Presidenca ka reaguar pas pakënaqësisë së shprehur nga partitë opozitare shqiptare në Maqedoni, për faktin se presidenti Topi kishte takuar vetëm ali Ahmetin. Presidenca ka thënë se ky takim nuk ka qenë i programuar, por i rastësishëm.
“Gjatë qëndrimit në Shkup, Presidenti Topi, nuk ka pasur asnjë takim të programuar me drejtues të partive politike shqiptare në Maqedoni. Takimi me zotin Ali Ahmeti, i cili ka ngjallur ndjeshmërinë e partive të tjera shqiptare në Maqedoni, ka qenë një takim rastësor i bërë në mjediset ku po zhvillohej ceremonia e përurimit të “Qendrës Përkujtimore të Holokaustit”. Gjithashtu me këtë rast, Presidenti Topi ka zhvilluar një bisedë telefonike duke u përshëndetur edhe me Kryetarin e PDSH-së, zotin Menduh Thaçi, i cili nuk ishte i pranishëm në këtë ceremoni.
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi gjithmonë ka inkurajuar e mbështetur bashkëpunimin e harmoninë mes forcave politike shqiptare në Maqedoni si faktorë stabiliteti e paqeje, edhe në rajon. Këtë qëndrim të njohur të tij, Presidenti Topi e përsëriti në të gjitha takimet zyrtare që pati gjatë qëndrimit të tij në Shkup. Çdo interpretim tjetër i takimit të rastësishëm me Kryetarin e PDI-së, Ali Ahmeti, është i pasaktë dhe nuk i kontribuon aspak frymës së vazhdueshme që Kryetari i Shtetit shqiptar ka përçuar për unitetin e faktorit shqiptar në Maqedoni, si kontribues i rëndësishëm i aspiratave integruese të vendit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.