajoni TEMA

Lidhja Demokratike e Kosovës më në fund ka thyer heshtjen. Partia më e madhe opozitare i ka dhënë 100 ditë “ultimatum” qeverisë së drejtuar nga Hashim Thaçi, për të parë se “çfarë po bën e çfarë po punon”. Kështu thotë në një intervistë dhënë për gazetën “Zëri” kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Sipas tij, kjo qeveri është e “përkohshme”, sepse siç shprehet ai, asaj përpos që i mungon legjitimiteti, ajo ka para vetes sfida të papërballueshme. Mustafa thotë se Kosova nuk ka nevojë që të futet në bisedime të shpejta me Beogradin. Ai është shprehur kundër një “Grupi të Unitetit” për bisedimet, që është propozuar nga AAK-ja.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që partia e tij ta dërgojë madje edhe tri herë para Gjykatës Kushtetuese çështjen e zgjedhjes së Pacollit në krye të shtetit. I pyetur se mos është ky insistim i LDK-së për ta “rrëzuar” me çdo kusht të sapozgjedhurin në postin e presidentit, si “hakmarrje” për Sejdiun, Mustafa ka thënë: “Jo, assesi. Kjo në asnjë rast nuk lidhet me ‘rastin Sejdiu”.

Do ta respektojmë mendimin e Kushtetueses

Zëri: Z. Mustafa, LDK-ja dhe AAK-ja të martën dorëzuan në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për interpretim lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit Pacolli. A do ta pranojë LDK-ja secilin verdikt që sjell kjo gjykatë?

Mustafa: Unë mendoj se është bërë një hap i qëlluar, meqenëse ka pasur vlerësime në Kuvend se është bërë shkelje e rregullores së Kuvendit dhe Kushtetutës gjatë procedurës së zgjedhjes së presidentit.

Një vlerësim i tillë është dhënë nga kryetari i Kuvendit, ne e kemi vlerësuar të arsyeshme që përgjigjen definitive për atë ta japë Gjykata Kushtetuese dhe është ajo e cila do të japë vendimin përfundimtar.

Ai do të jetë i pranueshëm për LDK-në dhe mendoj se duhet të jetë i pranueshëm për të gjithë ne.

Zëri: LDK ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Kushtetueses edhe lidhur me votimin që Pacolli ka bërë pasi është zgjedhur president. Pse nuk e keni bërë këtë në të njëjtën ditë?

Mustafa: Ne kemi menduar se është çështje e ndarë. Deputetët kanë vlerësuar se duhet ta kapin afatin tetëditor ashtu sikurse që është paraparë me Ligjin mbi Gjykatën Kushtetuese.

Lidhur me procedurat e zgjedhjes, kjo është një çështje e ndarë për të cilën ne nuk kemi akoma një qëndrim. Nuk kam parë se ka një qëndrim të caktuar në radhët e Grupit Parlamentar të LDK-së, kështu që mbetet një çështje që do të shihet më vonë…

“ZERI”

Lini një Përgjigje