Turku i arrestuar në Rinas është bërë i njohur vetëm kur u lirua nga Gjykata e Apelit. Policia nuk ka dhënë asnjë njoftim për arrestimin e tij. Alarmohen shërbimet inteligjente perëndimore dhe KLD për vendimin e Gjykatës së Apelit
Gjykata e Apelit në Tiranë ka lënë të lirë Abdulselam Turgut, një shtetas turk, i cili qenka arrestuar më 18 Shkurt në aeroportin e Rinasit për llogari të drejtësisë gjermane. Arrestimi i tij është mbajtur tepër sekret nga policia shqiptare, dhe kjo është një nga misteret që shpjegon dhe lirimin e tij.
Abdulselam Turgut përmendet si emër edhe në shtypin turk, në një operacion antidrogë të kryer në këtë vend. Sipas shtypit turk, Abdulselam Turgut është mes pesë emrave të tjerë, ku ka edhe shtetas shqiptarë, që janë nën hetim pasi sipas shtypit turk kishin bërë plane të fusnin një ngarkesë heroine edhe në Shqipëri, nëpërmjet një mjeti të ngarkuar me patate. Por ky plan ka dështuar pas arrestimit të një futbollisti, i cili u kap me 30 kilogramë heroinë.
Ja linku i lajmii i gazetës Hyrriet, që lidh këtë emër me disa shqiptarë të akuzuar për trafik droge në Turqi:
http://arama.hurriyet.com.tr/arsivnews.aspx?id=-50797
Një futbollist i Fenerbahçes me origjinë shqiptare, Ismail Çira është arrestuar nën akuzën e trafikut të drogës. Gjykata ka kërkuar deri në 30 vjet burg për shkak të pozitës që Çira ka pasur në trafikun e drogës. Në një rast tjetër në Stamboll janë arrestuar si bashkëpunëtorë të Çirës Musa Qazim Ay, Xhemail Pasmaçiu, Hekuran Hoxha, Fatmir Sofia dhe Abdulselam Turgut, të cilët po gjykohen të burgosur.
Më tej artikulli i Hyrriet shpjegon se si futbollisti Çira erdhi në Turqi dhe si u përfshi në trafikun e drogës.
Dyshimet pse policia ka mbajtur sekret arrestimin e trafikantit turk duket se lidhen me njerëz të fuqishëm në policinë e shtetit që kanë kontrollin mbi këtë linjë të trafikut të drogës. Shërbimet e inteligjencës perëndimore po hetojnë lidhjet e këtij grupi shqiptarësh me një nga drejtuesit më të rëndësishëm të policisë së shtetit, i cili ka urdhëruar mbajtjen në heshtje të arrestimit të këtij shtetasi turk në Rinas. Ka sinjale se nëse hetohet kjo linjë trafiku mund të zbardhen dhe disa enigma që lidhen me disa kurthe, në të cilat ka rënë policia shqiptare gjatë vitit të kaluar, kur në një rast u morën dhe katër jetë policësh.