Rasti Pacolli, sa i ndërlikuar për nga ana kushtetuese-juridike, për aq më i ndërlikuar dhe sfidues mund të paraqitet për qëndrueshmërinë e institucioneve të reja të Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 12 dhjetorit.
Burime të besueshme nga Qeveria e vendit thonë se Pacolli ia ka bërë me dije kreut të PDK-së dhe partnerit të koalicionit, Hashim Thaçit, se nëse ai do të detyrohet që të ikë nga posti i presidentit për shkak të procedurave të çrregullta që e sollën atë në këtë post dhe shkeljes kushtetuese për shkak të votimit për qeverinë, ai do të nxjerrë AKR-në nga Qeveria.
Një hap i tillë do të çonte vendin pashmangshëm në zgjedhje të jashtëzakonshme, si në rastin e ikjes së ish-presidentit, Fatmir Sejdiu, i cili më pas me vete pati tërhequr nga Qeveria edhe LDK-në. Të njëjtat burime thonë se në rast që aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është i atillë që nuk i jep mundësi atij që të vazhdojë ushtrimin e postit të presidentit, Pacolli është shprehur haptas se nuk do të preferojë kurrsesi zëvendësimin e tij me një kandidat të ri për president nga AKR-ja.
Përderisa te rasti i ish-presidentit Sejdiu, ishte PDK-ja ajo e cila nuk pranonte që LDK-së t’i besonte edhe një mandat pesëvjeçar të presidentit pas largimit të Sejdiut, në rastin Pacolli, PDK, nënvizojnë këto burime, do të pajtohej që AKR-ja të vazhdonte të drejtonte postin e presidentit me një kandidat tjetër vetëm që kjo parti të mos tërhiqej nga qeveria.
Madje, edhe Pacollit, thuhet se do t’i ofrohej posti i zëvendëskryeministrit vetëm e vetëm që qeveria dhe koalicioni të mbeten të paprekura.
Për nga ana legale e legjitime, gjërat nuk shkojnë në favor të Pacollit, pavarësisht se për procedurat e zgjedhjes së tij besohet se do të fajësohet kreu i Kuvendit, i cili mban përgjegjësinë për drejtimin e seancave.
Ndërkaq, shkelja e Pacollit ka të bëjë me votën e tij për qeverinë pas betimit si president, ndonëse për këtë çështje ai nuk ka ende ndonjë padi në Gjykatën Kushtetuese nga ana e opozitës.
Gjithashtu, te rasti Pacolli thuhet se nuk do të ishte mirë që në çdo rrethanë dhe në çdo rast të përsëritet forma e largimit si në rastin e Sejdiut. Të njëjtat burime besojnë se opozita tani është më e fuqishme dhe do të insistojë që Pacolli në rast se duhet të përballet me këtë sfidë, të mos e ofrojë dorëheqjen siç bëri Sejdiu, por t’i nënshtrohet shkarkimit në Kuvend. Ndërkaq shkarkimi i një presidenti mund të bëhet vetëm me dy të tretat e votave.
Por, për Pacollin duket se ende ka një dritë në fund të tunelit. Të njëjtat burime kanë thënë po ashtu se ai dhe koalicioni kanë mbështetjen politike ndërkombëtare që të vazhdojnë tutje mandatin. Komuniteti ndërkombëtar është lodhur tashmë me krizën institucionale dhe paqëndrueshmërinë të institucioneve të shtetit më të ri.
Gjithashtu, pjesa evropiane e këtij komuniteti pret me padurim që të dëshmojë një sukses në diplomacinë e vet, duke nisur një proces dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me shpresën se do t’i arrijë disa efekte politike. Së pari, duke i ruajtur qëndrueshmërinë sado të brishtë të institucioneve të Kosovës, një pjesë e komunitetit ndërkombëtar synon që të ulë në tavolinë Prishtinën dhe Beogradin dhe nga dy vende me raporte armiqësore të arrijë një paqe çfarëdo qoftë ajo, por që siguron të paktën një bashkëpunim tej kufitar në fushën e luftimit të krimit të organizuar, ku implikohen të dyja shtetet.
Kurse premia e këtij dialogu, besohet të jetë çështja e veriut dhe ajo që komuniteti ndërkombëtar e cilëson si ofertë atraktive për veriun, e që për kosovarët po nënkuptohet si një status special për këtë pjesë. Duke e nxjerrë një autonomi për veriun, Brukseli besohet se do ta ndihmonte në radhë të parë Beogradin në rrugën e vet drejt BE-së dhe forcat politike përreth presidentit Tadiq, i cili duket të jetë i ende i vetmi politikan serb që preferohet sadopak nga ndërkombëtarët, pasi që pjesa tjetër e spektrit politik serb është e zhytur në nacionalizëm dhe ka një orientim pro-rus.
Duke i vërejtur tendencat e një pjese të faktorit ndërkombëtar që Tadiq dhe forcat rreth tij duke u fshehur pas dialogut me Kosovën dhe në krah të statusit të pjesës veriore të sigurojnë perspektivën evropiane dhe një mandat të ri qeverisës në Serbi, këto bisedime janë cilësuar si të dëmshme për Kosovën dhe ekskluzivisht të përgatitura vetëm për interesa të Serbisë.
Por, vrojtuesit e rrethanave politike në Kosovë e dinë se këto 11 vjetët e fundit, qëndrimet ndërkombëtare kanë mbizotëruar qëndrimet e politikës vendore.
Andaj, shpëtimi i këtij koalicioni dhe postit të Pacollit si president tani e tutje mbase mund të mbështetet kryesisht te mbështetja politike ndërkombëtare, e cila duket të jetë e lodhur me kosovarët dhe pranon çfarëdo institucione vetëm që proceset të mos zvarriten tutje.
Në të kundërtën, nëse politika nuk do të përzihej, çdo interpretim se Pacolli erdhi në krye të shtetit me procedura të çrregullta (madje edhe nëse vetë nuk është fajtor) nuk besohet se do t’i jepte atij shumë mundësi që të vazhdonte të mbante postin e presidentit të Republikës.
“ZERI”