Tadiç flet në mënyrë indirekte për ndarjen e Kosovës

28 Mars 2011, 08:13Rajoni TEMA

Liderët kosovarë jo vetëm se nuk po ftohen në takime zyrtare të niveleve të larta, por tash as në konferenca që organizojnë organizatat joqeveritare, ndonëse Kosova si temë përmendet në këto takime. Në „Forumin e Brukselit“, që është takimi më i rëndësishëm në vit nën organizim të Planit Marshall për Gjermaninë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe sivjet janë mbledhur një numër impresiv i zyrtarëve më të lartë, përfshirë kryetarin e BE-së, Van Rompuy, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Rasmussen, dhe dhjetëra shefa shtetesh dhe qeverish. Nuk është vërejtur të ketë qenë ftuar ndonjë zyrtar i Kosovës, ndërsa janë parë së paku dhjetëra përfaqësues nga Serbia, qoftë udhëheqës politikë, po ashtu edhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Serbia, raporton për Kohën Ditore korrespondenti i kësaj gazete nga Brukseli. I ftuar ka qenë edhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, i cili praninë në këtë konferencë e ka shfrytëzuar edhe për takime me liderë të ndryshëm botërorë. Tadiq të dielën ka marrë pjesë në një debat për Ballkanin dhe integrimet në BE së bashku me kryeministrin e Malit të zi, Igor Luhsiq, kongresistin amerikan nga  Ohio, Michael Tarner, dhe zëvendësdrejtorin e Zgjerimit të BE-së, Stefano Sanino. Ishte e çuditshme se as kësaj radhe nuk ishte i pranishëm askush as nga Kosova e as nga Bosnjë-Hercegovina, edhe pse këto dy vende u përmendën më së shumti në debat. Që në hyrje të debatit udhëheqësi i tij, gazetari i “New York Times”, tha se ka qenë në Mitrovicë në vitin 1999, kur ishte ndarë Mitrovica përgjatë lumit Ibër dhe ushtarët francezë nuk e ndalën një gjë të tillë, edhe pse kishin mundësi. Ai e pyeti presidentin e Serbisë, Tadiq, për idetë për ndarje të Kosovës dhe për shkëmbim territoresh. „Duhet nisur nga realiteti se, sikur shqiptarët që nuk e pranuan sovranitetin e serbëve, ashtu edhe shumica e serbëve në Kosovë, sidomos ata në veri të lumit Ibër, nuk e pranojnë sovranitetin e shqiptarëve“, tha Tadiq. Ideja për të „pranuar realitetin“ se serbët në veri nuk duan të udhëhiqen nga Prishtina po fiton gjithnjë e më shumë mbështetës edhe në BE. Edhe burime të afërta me dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit kishin sugjeruar më parë se, kur të vijë koha e diskutimeve për veriun, duhet „nisur nga realiteti“. Përfaqësuesi i Komisionit Evropian në këtë debat, Stefano Sanino, ish- ambasador i Italisë në Beograd, tha se „duhet shikuar sesi serbët në Kosovë të ndihen si në shtëpi të tyre dhe të njihen pjesë e shtetit të ri“. Por Tadiq tha se serbët në Kosovë „nuk janë kosovarë, por janë serbë“. Sanino tha se ishte mirë që „presidenti i Kosovës foli në veri me serbët në gjuhën serbe për herë të parë“. Duke thënë se Serbia nuk do ta njohë Kosovën, Tadiq u shpreh se nuk duhet bllokuar gjërat që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të njerëzve. Presidenti i Serbisë edhe një herë përsëriti atë që dëgjohet shpesh nga liderët e Serbisë se në Kosovë duhet gjetur „zgjidhje historike pas njëqind vjetësh mes serbëve dhe shqiptarëve“. „Zgjidhje nuk mund të jetë nëse njëra palë fiton gjithçka e pala tjetër humb gjithçka“, tha Tadiq.   Me thënie të tilla serbët çojnë sinjale se kinse në negociatat për status „Kosova ka fituar gjithçka, ndërsa Serbia ka humbur gjithçka“, duke injoruar kështu faktin se Pakoja e Ahtisaarit ka qenë një kompromis jo edhe aq i lehtë për Kosovën. Në debat Tadiqit i është drejtuar edhe një pyetje se kur takohet me përfaqësuesit e Kosovës „a i sheh para vete kosovarët apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës?“. Tadiq, duke  buzëqeshur tha: „Buzëqeshja ime është edhe përgjigje“, por më vonë u orvat të përmirësohet dhe shtoi se „i shoh kosovarët, por shoh edhe ndërhyrje nga jashtë“.  Tadiq tha se Serbia mbështet integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës dhe është në favor të pajtimit në rajon. I pyetur se „a e kuptojnë dhe e pranojnë në Serbi se çfarë ka ndodhur në të kaluarën?“ presidenti i Serbisë tha se „kuptohet, por jo nga të gjithë në Serbi“.  Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Nilas Dzurinda, vendi i të cilit nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, tha se në BE mbështetet fuqishëm jo vetëm dhënia e statusit të kandidatit për Serbinë këtë vit, por edhe nisja e negociatave të anëtarësimit me Serbinë dhe me Malin e Zi. Dzurinda tha se për këtë qëllim tashmë ka bashkëpunim të vendit të tij me Serbinë.

“KD”

1 komente në “Tadiç flet në mënyrë indirekte për ndarjen e Kosovës”

  1. lira says:

    Ka te drejte ministri i jashtem i Sllovakise qe te mos e njohe Kosoven. Populli Sllovak ka shume ngjashmeri me popullin cek dhe prerserii desh by.. te ndaheshin dhe Evropa e perkrahu dhe u ndane. Ku serbet e ku shqiptaret, dhe legeni sllovak nuk e njeh Kosoven . Por te keqen e kemi brenda. Politikanet tane andej dhe ketej kufirit jane ne nivele ordinere( ku te vjedhin dhe plackisin-kush i del perpara dhe e vrasin, te shesin vendin dhe interesat e kombit) dhe nuk e kane haberin si te ndertojne strategji kombetare.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje