“Diplomacia shqiptare degradoi përfundimisht më 21 janar”

4 Prill 2011, 09:45Politika TEMA

Flet ish-diplomati shqiptar Dritan Hila

 

-Ministria e Jashtme, nëpërmjet një qarkoreje, ka udhëzuar ambasadorët se si t’i interpretojnë ngjarjet e 21 janarit, madje duke nxjerrë edhe përfundime hetimore. Në këtë datë, ju keni qënë në punë, a jeni njoftuar apo keni pasur dijeni për hartimin e këtij udhëzimi?

 

Ashtu siç konstatoni edhe ju, në datën 21 janar, unë kam qenë ende diplomat pranë kësaj ministrie. Por mos harrojmë se ishte ditë e premte, dhe normalisht pas orës 14:00, kur mbaron edhe orari zyrtar i kësaj dite, asnjë punonjës nuk është prezent. Vetëm në datën 24, nëpër ambientet e ministrisë, kalonte gojë më gojë fjala, se ju është nisur nga Ministri i Punëve të Jashtme z. Edmond Haxhinasto, një qarkore përfaqësive tona, ku udhëzoheshin për qëndrimin që duhet të mbanin dhe ndërhyrjet që duhet të bënin pranë qeverive të vendeve pritëse, për të diskretituar mitingun e opozitës. Por, sipas indikacioneve të tërthorta, dhe anglishtes që nuk përdoret nga profesionistët e ministrisë së jashtme, dyshoj se është një dokument i parapërgatitur më përpara se të ndodhnin ngjarjet.

 

-Si do e cilësonit këtë veprim të Ministrisë së Jashtme?

 

Kjo është pika e fundit ku nuk duhej lënë të degradonte shteti, dhe aq më shumë një sektor elitar si ai i jashtëm. A keni dëgjuar ndonjëherë që ambasadori grek, britanik, italian apo francez, të ketë ardhur në ministrinë tonë dhe të ketë sqaruar arsyet e protestave të çfarëdollojshme që bëhen në vendin e tij, dhe ca më tepër të përpiqet të diskretitojë opozitë apo sindikatat e vendit të tij?

As keni dëgjuar dhe as kanë ndodhur, sepse shtetet demokratike, kanë respekt për opozitën dhe popullsinë e vendit të tyre, të cilën e përfaqësojnë barabar me pozitën; shtetet serioze, e dinë se rrobat e papastra lahen në shtëpi dhe nuk nxirren në publik; shtetet institucionale, nuk mund të lejojnë që segmente të tyre të sillen si celula të partisë në pushtet dhe për hatër të mbajtjes së karriges të diskretitosh vendin. Është një veprim vite drite larg, me shtetin ligjor dhe pushtetet e ndara, ç’ka presupozon një shtet modern.

Personalisht, ndjehem i turpëruar që institucioni i diplomacisë i shtetit tim, ka prodhuar një dokument të tillë. Moralisht ndjehem i fyer, pasi në emër të shtetit që përfaqëson gjithë shqiptarët, përfshirë të majtë dhe të djathtë, përfshirë edhe katër të ndjerët që u vranë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, prodhon një shkresë që do t’ia kishte zili Ministria e Jashtme e Venezuelës së Çavezit dhe Kubës së Kastros.

 

-Pak kohë më parë, gazeta “Shekulli”, ka zbuluar skandalin e punësimeve nepotike në përfaqësitë tona jashtë shtetit. Në jo pak raste, kemi parë që me një VKM, edhe pse s’kanë eksperiencën e duhur, janë emëruar në funksione të larta. Cila është procedura që duhet të ndiqet?

 

Duhet të sqarojmë se, ligji ‘Për Shërbimin e Jashtëm’ i miratuar në vitin 2003 edhe me konsensusin e plotë të opozitës së asaj kohe, sot në pushtet, ishte një ligj i marrë nga aleatët tanë perëndimorë dhe është bashkëkohor edhe sot e kësaj dite. Me ardhjen në pushtet të së djathtës, në vitin 2005, për të punësuar klientët dhe militantët, u stis një VKM, e cila thoshte që për nevoja të veçanta, mund të merreshin punonjës nga jashtë. Justifikimi ishte, që të angazhoheshin për çështje të caktuara, personalitete të spikatura nga fushat e ndryshme të shoqërisë.

