Miratohet ngritja e komisionit hetimor mbi mënyrën se si është drejtuar Kuvendi

17 Mars 2011, 15:07Politika TEMA
Miratohet ngritja e komisionit hetimor mbi mënyrën se si

UPDATE- Mazhoranca i ka hapur më në fund rrugë hetimit të Jozefina Topallit nga ana e opozitës duke marrë shkas nga kritikat e rënda drejtuar kryeparlamentares në raportin e fundit të Komisionit Evropian. Një vendim që pritet të ndezë debate dhe të rinisë një sulm serioz politik të opozitës në parlament ndaj numrit dy të Partisë Demokratike. Votat pro të mazhorancës ndaj këtij hetimi kanë qenë ndoshta një surprizë dhe për opozitën, e cila po e kërkonte me ngulm këtë komision që në dhjetor. Jo pak, por 116 vota pro ngritjes së këtij komisioni i kanë hapur kështu dritën jeshile opozitës që të hetojë veprimtarinë e Topallit si kryeparlamentare. Mbi të rëndojnë akuza për shpërdorim të detyrës në emërimin e njerëzve të administratën e Kuvendit, në menaxhimin jo të drejtë të buxhetit të Kuvendit e deri tek shpenzime të pajustifikuara prej saj, si dhe në keqpërdorimin e detyrës së kryeparlamentares për arsye politike duke ndërhyrë në mënyrë antiligjorë në dekretet e Presidentit apo në shkeljen e rregullores së Kuvendit në votimin e projektligjeve.

Në seancën e djeshme të Kuvendit u shqyrtua  ngritja e komisionit për hetimin e drejtimit dhe veprimtarisë së organeve drejtuese dhe shërbimeve të Kuvendit për periudhën shtator 2005 – dhjetor 2010, e kërkuar nga deputetët e opozitës. Komisioni hetimor i ngritur me 116 vota pro, 1 kundër dhe 4 abstenim do veprojë për 3 muaj dhe pritet të ketë në përbërje të tij 11 deputetë, 5 do t’i përkasin opozitës dhe 6 mazhorancës, kurse kryetari i komisionit, do të zgjidhet mes anëtarëve socialistë.  Sipas objektit paraprak që pritet të miratohet, nëse komisioni do të hetojë veprimtarinë e administratës së shërbimeve të Kuvendit, sipas kompetencave të përcaktuara në rregulloren e Kuvendit, ligjin për buxhetin, legjislacionin që rregullon statusin e deputetit dhe legjislacionin për ekzekutimin e buxhetit, etj.

“Hetimi i Byrosë së administratës së Kuvendit, në lidhje me përcaktimin e strukturës dhe organikës së administratës ndihmëse të Kuvendit dhe zbatimit të legjislacionit për shërbimin civil apo atij të punës në rekrutimin, transferimin apo ndërprerjen e marrëdhënieve të punës të personelit të administratës”, thuhet në kërkesën e dorëzuar nga PS-ja për komisionin hetimor.

Në këtë kërkesë thuhet më tej se do të hetohet edhe shitja e makinave të deputetëve dhe pasojat që ka pasur në buxhet një veprim i tillë. “Hetimi i funksionimit të stafit ndihmës të Kuvendit, puna që ata kryejnë dhe shpërndarja e punës në komisione, zbatimi i kërkesave ligjore për respektimin e procedurave në shqyrtimin e projektligjeve si dhe emërimet e Kuvendit në institucionet dhe entet në varësi të tij si dhe hetimi i integritetit dhe eficencës së sistemit të votimit elektronik të Kuvendit”, thuhet në kërkesë.

Komisioni do të drejtohet nga deputeti i PS-së Erjon Braçe, ndërsa anëtarë do të jenë Ilir Beqja, Saimir Tahiri, Damian Gjiknuri, Arben Isaraj. Nga PD-ja do të jetë Jemin Gjana, Edmond Spaho,  Arenca Trashani, Fatos Beja, Edi Paloka, Paulina Hoti.

2 komente në “Miratohet ngritja e komisionit hetimor mbi mënyrën se si është drejtuar Kuvendi”

  1. Elza says:

    Ky komision hetimor eshte me shumice PS apo PD ?

  2. Frederik says:

    Per Jozefinen nuk ia vlen te lodhesh e te shkruash se eshte nje cope injorante .

Comments are closed.

Lini një Përgjigje