Korrupsioni ka ngjashmëri me ujin, pasi nuk ka ngjyrë dhe erë të caktuar që e identifikon atë. Në Kosovë, megjithatë, duket se ekziston një erë e caktuar, e cila ndonëse nuk thuhet në publik, lehtësisht kuptohet nëse tregojmë se ka ministri të qeverisë së kaluar që kanë keqpërdorur paratë e popullit duke blerë letër të WC-së.
“Në organizatat shtetërore, një ministri ka paguar shumë më shtrenjtë të njëjtën letër të WC se sa ministri të tjera”, thotë shefi i operativës në Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë, ECLO.
Më tutje Bjornson, pa përmendur saktë se për cilën ministri flet, thotë se “në të gjithë botën ndodh që bizneset që shesin me shumicë, kanë çmime më të lira. Në Kosovë, ndodh e kundërta, kur ministritë blejnë mallra me shumicë, prapë po i kthehem letrës së WC-së, çmimi është më i shtrenjtë se sa kur blihet me pakicë”.
Në fakt, ajo që duket se ka harxhuar skajshmërisht durimin e ECLO-s, është mungesa e vullnetit të pushtetarëve kosovarë për të lejuar ndërtimin e një sistemi që me sukses e lufton korrupsionin, të cilitdo nivel.
Shefi i Operativës në ECLO kujton se 2 vjet ka zgjatur lobimi i Komisionit Evropian për të ndryshuar Ligjin e prokurimit, apo ligjin që merret me tenderët. Në fund, ndryshimet e propozuara për këtë ligj bien poshtë gjatë votimit në Parlamentin e Kosovës, në vitin 2010.
Ministrat lehtësisht i ikin përgjegjësisë
Komisioni Evropian mendon që nuk është aspak në rregull që tenderët të nënshkruhen vetëm nga zyrtari i prokurimit kur dihet qartë se zinxhiri komandues i tyre shkon deri në instanca të larta qeveritare.
Me fjalë të tjera, zyrtari i prokurimit mund të detyrohet nga një ministër që të nënshkruaj një tender i cili është në kundërshtim me rregullat, mirëpo në fund, përgjegjësia bie vetëm mbi zyrtarin e prokurimit, nënshkrimi i të cilit gjendet në dokumente.
Në anën tjetër, ministrat që kane detyruar shefat e prokurimit të bëjnë veprime joligjore, ikin lehtësisht nga përgjegjësia duke fajësuar zyrtarët e tyre që i dëgjuan.
Kjartan Bjornson për këtë thotë: “Në vendet e Bashkimit Evropian nuk ndodh ndonjëherë që një ministër të thotë – po, ka gjëra që kanë shkuar keq në ministrinë time, por është faji i stafit. Në vendet e tjera ka rregulla të qarta kur ministrat mbajnë përgjegjësi politike për çdo shkelje që ndodhin në fushën e tij apo të saj. Kjo nuk ndodh në Kosovë dhe ky është deficiti më i madh i situatës aktuale”…
“ZERI”