Por kjo ishte vrima që fundosi gjithë anijen, dhe sot në Ministrinë e Jashtme, dy ndër tre punonjës, janë në kundërshtim me ligjin, dhe me kapacitete profesionale mjerane. Dhe deri sa në vitin 2011, drejtuesit e institucionit, detyrohen të nxjerrin një urdhëresë që të disiplinojë rregullat e drejtshkrimit dhe formatimit të shkresave zyrtare, kuptohet niveli i ulët ku ka rënë dikasteri.

Edhe sot e kësaj dite, bazuar në këtë VKM, bëhen emërime të cilat gërryejnë profesionalizmin e kësaj ministrie dhe e çojnë në veprime skandaloze si qarkorja politike për ambasadat lidhur me ngjarjet e 21 janarit. Ndërkohë, ligji për statusin e nëpunësit civil, dhe ai për shërbimin e jashtëm, i ka të shkruara të zezë mbi të bardhë, rregullat se si mund të punësohesh në këtë dikaster, zbatimi i të cilave do sillte kufizimin maksimal të elementëve partiakë dhe militantë në administratën e lartë.

 

 

 

-Përse mendoni se Ministria e Jashtme, ka hequr nga puna specialistët, dhe i ka zëvendësuar ata thjesht me anë të një VKM-je?

 

Gati asnjë diplomat i karrierës nuk do merrte takim me homologët e tij ose në ministrinë e jashtme të vendit pritës, për të prezantuar një dokument të turpshëm si ai i 21 janarit i firmosur nga Edmond Haxhinasto.

Asnjë diplomat karriere, nuk do lavdëronte arritjet e qeverisë me gjuhën e drunjtë të prodhimit sovjetik, që kërkohet sot nga Ministria e Jashtme; asnjë diplomat karriere nuk e honeps dot qëndrimin servil që mban shteti shqiptar para të huajve, apo shitjen e interesave afatgjata të vendit, për hir të interesave afatshkurtra të politikës.

Rrjedhimisht shumë nga diplomatët e karrierës janë larguar, duke gjetur mënyra të tjera punësimi, ndërsa disa prej tyre, profesionistë të çmuar, janë vendosur në vende pa peshë në vendimmarrje, por pranojnë që për hatër të mbijetesës ekonomike të jenë dëshmimtarë të gafave të institucionit, por sigurisht jo pjesëmarrës në këto turpe.

Udhëheqësit politikë, e anashkalojnë me qëllim ligjin, pasi në këtë mënyrë kanë mundësi të bëjnë emërime klienteliste, dhe të përdorin aparatin shtetëror për qëllime personale dhe partiake duke shfrytëzuar injorancën profesionale të klientëve të tyre, por në këtë mënyrë mbulojnë edhe injorancën profesionale dhe kulturore të vetvetes.

A e keni dëgjuar ndonjëherë fjalorin rudimentar dhe primitiv të Ilir Metës, fjalorin e varfër të Haxhinastos, apo ligjëratat e pa rinovuara tashmë prej pesëdhjetë vjetësh të Berishës? E pra si do pranonin këta politikanë në krahun e tyre, njerëz që kanë në karrierë libra të botuar, gjuhë të folura në mënyrë të rrjedhshme dhe dy e më shumë rekorde si titullarë misionesh në vende të rëndësishme?

Është pikërisht edhe ky frustrim kulturor e profesional i titullarëve politikë, që sjell mënjanimin e profesionistëve dhe mbushjen e radhëve të administratës me njerëz që dinë të bëjnë vetëm hosanara.

 

-Çfarë mendoni për punën e diplomacisë shqiptare, dhe sa e përgatitur është ajo për tu përballur me sfidat që ka vëndi?

 

Në vendet e qytetëruara, Ministri i Jashtëm, është figura numër dy e qeverisë, për shkak të rëndësisë që ka ky institucion. Ai është njeriu i afërt personalisht dhe politikisht me kryeministrin, por edhe personalitet me karrierë solide profesionale dhe politike që është në gjëndje të imponojë qëndrimin e vet.

Të tillë ne kemi pasur Paskal Milon, Arta Daden, Kastriot Islamin dhe Besnik Mustafën. Që të gjithë këta njerëz, kishin lidhje direkte me kryeministrin dhe përfaqësonin politikat e tij, por edhe i kishin dhënë vulën personale institucionit, pa humbur seriozitetin e tij. Me ardhjen e Bashës në MPJ, filloj loja e vjetër e kalamajve “Hajt të luajmë shtetesh”; dhe politikat e tyre voluntariste dhe klienteliste.

