Kosovë, qeveritarëve u “kontrollohen” lëvizjet

9 Mars 2011, 10:54Rajoni TEMA

Punonjësit qeveritarë nuk mund të bëjnë më asnjë hap pa u vrojtuar se për ku janë nisur dhe me kë janë në veturë. Kjo mbikëqyrje direkte u pamundëson zyrtarëve qeveritarë që të keqpërdorin veturat zyrtare për shkak se Ministria e Administratës Publike ka nisur implementimin e projektit me të cilin do të pajisë të gjitha automjetet e institucioneve të Republikës së Kosovës me sistemin GPRS, shkruan sot “Zëri”. Edhe pse me këtë projekt që nga fillimi janë bërë shkelje të mëdha ligjore me tenderë, duke u favorizuar kompania e cila nuk i ka përmbushur kriteret dhe ka falsifikuar dokumentacione, po kjo kompani do të instalojë GPRS-at të gjitha makinave zyrtare.
Me gjithë parregullsitë që janë evidentuar në dhënien e tenderit, projekti ka nisur. Instalimi i pajisjeve për monitorimin e veturave ka nisur në veturat e Ministrisë së Administratës Publike, ministri e cila edhe është nismëtare e këtij projekti për të vazhduar edhe me veturat e ministrive të tjera dhe të institucioneve të tjera të Republikës së Kosovës.
Projektin, sipas MAP-së është duke e implementuar kompania e cila e ka fituar këtë tender, “PBC Kosova”. Vlera e projektit, sipas zëdhënëses së MAP, Majlinda Lulaj është 187 mijë e 500 euro sipas çmimeve për njësi.
“Projekti GPRS është në proces të zbatimit. Instalimi i pajisjeve GPS parashihet të bëhet në të gjitha automjetet e institucioneve të Republikës së Kosovës. Automjetet e MAP-it janë të parat që tashmë kanë të instaluara GPS pajisjet, mirëpo vendosja e këtyre pajisjeve ka filluar tashmë dhe në veturat e institucioneve tjera”, ka njoftuar zëdhënësja Lulaj.
Sipas saj, varësisht nga kërkesat dhe marrëveshjet ndërinstitucionale, do të bëhet edhe renditja e institucioneve, në automjetet e të cilave do të bëhet vendosja e pajisjeve përkatëse.
Me këtë projekt, tenderin për të cilin pas shumë ankesave e ka fituar kompania “PBC Kosova”, parashihet që veturat të jenë të kontrolluara në mënyrë që të mos keqpërdoren. Veturat përveç që do të kontrollohen, do të ketë edhe ulje në shpenzimet e derivateve për veturat që shfrytëzohen nga zyrtarët qeveritarë.
Por, këtë projekt nuk e sheh si të arritur për institucionet qeveritare drejtori i organizatës për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, Avni Zogiani.
Sipas tij, në Kosovë mungon vullneti politik për evitimin e telasheve dhe me zgjidhje teknike sipas tij nuk mund të ketë efekt për ndonjë problematikë.

Lini një Përgjigje