Hashim Rexhepit dhe ish-kolegëve të tij pritet t’u rëndohet barra e akuzave. Përveç pesë veprave për të cilat qe arrestuar në korrik të vitit të kaluar dhe falimentimit të kompanisë së sigurimeve “Kosova” ndaj ish-guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës dhe disa ish-zyrtarëve ndërkombëtarë është ngritur kallëzim penal edhe për falimentim të qëllimshëm të Bankës Kreditore të Kosovës. Kallëzimi është ngritur nën dyshimin se falimentimi dhe mbyllja e bankës është bërë me qëllim të plaçkitjes së parave të deponuara përfshirë edhe 15 milionë euro të Postës dhe Telekomit të Kosovës.
Sipas këtij kallëzimi, një kopje të të cilit e ka siguruar gazeta, përgjegjësit për mbylljen e kësaj banke në vitin 2006, janë Donat Branger, ish-drejtor i përgjithshëm i Autoritetit Bankar dhe i Pagesave, David Weatherman ish-drejtor i Bankave dhe i Sigurimeve në ABPK, Thomas Turula, ish-drejtor i Sigurimeve në ABPK, si edhe Hashim Rexhepi, ish-drejtor i Sigurimeve në Kosovë.
Në kallëzim përmendet një plan për falimentimin e të gjitha bankave komerciale të Kosovës dhe të kompanive të sigurimeve. Policia dyshon se ky grup zyrtarësh planifikonin që në treg të operonin vetëm dy banka me kapital të huaj, ProCredit Bank, Raiffeisen Bank, dhe ajo vendëse Banka Ekonomike, përfshirë edhe kompaninë “Siguria”, ndërsa bankat e tjera si Banka Kreditore e Kosovës, Banka Private e Biznesit dhe Kasabanka planifikohej të mbylleshin me qëllim përfitimi. Në kallëzim sqarohet se falimentimi i këtyre bankave pritej të bëhej sikurse kishte ndodhur me kompanitë e sigurimeve “Kosova” dhe “Drini”.
“Ish-zyrtarët e Autoritetit Bankar dhe të Pagesave të Kosovës kanë planifikuar dhe zbatuar një plan për falimentimin e Bankës Kreditore të Prishtinës”, thuhet në kallëzim. Ky kallëzim tashmë ka kaluar në duart e Prokurorisë Speciale.
Ndërkohë, të mërkurën pritet të shpallet aktgjykimi kundër ish-udhëheqësve të Bankës Kreditore të Prishtinës. Policia thotë se falimentimi i Bankës Kreditore të Prishtinës është kryekëput i qëllimshëm pasi, sipas pretendimeve të hetuesve, kjo bankë ishte në gjendje shumë më të mirë sesa Banka Private e Biznesit dhe “Kasabanka”. Në kallëzim thuhet se BKP-ja pritej të blihej nga Nova Ljublanska Banka, mirëpo me ndërhyrjen e zyrtarëve ndërkombëtarë ata ishin larguar nga kjo bankë për të hyrë në negociata pastaj me “Kasabankën”.
“Banka Kreditore pritej të shpëtohej nga falimentimi si rezultat i hyrjes në biznes të Bankës së Re të Lubjanës. Zyrtarët e lartë të BQK-së kanë pasur për qëllim shkatërrimin e saj”, thuhet më tej.
“Grupi i zyrtarëve të lartë në një periudhë të gjatë ka zhvilluar korrupsion institucional në Kosovë fillimisht me shoqëri të sigurimeve, duke shkaktuar qëllimisht falimentimin e tyre, siç janë kompanitë ‘Drini’ dhe ‘Kosova’ dhe në fund edhe ‘Dardania’ duke vazhduar me falimentimin e qëllimshëm të bankave komerciale”. Grupi kishte për qëllim që të falimentonte sistemin bankar me kapital vendës dhe ta fuste vendin në krizë financiare”, thuhet në arsyetimin e kallëzimit penal.