Ishte një Bashë që shikonte vetëm interesin e tij; një Metë që e kishte mëndjen se mos po ja rrëshqiste në pazare Dritan Prifti në Ministrinë e Ekonomisë, ndërsa tani kemi Edmond Haxhinaston, i cili është punësuar nga bosi i tij në punë si Ministër i Jashtëm. Ky njeri, duhet të kërkojë leje që të takohet me Metën, që t’i thotë ndonjë fjalë, e pastaj nëse këtij i mbushet mëndja, t’i thotë Berishës, dhe anasjelltas, si tek loja telefoni i prishur.

Pas tij vinë tetë drejtor të përgjithshëm, ku për gjysmën, jap garanci se në katër vitet e fundit, nuk kanë shkruajtur një shkresë fletë format A4 me mendimet e tyre personale, dhe nga 26 drejtorë, 13 nuk kanë lidhje fare me profesionin.

E bëra gjithë këtë parantezë, për t’ju përgjigjur fare shkurt pyetjes tuaj, se me lojtarë të Peqinit, nuk mund të fitosh Kupën e Kampionëve të Europës.

Rezultat i gjithë kësaj është se, që nga koha e Bashës, Greqia na kanë marrë tre varreza të ushtarëve grekë që luftuan për Vorio-Epirin; nënshkroi marrëveshjen e detit, dhe po rrezikojmë rregjistrimin etnik me kritere të imponuara.

Meta shkoi në Breograd dhe na solli si peshqesh një minoritet serb që nuk ishte dëgjuar ndonjëherë; dhe bëri një vizitë në Siri, të cilësuar nga SHBA si “shtet zuzar”. Presidenti rumun Basesku erdhi dhe kërkoi minoritetin vllah; presidenti maqedonas Ivanov, kërkoi minoritetin e tij; ndërsa konsulli grek kërcënoi tërësinë territoriale të vëndit, pa i hyrë ferrë në këmbë, dhe sot rri nën hijen e flamurit grek që ka ngulur në Korçë.

Po ashtu në diplomacinë shumëpalëshe, miratimi i raportit të Dick Marty, ishte një shuplakë për paaftësinë skandaloze të diplomacisë sonë. Por ç’mund të presësh, kur shumë nga diplomatët tanë, janë me dokumenta emigranti në vëndet ku janë akredituar, ose pranë institucioneve ndërkombërare, na përfaqësojnë ish kryetarë apo sekretarë komunash të fshatrave të humbura të Shqipërisë?

Sa më sipër tregojnë se kjo diplomaci nuk ka elementë dhe as fuqi reaguese, lëre më pastaj të ndërmarrë iniciativa, për të cilat as që bëhet fjalë. Këtë e tregon fakti se që nga zgjedhjet e vitit 2009, asnjë kryeministër i huaj nuk ka vizituar Shqipërinë, dhe hiq vizitat e punës në Bruksel, Ministri i Jashtëm nuk ka bërë asnjë vizitë zyrtare jashtë vëndit. Gjithë sa më sipër, evidentojnë kuotimin e ulët që ka shteti shqiptar në botë, por edhe kualitetin e dobët të ekipit diplomatik të tij.

Rrjedhimisht ky ekip nuk ka elementët e duhur për ta çuar diplomacinë përpara dhe të përballojë sfidat e së ardhmes. Ndaj, le të shpresojmë që e ardhmja dhe fati do jenë mëshirëmëdhenj me ne.

*shekulli.com.al

5 komente në ““Diplomacia shqiptare degradoi përfundimisht më 21 janar””

  1. raimondi says:

    Ai ministri Haxhinasto –duket nje ore larg qe eshte i lig dhe gdhe ———-I reflekton keto cilesi negative

  2. fule says:

    Jeni i nderuar dhe per tu falenderuar me analizen tuaj Z. Hila

  3. fredi55 says:

    Shikoni Berishen dhe Ilirin se cfare politikanesh jane dhe pastaj kerkoni qe Shqiperia te perfaqesohet denjesishte ne arenen nderkombetare.Kur nje kryeminister nxjerr nga goja e tij e ndyre fjalet me te felliqura per opoziten dhe popullin e tij,cfare te mire do presim prej tij.Sali Berisha as edhe nje here ne jeten e tij politike nuk ka folur mire per popullin.Sa per rap[ortin eDick Marty Berishes as qe i behet vone,sepse po te kishte merak per Kosoven ai nuk furnizonte Milloshevicin me nafte per te vrare kosovaret.

  4. Falcon says:

    kjo do te thote se vrasja e demostrusve qe e planifikuar qe para mitingut….analize shume e paster dhe e qarte…

  5. sociologu says:

    flmd z. Hila!!!!

Comments are closed.

Lini një Përgjigje