Për më pak se një muaj, reflektorët do të drejtohen mbi të famshmen El Klasiko, e cila do të luhet jo një, por katër herë. Ndeshja e kampionatit, finalja e Kupës së Mbretit që do luhet në Valencia, gjysëmfinalja historike në Ligën e Kampioneve, kanë elektrizuar të pasionuarit e futbollit në të gjithë botën, në atë që ka të gjitha karakteristikat për t’u quajtur “futbolli”. Kujtimi më i nxehtë i përballjeve epike i dy skuadrave me më shum tituj në Spanjë, është ai i 29 nëntorit 2010, kur djemtë e Pep Guardiolës poshtëruan Realin e Hoze Murinjos dhe Kristiano Ronaldos, me një rezultat 5-0, i cili nuk linte vend për diskutime, pasi Barcelona dha një leksion të vërtetë futbolli. Rivaliteti mes këtyre ekipeve ka nisur që në vitin e largët të 1928, kur edhe u zhvilua edicioni i parë i kampionatit spanjoll.
Real Madrid-Barcelona nuk është vetëm një përballje futbollistike mes dy ekipeve që për vite me radhë janë duke ndarë mes tyre titujt në Spanjë, por edhe një sfidë filozofie për vetë futbollin që këto dy ekipe aplikojnë, por jo vetëm. Është një sfidë që ka gjithmonë edhe ngjyrim politik, sepse dy ekipet përfaqësojnë dy rajone të Spanjës: Katalonja dhe Kastilja- që janë të gatshme për gjithçka të “groposin” njëra-tjetrën. Çështja politike dhe ajo sportive, për herë të parë janë bashkuar në vitin 1943, kur rivaliteti mes dy ekipeve arriti në maksimumin historik, me rastin e gjysëmfinales së Kupës së Mbretit. Barcelona fitoi ndeshjen e parë 3-0, por ndeshja e kthimit shënoi një rezultat të pabesueshëm, Reali fitoi 11-1, e cila ngjalli dyshime të shumta, për faktin se mendohet që policia e diktatorit Franko kishte kërcënuar lojtarët e Barcelonës. Franko i frikësohej entuziasmit të katalanasve, të cilët, në rast të arritjes së finales nga ana e Barcelonës, mund të shkaktonte rrëmuja dhe kërkimin e tyre të pavarësisë. Disa vite më pas Federata Spanjolle e Futbollit e anulloi këtë ndeshje, por tashmë rivaliteti mes dy ekipeve ishte ndezur në maksimum. Në vitet ’50, Real-Barcelona më pas u konsiderua si “Klasike”. Barcelona ishte i pari ekip që prishi hegjemoninë e Realit të famshëm të Pushkashit në Kupën e Kampioneve, duke e eliminuar në çerekfinale.