Limaj: Paska reaguar Qeveria?

18 Mars 2011, 10:37Rajoni TEMA

Fatmir Limaj nuk e dinte të enjten që Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar për lëshimin e fletarrestimit për të dhe arrestimin e nëntë ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
“Pse a ka reagu Qeveria, a?” është përgjigjur ai në një konferencë për media të thirrur në orën 18:00 në selinë e PDK-së në Prishtinë.
Ani se kishte kaluar më shumë se një orë nga reagimi dhe më shumë se 24 orë nga nisja e aksionit të Policisë së EULEX-it për arrestimin e 12 personave, përfshirë edhe nënkryetarin e parë të PDK-së, Limaj është shprehur të mos ketë dijeni që Qeveria ka lëshuar ndonjë rresht reagues. Ish-komandant Çeliku i dyshuar për krime lufte ka thënë se Qeveria e Kosovës ka pasur punë më të rëndësishme.
Tek pasi ka dalë në konferencë edhe partia, nënkryetar i së cilës është ai, ka reaguar, e pak më vonë Presidenca.
“Unë këtë tash e mora vesh që ka reaguar Qeveria. Te PDK-ja nuk kisha thënë… që sigurisht kemi qenë shumë të preokupuar si parti. Për Qeveri tash dëgjova, po kanë punë më të rëndësishme”, ka thënë ai duke i shkuar buza në gaz.
Ish-ministri i Transportit në një konferencë për media ka thënë të mos ketë dijeni se çfarë akuzash rëndojnë mbi të. Krejt çfarë di, ka thënë se ka mësuar nga mediat. Ani se e ka pranuar se ka pasur takim me zëvendësshefin e EULEX-it dhe prokurorë të këtij misioni, Limaj ka thënë se nuk ka marrë asnjë gjë nga ky mision. Mirëpo ai ka ripërsëritur gatishmërinë për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe për të hequr dorë nga imuniteti, i cili e ka shpëtuar të mërkurën nga arrestimi.

“KD”

Lini një Përgjigje