Në kallëzim penal përmendet edhe konfiskimi i materialeve në Bankën Kreditore pa procesverbal dhe pa praninë e pronarëve apo avokatit të saj. Aty përmendet konfiskimi i kasafortës me dokumente zyrtare e cila ishte dërguar në Gërmi dhe ishte hapur në mënyrë të dhunshme. Banka Kreditore e Prishtinës pak kohë para se të mbyllej si partner strategjik kishte gjetur Bankën e Re të Lubjanës, mirëpo në ditën kur ishte bërë marrëveshja në mes të këtyre dy bankave që parashihej që ajo nga Sllovenia t’i blinte 51% të aksioneve, kishin ndërhyrë të lartpërmendurit në të njëjtën ditë më 10 mars 2006 duke ia marrë licencën bordi i AQBK-së kësaj banke. Licenca kësaj banke i ishte marrë pa nënshkrimin e ish-kryetarit të Bordit të BQK-së, siç kërkohet me ligj por vetëm me nënshkrimin e ish-drejtorit Mitchell Stivens.
Nuk lejohen investimet e huaja
Ndërkohë që pritet shpallja e aktgjykimit, aksionarët e Bankës Qendrore të Kosovës shpresojnë të gjejnë partnerë për rikthimin në treg të bankës me një emër tjetër. Megjithëse kanë gjetur partnerë, Banka Qendrore e Kosovës dhe likuidatori nuk kanë shprehur interesim për ta lejuar një gjë të tillë.
Hisedarët e BKP-së në janar të këtij viti u kanë çuar letër drejtuesve të BQK-së nëpërmjet së cilës kanë kërkuar që të shqyrtohet dhe të ndryshohet vendimi i para pesë vjetëve për revokimin e licencës. Aksionarët e Bankës Kreditore të Prishtinës, përveç kësaj, i kanë kërkuar kreut të BQK-së, Gazmend Luboteni, u.d. të guvernatorit Gani Gërguri, si dhe Nexhat Kryeziut, zv.guvernator për mbikëqyrje e licencim, që të pezullohet çfarëdo veprimi i mëtejmë për ndryshimin e statutit të BKP-së apo për kryerjen e ndonjë transaksioni eventual pa bërë marrëveshje me hisedarët e kësaj banke apo para se çështja të jetë e trajtuar nga gjykatat. Mirëpo, zyrtarët e BQK-së nuk i kanë kthyer përgjigje.
Liman Beka, likuidator aktual i Bankës Kreditore, ka thënë për gazetën se kësaj banke nuk mund t’i jepet njëherë për njëherë licenca nga Banka Qendrore pasi, sipas tij, ka detyrime.
Hisedarët e kësaj banke u kanë shkruar drejtuesve të Bankës Qendrore se totali i mjeteve që aktualisht ka Banka Qendrore shkon në 31 milionë e 761 mijë euro. Ndërsa 21 milionë e 701 mijë prej tyre janë obligime që duhet t’i kryejë Banka Kreditore, e cila detyrohet që vetëm PTK-së t’ia kthejë edhe 12 milionë e 491 mijë euro.
Këta aksionarë kanë gjetur partnerë strategjikë ndërkombëtarë për blerjen e BKP-së me të gjitha detyrimet e saj. Një kompani zvicerane me shtrirje ndërkombëtare në tregun bankar dhe atë të sigurimeve ka shprehur interesim për blerjen e bankës. Por që në start, kësaj kompanie i ishin kërkuar 20 mijë euro nga ish-likuidatori, Pashk Mirashi, në emër të “shpenzimeve për stafin”.
Në një letër konfidenciale drejtuar ish-guvernatorit të BQK-së, Hashim Rexhepi, nga përfaqësuesi i kompanisë “Loreto Consult AG” nga Zvicra për nisjen e procedurave për të investuar në BKP tregohet interesimi i madh i kësaj kompanie për të investuar në tregun bankar.
“I dashur z. Rexhepi, siç keni qenë i informuar në e-mailin e datës 30.10.2009 unë kam paralajmëruar se më 3 nëntor 2009 do të jem në Kosovë. Me këtë e-mail kam kërkuar një takim me ju, i autorizuar nga z. Nauer Jascues drejtor i kompanisë ‘Loreto Consult AG’, në mënyrë që t’i qartësojmë procedurat e auditimit që ne i kemi pranuar nga likuidatori i Bankës Kreditore, Pashk Mirashi”, thuhet në këtë letër, një kopje të së cilës e ka siguruar gazeta.
