Kosova dhe Serbia nuk janë të gatshme për dialog dhe rezultate substanciale
Mungesa e konsensusit të brendshëm politik në Prishtinë dhe Beograd dhe mosndryshimi i pozicionit të Serbisë rreth statusit të Kosovës, rrezikon përfundimin e shpejtë, pa sukses, të procesit të bisedimeve të nisur të martën në Bruksel.
Përkundër toneve optimiste të zyrtarëve të Bashkimit Evropian, për atmosferën e takimit të parë mes delegacioneve, tashmë në të dyja vendet janë shtuar presionet kundër këtyre bisedimeve. Për më shumë, është krijuar një bindje se në favor të këtij procesi dialogues nuk është as Kosova e as Serbia, por vetëm Bashkimi Evropian.
Gjithsesi, elitat politike qeverisëse në të dyja vendet dhe udhëheqësit ndërkombëtarë vazhdojnë të shpresojnë se ky proces, hap pas hapi, do të sjellë rezultate pozitive.
Ardian Arifaj nga Klubi për Politikë të Jashtme (KPJ) ka thënë se problemi me bisedimet të cilat po zhvillohen mes Kosovës dhe Serbisë qëndron te vështirësitë që ekzistojnë në të dyja shtetet, që të implementohen rezultatet eventuale të tyre.
“Qëllimi i këtyre bisedave është që të arrihen rezultate konkrete, e nëse nuk mund të arrihen rezultate të cilat do të implementohen prej palëve, atëherë ato do të jenë të kota”, ka thënë Arifaj. Sipas tij, në këtë fazë asnjëra prej palëve në bisedime nuk ka gatishmëri politike dhe as mbështetjen e popullatave në të dy vendet, që të ketë bisedime dhe rezultate konkrete për çështje të rëndësishme.
“Asnjëra palë nuk është e gatshme të arrijë ndonjë rezultat substancial. Mund të ketë pajtime për ndonjë çështje të veçantë, por të dyja palët nuk janë në gjendje të arrijnë diçka më të madhe, sepse nuk ka gatishmëri politike te asnjëra palë”, ka thënë Arifaj, duke shtuar se çështjet kontestuese mes Kosovës dhe Serbisë janë shumë të komplikuara, që të zgjidhen për një ose dy vjet.
Që pas takimit të parë, me gjithë optimizmin e shfaqur, kanë filluar edhe kontradiktat e para mes palëve, gjë që mund të rezultojë me bllokimin e procesit.
Shefja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë të mërkurën për RTK-në, se në qasjen e Beogradit vazhdon të ketë elemente të së kaluarës, duke shprehur pakënaqësinë e palës kosovare me përmbajtjen dhe rezultatin e bisedimeve…/zëri/