Bordi i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, në mbledhjen e rregullt të tij, që mbajti sot më 15 mars 2011, shqyrtoi dy ankesa.
Ankesa e parë e dorëzuar në KMSHK, më 20 shkurt 2011, nga Zyra Ligjore e Aleancës Kosova e Re, kundër gazetës “Koha Ditore” ka të bëjë me kolumnet e saj të botuara më 15 shkurt dhe 18 shkurt 2011, ku si bazë për komentet e bëra është përdorur intervista që z. Behxhet Pacolli, që i kishte dhënë gazetës kroate “Globus” më 26 nëntor 2010 me titull: “Do të bëhem Titoja i Kosovës”. AKR-ja në ankesën e saj pretendon se titulli i lartpërmendur nuk përkon me përmbajtjen e intervistës, respektivisht se z. Behxhet Pacolli asnjëherë nuk kishte thënë se ”do të bëhet Tito i Kosovës”. Disa muaj pas publikimit fillestar të intervistës, revista “Globus” ka hequr titullin në fjalë, duke iu përgjigjur reagimit të këshilltarit të z. Pacolli dhe duke pranuar se titulli ishte formuluar nga redaktori i revistës në fjalë.
Pas diskutimit dhe të kërkesës së ankuesit që KMSHK-ja të bëjë shqyrtim për titullin: “Do të bëhem Titoja i Kosovës”, anëtarët e Bordit të KMSHK-së vlerësuan se gazeta “Koha Ditore” vetëm ka bërë ripublikimin e titullit si dhe ka komentuar pjesët e kësaj interviste të publikuar më parë në revistën kroate “Globus”, prandaj bordi mendon se këtu nuk ka shkelje të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës. Për më shumë, “Koha Ditore” ka publikuar të gjitha reagimet e AKR-së në pajtueshmëri me Kreun IV (E drejta për t`u përgjigjur) të këtij Kodi.
Bordi i KMSHK-së, shqyrtoi edhe ankesën e dytë, që ka arritur më 2 mars 2011, nga Zyra e Presidentit të Kosovës, Behxhet Pacolli, gjithashtu kundër gazetës “Koha Ditore”. Ankesa pretendon se “Koha Ditore” në tekstin me titull: “Do ta bëj Kosovën komb multietnik” të datë 25 shkurt 2011, nuk ka ribotuar me saktësi pjesët nga intervista që Presidenti Pacolli i kishte dhënë web portalit zviceran www.siwssinfo.ch, duke bërë disa gabime në përkthim.
Duke u bazuar në natyrën e ankesës, KMSHK-ja angazhoi përkthyes profesionalë të gjuhës italiane dhe asaj gjermane, pasi që intervista e z. Pacolli ishte botuar në të dyja këto gjuhë me të cilat zyrtarisht komunikon portali www.swissinfo.ch. Përgjigjja e gazetës “Koha Ditore” është se teksti i saj është i bazuar në versionin e publikuar në gjuhën gjermane, gjersa në ankesën e tij, ankesa bazohet në versionin e gjuhës italiane. Dallimi esencial qëndron në fjalën: ‘dolore” (italisht) që përkthehet si “dhembje” dhe “greueltaten” (gjermanisht) që në shqip përkthehet “mizori”. Fjalia e plotë është: “ Lufta ka shkaktuar dhembje në të dyja anët” (versioni italisht), gjersa versioni gjerman është: “Lufta ka shkaktuar mizori në të dyja anët”.
Pas diskutimit, bordi i KMSHK-së, vlerësoi se gazeta “Koha Ditore” nuk ka shkelur Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës, sepse është bazuar në njërin nga versionet zyrtare të portalit www.swissinfo.ch, versionin në gjuhën gjermane, të cilin e përdor korrespondenti i saj.
Gjithashtu, si pjesë e kësaj ankese, Bordi shqyrtoi edhe pjesën e ankesës të Zyrës së Presidentit Pacolli ndaj tekstit me titull: ”Presidenti votoi qeverinë-shkeli Kushtetutën”, të botuar më datë 27 shkurt 2011 në “Koha Ditore”. Gazeta në fjalë ka botuar mendimet e ekspertëve juridikë lidhur procedurën e zgjedhjes së qeverisë në seancën e parë plenare të Kuvendit të ri të Kosovës, çka paraqet të drejtën e mediave për të raportuar mbi një ngjarje publike me interes të përgjithshëm çfarë ishte edhe votimi i qeverisë së re.
Duke u bazuar në të dyja këto konkludime, bordi i KMSHK-së, konstatoi se në të dyja këto ankesa nuk gjenden shkelje të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.