Delegacioni kosovar, i udhëhequr nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, dhe ai i Serbisë, i udhëhequr nga Borko Stefanoviq, do të takohen në fillim të javës së ardhshme në një takim tjetër dyditor. Raundi i dytë i bisedimeve do të përfshijë temat e raundit të parë, siç janë vulat e Doganave të Kosovës, dokumentet kadastrale, trafiku ajror dhe pjesëmarrja e Kosovës në nismat rajonale, si dhe do të hapë dy tema të reja.
Të hënën, kur pritet të ndodhë takimi i raundit të dytë, do të flitet edhe për energjinë elektrike, e nëse ka mundësi edhe për lirinë e lëvizjes.
Burime të gazetës në Bruksel kanë thënë se nga temat e raundit të parë, bisedimet do të fokusohen posaçërisht në çështjen e regjistrave civilë, ku është vërejtur mundësi progresi dhe marrëveshje eventuale.
Takimi i raundit të dytë qe paraparë që të zhvillohej më 24 dhe 25 mars, por disa probleme teknike kanë bërë që takimi të shtyhet për 28 dhe 29 mars. Të enjten dhe të premten e ardhshme, ndërtesa e Këshillit Evropian, ku edhe ndodhet zyra e lehtësuesit të bisedimeve Robert Cooper, do të jetë e zënë nga ministrat e 27 shteteve anëtare të BE-së, në një takim ministror të Këshillit.
Posi që të shtunën dhe të dielën nuk mund të pritet që delegacioni kosovar dhe ai serb të takohen, “ka shumë gjasa që një gjë e tillë të ndodhë të hënën”, i ka thënë gazetës në kushte anonimiteti një zyrtar evropian.
Duke e zhvendosur takimin e radhës për të hënën e ardhshme, zyrtarët e BE-së i kanë ikur edhe një koincidence të palakmueshme. 24 marsi është përvjetori i nisjes së bombardimeve të NATO-së mbi ish- Jugosllavinë.
Energjetika vlerësohet të jetë një nga fushat ku Kosova dhe Serbia kanë probleme të konsiderueshme. Përveç moskontrollimit të transmisioneve të energjisë në nivel ndërkombëtar, autoritetet e energjisë elektrike në Kosovë që nga paslufta nuk kanë qasje në pjesën veriore të vendit dhe nuk mund të marrin paratë për energjinë e shpenzuar atje.
Zëdhënësja e KOSTT-it, Zana Bajrami-Rama, ka thënë të jenë në gatishmëri për ofrimin e dokumentacioneve dhe të ekspertizës në rast të dialogut me Serbinë për çështjen e transmisionit.
Transmisioni serb i ka shkaktuar miliona humbje transmisionit të Kosovës dhe në përgjithësi Kosovës, Operatori i Transmisionit të Serbisë (EMS) pa ndonjë bazë ligjore prezantohet si pronare e aseteve transmetuese të Kosovës, dhe në këtë mënyrë përfiton nga transiti i energjisë elektrike nëpër Kosovë, si dhe nga shitja e së drejtës së shfrytëzimit të linjave interkonektive.
Korporata Energjetike e Kosovës gjithashtu që nga përfundimi i luftës nuk ka pasur qasje në Veriun e Kosovës. Korporata e vetme që është përgjegjëse për furnizim me energji elektrike në tërë territorin e Kosovës nuk ka arritur të lexojë njësorët në vendet e banuar me serbë. Në pamundësi për leximin e njësove, KEK-u ka bërë llogaritjen e borxhit nga daljet 10 kilovoltë. Sipas zyrtarëve të KEK-ut, borxhi që ajo pjesë i ka kësaj ndërmarrjeje është mbi 100 milionë euro.
Comments are closed.
SERBIA ME ANE TE KETYRE PSEUDO BISEDIME DO HYJE NE B;EUROPIANE POPULLE QEVERI IDIOTESH