Ambasadori holandez në Tiranë Henk G.C. van den Dool, në një shkrim të botuar nga disa gazeta, bënte thirrje për të rinjtë që të dalin në votime për të marrë fatet e tyre në dorë. Gazeta “Free Press” ka biseduar me zotin ambasador në lidhje me çështjen e mësipërme, për angazhimin e të rinjve në politikë, marrëdhëniet e tyre me votën, kuptimin që kanë ato për demokracinë. Më 8 maj në votime do dalin për herë të parë ata të rinj që kanë lindur pas rrëzimit të regjimit komunist. Për ambasadorin ky është një shans i artë për të dhënë një sinjal të fortë se tranzicionin e gjatë dhe të lodhshëm po e lëmë më në fund pas…
Zoti ambasador, në përgjithësi dëgjojmë të flitet që rinia shqiptare është indiferente. Ju në një shkrim tuajin flisni për zhgënjimin. Cili është ndryshimi mes tyre sipas jush?
Të jesh indiferent nënkupton se ty nuk të intereson bota rreth teje dhe nuk të bëhet vonë se si shkojnë gjerat sepse je ti që ke vendosur se ato nuk janë të rëndësishme për jetën tënde. Kjo është njësoj si të humbasësh shpresën – një sjellje shumë e ftohtë kjo.
Nga ana tjetër, zhgënjimi nënkupton se dikush do të kishte shpresuar apo edhe do të kishte pritur që gjërat të ishin ndryshe. Kjo do të thotë se ty të interesojnë gjërat që ndodhin. Zhgënjimi, në këtë kuptim, krijon një bazë për një përfshirje dhe veprim konstruktiv: nëse përpiqesh mjaftueshëm, mund të kontribuosh për një ndryshim pozitiv! Prandaj, nëse është e vërtetë që të rinjte shqiptare i kthejnë kurrizin politikës, unë shpresoj që kjo të jetë për shkak të zhgënjimit sesa për shkak të indiferencës. Nëse është kështu, ne kemi ende mundesi t’i bindim ata se e kanë gabim dhe se nëse do të zgjonin interesimin dhe duke u përfshirë ata kanë mundësi për ta konturuar/formatuar vetë botën e tyre.
Megjithatë zoti ambasador, duket se është një mision shumë i vështirë që të trazosh rininë shqiptare nga një gjumë letargjik ku ka rënë. Çfarë mendoni se mund të bëhet më shumë?
Unë nuk mendoj se ata kanë rënë në gjumë letargjik. Unë shoh shumë të rinj shqiptarë të cilët janë aktivë, që arrijnë të marrin një arsimim me cilësi të lartë, dhe të cilët janë të etur të udhëtojnë e të njihen me kultura dhe popuj të tjerë. Ajo që duket se mungon është besimi se nëpërmjet politikës është e mundur të kontribuosh për një jetë më të mirë si për veten, ashtu dhe për brezat e së ardhmes. Faji për këtë humbje besimi bie tek politikanët, tek kultura politike. Por vetëm pjesërisht! Populli në përgjithësi, por sidomos të rinjtë, gjithashtu kanë një përgjegjësi të madhe në përcaktimin e së ardhmes. Kjo është ajo çfarë unë e kam quajtur “kontrata” midis votuesve dhe politikanëve. Votuesit duhet t’ju kërkojnë politikanëve që të jenë të qartë për programet e tyre, idealet e tyre, planet e tyre – kështu që në diten e zgjedhjeve – të ketë realisht alternativa për të bërë zgjedhje. Dhe pas zgjedhjeve, ata që janë zgjedhur duhet t’i mbajnë premtimet e tyre dhe të jenë të përgjegjshëm. Duke targetuar interesat e vërteta të të rinjve, politika mund të tregojë rëndësinë e vet dhe të tërheqë jo vetëm votuesit për herë të parë, por edhe përkushitmin e vazhdueshëm dhe besimin tek të rinjtë. Në parim, zgjedhjet vendore japin një mundësi të mrekullueshme për të zbatuar këtë “kontratë”, sepse çështjet mbi të cilat politikanet mund të bëjnë fushatë janë të lidhura drejtpërdrejt me jetën e përditshme të votuesve. Unë jam kurioz të shoh nëse këtë herë fushatat elektorale do të bazohen mbi këto lloj çështjesh.
A mendoni zoti ambasador se shqiptarët, sidomos të rinjtë, e dinë rëndësinë e votës?
Sigurisht që PO! Demokracia mund të funksionojë vetëm nëse të gjithë besojnë se ajo do të funksionojë. Nëse nuk e bën pjesën tënde dhe ta bësh mirë këtë gjë, nuk mund të kesh legjitimitetin të ankohesh në lidhje me performancën e dikujt tjetër! Nëse ju mendoni se keni arsye të dyshoni mbi pastërtinë e lojen, ju duhet të përpiqeni të përmirësoni mënyrën se si ajo luhet duke kërkuar transparence. Por ju mund të kërkoni transparencë duke bërë veten tuaj NE rradhë të parë tepër transparent. Të refuzosh të marrësh pjesë është gjithmonë rruga më e shkurtër që të siguron se asgjë nuk do të bëhet më mirë…
Ju thoni se do e hidhni votën tuaj më 8 maj. A duhet të kenë besim të rinjtë shqiptare se kjo votë e hedhur do numërohet, do llogaritet?