“Në përgjigje të letrës së datës 13. 10 2009 ju informojmë se më 2 nëntor ne do të fillojmë auditimin e Bankës Kreditore të Prishtinës, sipas kërkesës dhe aranzhmaneve paraprake me ju që të fillojë ky proces sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë me tej për ta njoftuar Rexhepin se likuidatori i Bankës, Pashk Mirashi, i arrestuar disa javë në parë në Gjakovë për dyshime për vepra penale të krimeve ekonomike, nëpërmjet një letre i kishte kërkuar 20 mijë euro “për shpenzime të stafit”.
Rexhepi nuk i pret investitorët
Zvicerani më tej shton se duke qenë përfaqësues i interesit të Nauer Jascues, drejtor i kompanisë ‘Loreto Consult AG’ për të blerë Bankën Kreditore thotë se ka kërkuar më anë të pastës elektronike që t’i qartësohen dy gjëra: a është kërkesa e Mirashit për 20 mijë euro e bazuar në rregulloret e BQK-së, apo “është mesazh se ne nuk duhet të vijmë në Kosovë”. Por as këtë sqarim nuk ia kishte dhënë Rexhepi.
Ai ka treguar se në Kosovë ka ardhur më 2.11.2009 pasdite dhe më 3.11.2009 ka dërguar e-mail në adresë të BQK-së duke kërkuar kërkuar takim me Hashim Rexhepin. Ai madje kishte thirrur edhe në telefon disa herë për të caktuar një takim. Vetëm pas orës 14:00 të asaj dite asistenti i Rexhepit e kishte informuar se nuk kishte kohë për takim duke e shtyrë për një ditë më vonë, mirëpo Rexhepi nuk e kishte takuar.
“Nëse me të vërtetë BQK-ja dëshiron të hyjë në negociata për protofolion e Bankës Kreditore të Prishtinës por informatat që ne i kemi marrë po krijojnë konfuzion të z. Nauer rreth interesit të tij për Bankën Kreditore”, ka thënë ai duke shprehur opinionin e tij se investitori zviceran ka pasur qëllime serioze për tregun financiar dhe bankar në Kosovë, posaçërisht për Bankën Kreditore.
“Me mirësjellje ju lus që të jepni opinionin tuaj për këtë çështje qoftë edhe jashtë rregullave, sepse konfuzioni i z. Nauer ka krijuar pasiguri dhe ardhja ime veçanërisht për këtë çështje nga Zvicra tregon interesin tonë serioz për Bankën Kreditore të Prishtinës”, ka thënë përfaqësuesi i kompanisë, Thomas Mitsouis.
Gazeta ka kontaktuar të martën ish-guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, i cili ka thënë se nuk i kujtohet të ketë marrë letër nga kjo kompani.
“Nuk më kujtohet tash saktë. Ata nuk kanë çka të diskutojnë me BQK-në, por me likuidatorin. Kjo është e rregulluar me ligj dhe i ka kompetencat me ligj”, ka thënë ai pa dashur të fliste rreth kallëzimit penal të ngritur nga policia. Ndërkaq, gazeta nuk ka arritur të kontaktojë me Pashk Mirashin.
Policia e Kosovës ka ngritur edhe një tjetër kallëzim penal kundër ish-zyrtarëve të BQK-së për falimentimin dhe likuidimin e kompanisë së sigurimeve “Kosova”. Ajri Begu, kryetar i Bordit, Mohamed Bouaouaja, drejtor menaxhues, David Weatherman, zëvendësdrejtor për mbikëqyrje financiare, si dhe Tom Turulla, Hashim Rexhepi dhe Ibish Mazreku, të cilët kanë drejtuar Departamentin e sigurimeve në periudha të ndryshme qëndrojnë në krye të një piramide për shkatërrimin dhe shitjen me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të aseteve të “Kosovës.
“KOHA DITORE”