Rezoluta miratohet pa opozitën

10 Mars 2011, 11:18Rajoni TEMA

Me 63 vota për, 48 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi ka miratuar rezolutën për bisedimet me Serbinë. Rezoluta është miratuar pa mbështetjen e opozitës.
Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, si propozuese e rezolutës, deputeti Adem Grabovci tha se dy takime me opozitën kanë dështuar që të rezultojnë me harmonizimin e tekstit të saj, andaj u kërkua nga Kuvendi që të votohet versioni i propozuar nga PDK-ja.
Paraprakisht, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj e cilësoi këtë dialog të dëmshëm për Kosovën. Po ashtu, edhe Visar Ymeri i Vetëvendosjes u pozicionua kundër bisedimeve.
Kurse grupi më i madh opozitar, ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk e ka mbështetur rezolutën, pasi që në tekstin e saj nuk janë përfshi propozimet e kësaj partie politike.
Rezoluta u tha se do t’i japë një rol shtesë Kuvendit në mbikëqyrjen e procesit të filluar të bisedimeve ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë.
Kuvendi i Kosovës kishte zhvendosur fillimisht votimin e rezolutës për bisedimet me Serbinë si pikën e fundit të rendit të ditës, shtyrje kjo që u nënkuptua në Kuvend si mundësi që bisedimet pozitë – opozitë rreth tekstit të kësaj rezolute të vazhdojnë.
Rezoluta për bisedimet me Serbinë është paraqitur të hënën si një përkufizim i vijave të kuqe për qeverinë e Kosovës, për temat të cilat nuk mund t’i bisedojë fare me Serbinë.

Lini një Përgjigje