Për të qenë i sinqertë, unë mendoj se në të kaluarën shumë shqiptarë kanë ndjerë se edhe nëse votonin apo jo, pa patur rëndësi se për kë votonin – kjo s’kishte fare rëndësi në të vërtetë. Më duket se ka qenë Jozef Stalin ai që ka thënë: nuk ka rëndësi kush voton, por kush numëron! Dhe ky është një realitet shumë i ngjashëm prej nga vijnë shqiptarët. Por besoj kjo i përket të kaluares!
Sidomos të rinjtë nuk duhet të influencohen nga kjo gjë. Vota e tyre tregon pranim ose refuzim të mënyrës si menaxhohen gjërat në komunën, bashkinë apo vendin e tyre, dhe vota e tyre, si rezultat mund të sjellë ndryshime të dukshme në realitetin ku jetojnë çdo ditë.
Zoti ambasador, megjithatë ka të rinj që i kanë hyrë rrugës së politikës, por ka analistë që thonë se i ngjajnë shumë të vjetërve…
Kudo do të gjeni njerëz që janë mplakur edhe pse janë ende në shkollë të mesme apo njerëz që iá arrijnë të qëndrojnë të rinj deri në një moshë të madhe. Ajo që është më e rëndësishme mendoj është se në çfarë mase janë strukturat ekzistuese të hapura ndaj ndryshimit. Çdo organizate që dëshiron të mbijetojë dhe të jetë relevante, qoftë nje kompani biznesi apo parti politike, duhet që vazhdimisht të rinoje dhe ri-freskojë veten e vet. Duhet të ketë një debat të brendshëm të përhershëm. Duhet të ketë kontrolle të vazhdueshme ndaj realitetit. Duke huazuar një shprehje të ish Presidentit të Komisionit, Zhak Delors, kur fliste për Intergrimin Evropian: është njësoj si të ngasësh një biçikletë – kur nuk ecën përpara, do të rrëzohesh. Por ky proces i nevojshëm rinovimi, mjaft i vështirë për çdo organizatë, mban nje sfide më vete për strukturat me lidershipe të forta. Dhe nuk besoj se do më kundërshtonte dikush nëse do të thosha se partitë politike në Shqipëri, të gjitha pa përjashtim, kanë një lidership shumë të fortë.
Në një shkrim të publikuar nga The Economist para pak kohësh thuhej se mosha mesatare në Shqipëri është 28 vjeç, por i qeveris një person që është 67 vjeç. Kjo quhet gerontokracia. A mendoni se është e rëndësishme që të mos ketë një hendek mes moshës së drejtuesve dhe moshës së popullit?
A do të ishte e mundur t’i referohesha përgjigjes sime më lart për të treguar se të qenurit i ri apo i moshuar nuk është domosdoshmërisht e lidhur me moshën??? Këtë mos e merrni si një deklaratë politike, por nëse disa nga të rinjtë shqiptarë do të tregonin të njëjtin përkushtim dhe energji si për shembull ish-presidentët tuaj të meparshem apo z. Sabri Godo, panorama politike mund të dukej pak më shumë e gjallëruar. Ajo që ka rëndësi nuk është mosha, por të qenurit në kontakt me realitetin.
Ju flisni për fillimin e një ere të re në shkrimin tuaj. Çfarë nënkupton një erë e re? Ju gjithashtu thoni se i duhet dhënë fund fjalës tranzicion. Kur i jepet fund tranzicionit në një vend si i yni, kur votohet lirshëm, kur zgjidhen të rinj apo…?
Kryesorja që unë u përpoqa të theksoj në artikullin tim është fakti se “tranzicioni” supozohet të jetë i përkohshëm, një fazë e ndërmjetme në të cilën një shoqeri – në këtë rast shoqeria shqiptare – e transformon veten nga një shoqëri totalitariste, jo e lirë dhe me udhëheqje të centralizuar, në një demokraci plotësisht funksionale dhe me një ekonomi tregu. Sëmundjet e foshnjërisë të paevitueshme dhe mungesat e kësaj periudhe janë të kuptueshme dhe të falshme, pikerisht sepse është një fazëe e përkohshme dhe tranzicioni. Por në një moment të caktuar ju duhet të arrini një stad të ri dhe të merrni përgjegjësitë e plota, jo vetëm për arritjet tuaja, por edhe për gabimet tuaja. Zgjedhjet e 8 Majit janë të parat me votues që kanë lindur pas rrëzimit të regjimit komunist. Ky fakt i thjeshtë mendoj se jep një mundësi të mrekullueshme për Shqipërinë për të treguar se periudha e tranzicionit ka mbaruar dhe se realiteti është një Shqipëri e re. Nëse këto zgjedhje ju përgjigjen standardeve më të larta demokratike ndërkombëtare, kjo do të thotë se më në fund Shqipëria nuk do të etiketohet më në termat e periudhës prej nga ka dalë, por në vend të kësaj do të fokusohet plotësisht tek e ardhmja e saj e ndritur evropiane.
Comments are closed.
Ne zgjedhjet lokale vota e te rinjve do ti japi fund tranzicionit ????