Serbia po shpreson se do të jetë e gatshme për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian deri në fund të vitit 2015, por së pari një zgjidhje “kreative“ duhet të gjendet për Kosovën, ka thënë zëvendëskryeministri serb, Bozhidar Gjeliq, në një intervistë për “EurActiv”.
Ai, madje, e përmendi “modelin e Hong-Kongut” si një mënyrë për të zgjidhur çështjen.
Derisa përparimi i progresit të Serbisë drejt anëtarësimit në BE varet nga aftësia e saj për t’i zgjidhur problemet e saj me fqinjët e vet, Gjeliq tha se ai do të kërkojë një kompromis “kreativ” për kontestimin që Serbia ia bën pavarësisë së Kosovës.
Kur u pyet rreth kuptimit “të kreativitetit” në kontekstin e gjetjes së një zgjidhjeje, Gjeliq e përmendi modelin e dy Gjermanive nga viti 1972 dhe “modelin e Hong-Kongut”.
Sistemi i “dy Gjermanive” i lejoi Gjermanisë Perëndimore që të mos e njohë Gjermaninë komuniste Lindore derisa njëkohësisht mbante lidhje me atë shtet dhe madje edhe kishte themeluar një ministri të ngarkuar me lidhjet ndërgjermane, rikujton “EurActiv”.
Pas dorëzimit të ish-kolonisë britanike Hong-Kong Kinës, më 1997, ky vend u bë një rajon i posaçëm administrativ brenda Kinës. Kjo nënkupoton se territori i Hong-Kongut sundohet sipas parimit “një shtet, dy sisteme”, shton “EurActiv”.
“Një kompromis i tillë do të garantonte autonominë ekonomike dhe politike të Kosovës pa e rrezikuar integritetin territorial të Serbisë”, tha Gjeliq.
“Nuk mund të keni paqe afatgjate nëse e përkrahni njërin nacionalizëm përballë tjetrit. Është shumë më mirë që të përkrahet një lloj evropian i kompromisit që është i pakënaqshëm por funksional”, tha ai.
Gjeliq shtoi se Serbia është tashmë e gatshme të hyjë në dialog me Kosovën në lidhje me çështjet e përditshme, prej targave të veturave deri te vulat e doganave.
Bisedimet e para të drejtpërdrejta mes Kosovës dhe Serbisë kanë nisur këtë javë, më 8 mars, nën mbikëqyrjen e përfaqësueses së lartë të BE-së, Catherine Ashton.
Megjithatë, në intervistë për “EurActiv”, Gjeliq nuk dëshiroi të fliste në lidhje me njohjen e pavarësisë së Kosovës. “Serbia nuk duhet të detyrohet të zgjidhë mes Evropës dhe Kosovës”, tha ai./kohaditore/