Mufka diplomatike

20 Prill 2011, 14:27Politika TEMA

Nga Mustafa Nano

Tre ambasadorët më të rëndësishëm (i SHBA-ve, i OSBE-së dhe i BE-së) ishin para dy ditësh në Vlorë. Ishin të shoqëruar nga Presidenti i Republikës. Apo ishin ata që shoqëronin Presidentin? Nuk u mor vesh mirë kjo gjë. Ajo që u mor vesh është se ata mbajtën nga një fjalim. Fjalimi i ambasadorit të OSBE-së ishte më i rëndësishmi. Pse? Sepse ish publikuar në gazeta në formën e një editoriali. Kam veçuar do momente nga ky fjalim. Më ngjajnë me alamet xhevahiresh, e prandaj më është dukur e udhës t’i shoqëroj me ndonjë ndërhyrje timen:

1. Si profesionist në fushën e jetës publike dhe diplomacisë, ku përfshihet edhe eksperienca me zgjedhjet, komentet e mia sot duhen parë thjesht si pika të mundshme diskutimi në seminare të ardhshme. [Shumë pretencioze kjo frazë. Në fakt, kush i shkon deri në fund fjalimit, nuk besoj se arrin të identifikojë “pika të mundshme diskutimi në seminare të ardhshme”]

2. Zgjedhjet publike përbëjnë kohën kur qytetarët e thjeshtë kanë mundësinë të zgjedhin, duke qenë të informuar, midis platformave të partive të ndryshme politike dhe midis kandidatëve të ndryshëm se kush duhet të drejtojë zonën e tyre. Dallimi i zgjedhjeve të qeverisjes vendore qëndron në vetë faktin se ato janë vendore. [Wow! Besoj se nuk ka mbetur njeri pa u ndriçuar nga ky katekizëm politik, që t’i sjell të vërtetat llokum në gojë]

3. Në kontekstin aktual shqiptar …. ka vend për optimizëm. Unë besoj se zgjedhjet e ardhshme vendore bazohen tashmë në lista më të mira zgjedhësish, pas krijimit nga Ministria e Brendshme të një regjistri të ri të gjendjes civile dhe të një sistemi të adresave në zbatim të një projekti prej miliona eurosh të financuar nga Bashkimi Europian dhe të zbatuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri. Një nga rezultatet e drejtpërdrejta të projektit është numri shumë më i vogël i dublikimeve të emrave të njerëzve mbi 100 vjeç në listat e zgjedhësve që, siç e dimë, ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara. Ky duhet të shërbejë si element pozitiv për zgjedhjet e tanishme dhe t’i bëjë qytetarët shqiptarë të besojnë vërtet se vota e tyre ka rëndësi. [Hë, më të lumtë! Ky është një optimizëm bajagi i shëndetshëm. Më duket se raportin post-zgjedhor e paskan bërë gati qysh tani]

4. Sa i përket çështjes shumë të diskutueshme të sagës së kasetave të gatshme nga partitë politike, sinqerisht mendoj se është shumë herë më mirë që gazetarët të raportojnë duke pasur akses të drejtpërdrejtë në aktivitetet publike. Thënë kjo, kasetat e gatshme nuk janë gabim në vetvete, por kur transmetohen në televizion, duhet të thuhet qartë që janë ‘material i partive politike’, në mënyrë që shikuesit të mund të dallojnë gazetarinë nga ajo çfarë është thjesht reklamë e partive politike. [Wollfarth-i do duhej të na e kursente pohimin, që “transmetimi i kasetave të gatshme nuk është gabim në vetvete, nëse shoqërohet me sqarimin se këto kaseta janë të përgatitur nga partitë”. Ky është një pohim trashanik. E përse u dashka vallë t’u transmetokan kasetat e partive në TV? A e di zotëria se në televizion bëhet gazetari, dhe se kasetat e partive nuk kanë asnjë lidhje me gazetarinë? “Jo, jo”, mund të më thonë, “ambasadori thjesht mendon që këto kaseta bartin mesazhe publicitare; dmth janë reklama”. Reklama? Reklama që transmetohen gjatë lajmeve? Fiu!]

5. Jam i sigurt se në krahasim me dy zgjedhjet e fundit, Policia e Shtetit do të arrijë të ngrejë nivelin e suksesit në shkallë më të lartë. [Ashtu? Qysh kur kështu? Apo qysh nga momenti që keni marrë vesh se zv.ministri i Ministrisë së Rendit pa ministër ka urdhëruar një drejtor policie të shkojë t’ua tregojë vendin militantëve të opozitës?]

6. Javën e kaluar po udhëtoja me makinë me bashkëshorten në periferitë e Tiranës dhe rrugës u shkëmbyem me një numër të pazakontë makinash ku valëviteshin flamuj blu dhe të kuq. Edhe pse mund të jetë argëtuese deri diku dhe ndodh në shumë vende të tjera, të gjitha partitë politike duhet të kenë parasysh se nuk është ideale t’i trajtojnë rrugët e Shqipërisë si të ishin pistat e Silverstone-it apo Hockenhein-it. [Është e vetmja pjesë nazike e një fjalimi të mërzitshëm. Krahasimi i rrugëve të Shqipërisë me pistat e garës ‘Formula One’ është i lezetshëm. Por do donim të na bënte dy saktësime. Së pari, ka parë vërtet makina me flamuj të PS-së, apo e thotë këtë për të qënë “i balancuar” në vëzhgimin e vet? Së dyti, duhet sakëtsuar ajo fraza e tij “kjo ndodh në shumë vende”. Në cilat vende ka parë makina që vijnë vërdallë me flamuj elektoralë për 30-40 ditë rresht?]

8 komente në “Mufka diplomatike”

  1. kris says:

    “Buono per Albania” keta ambasadore me “Presidentin” Shqiptar

  2. Tan_Tironci says:

    Konfucio thote: ” Mbas te ngrenit , lahen Enet”… mgja se i shko pershtat ktij Burrecit nga BE-ja.

  3. LORA says:

    Me peshtirosjen e neverine qe me shkaktojne(eshte bere per dreq e perditeshme) keta soj ambasadoresh nuk i hodha ndonje sy editorialit (ose fjalimit me te “mencur”)te Wolfarth-it.Paskam shpetur nga nje peshtirosje suplementare.
    Por per mua ka shume vlere bashkebisedimi i yt,Muci,me ne lexuesit.Se pari me revolton fakti qe nuk merret vesh nese ishte i shoqeruar, apo z.Topi i shoqeronte keta derbederet.I mjeri president.Se dyti sado te lehin keta neper Shqiperi me perbetime garancie per “profesionalizmin”e policise tone,mua si qytetare me kumbon si sinjal i rendesishem alarmi per sigurine e cenuar qe ne nisje te procesit zgjedhor.Mjafton te kujtojme lavderimet per policine e drurit e te hurit ne 21 Janar,dhene prej Arvizut,e te dalin deduksionet me te thjeshta.Me i thjeshti konkluzion eshte qe me garancite e ambasadoreve nuk shkohet ne hale e jo me te sigurohet vullneti i Sovranit.Do te ishte shume e rendesishme,besoj jo vetem per mua,te mesohej mekanizmi i financimeve te dyfishta:njehere per te mbushur listat me dublikime dhe heren tjeter per ti zbrazur.Kjo mender-pune ishte subjekt krenarie per OSBE-ne.Se fundi,Muc,sot je ne formen tende me te mire qe i ofron lexuesit.

  4. reformatori says:

    Jam kurioz te di ku e hengren dreken ambasadoret!

  5. estilen says:

    Na kenaqe Muc Nano…sinqerisht i ke bere ”autopsine” per se gjalli atyre” kokave te medha” te botes…
    Vec nje porosi…mos u hidhero kur edhe me ty keta te presin mardheniet e shtypit,si me Shekullin,se mjere ti do vdesesh ne pike te hallit…!!!!

  6. Agim says:

    Ambasadoret jane njerez si ne.Dhe ata mund te jene me pak ose me shume te korruptuar se sa ty ose se sa mua. Edhe ata njerez jane dreqi ta haje.Nga ana profesionale keta ambasadore duken (shume te faleminderit MUSTAFA NANO qe na e ben kaq shume te qarte) nen mesataren e gjykimit. Shume-shume bukur e ka thene “Kris” kur thote per keta ambasadore ” Buono per Albania “.

  7. kasemi says:

    Me duket se kesaj rradhe Muci ka te drejta Analizimi analitik i fjalimeve te dipllomateve vertet eshte i pa kundershtushem.Edhe une po perpiqem te jem analitik.Shume e dallushme eshte propoganda e dipllomateve te huaj qe pa dyshim 1000% shprehin politikat e vendeve perkatese ne favor te Saliut. Pse ndodh keshtu? Kaq i mire eshte Sala? Ska mundesi te gjithe ja njohin difektet. Mos valle nuk kane informacion te sakte? E kunderta mund te jete. Nje shtet sa nje qytet i zakonshem Europian veshtire mos tja njohesh dhembe e dhemballe.Shtoi ketu dhe sherbimet “intiligjente” vullnetare te tipit Zogaj zorr se te huajt te jene keqinformuar. Pergjigjja eshte akoma me e thjeshte dhe e paster. Dipllomacia perendimore NJEH SHUME ME MIRE SE NE TE VENDIT KUSH ESHTE ZOTI EDVIN RAMA. Me duket teper tezgjatem besoj se kuptohemi.

  8. zana19 says:

    Keta o vellezer jane “tuti cani, futi qeni tek duhani”

Comments are closed.

Lini një Përgjigje