?
Eshtë shuar veprimtaria e Komisionit Hetimor Parlamentar për ngjarjet e 21 Janarit 2011. Çfarë ka ndodhur mbas dëshmisë së Kryeministrit e Kryetares së Kuvendit dhe refuzimit për të dëshmuar të Presidentit të Republikës, Prokurores së Përgjithshme dhe Drejtorit të SHISH? Dy arsyet pse komisioni praktikisht ka vdekur: Berisha jua ka premtuar shuarjen në heshtje të komisionit partnerëve ndërkombëtarë si element për uljen e tensionit në vend dhe dy nga anëtarët e tij nuk mund të pajisen me çertifikatë sigurie
Nga Lorenc Vangjeli
Komisioni Hetimor Parlamentar për Hetimin e ngjarjeve të 21 Janarit 2011 ka pushuar së funksionuari. Zyrtarisht organizmi që njeh për kryetar deputetin e PD-së me emër britanik dhe mbiemër musliman, Eduard Halimi, ekziston, por praktikisht është shpërndarë. Prej më shumë se një muaji, ai nuk ka zhvilluar asnjë mbledhje dhe nuk ka kryer asnjë lloj veprimtarie legale. Nuk ka asnjë konfirmim që të ketë zhvilluar veprimtari “hetimore” ilegale.
Afati i punës së komisionit është pa kufi dhe objekti i tij përfshihet në çfarë ka ndodhur në pak orë të një dite të vetme. Ndryshe, fjala vjen, nga komisioni i fundit i krijuar për hetimin e veprimtarisë së organeve drejtuese të Kuvendit që e ka hetimin të shpërndarë në një hark kohor prej pesë vjetësh e gjysëm që duhet ta mbyllë punën e tij për katër muaj. Komisioni Halimi pati këtë fund për dy arsye: së pari sepse kështu ka vendosur krijuesi i tij, kryeministri Berisha dhe së dyti, dy nga anëtarët e tij dyshohet se kanë një problem ende të hapur me të kaluarën e tyre.
“Problemi, referon një burim i rezervuar për revistën MAPO, do të bëhej edhe shumë më serioz nëse do të kishte hyrë në fuqi ligji për Lustracionin”. Por burimi, hë për hë, nuk jep detaje të tjera.
I vdekuri i pavarrosur
Ka vdekur, por nuk është varrosur ende. Të gjithë e dinë se morti ka ndodhur në Kuvend, por pakkush është kujtuar sipas zakonit që të ndajë kafen e përshpirtjes. I ndjeri ka emër të gjatë, si indianët e Amerikës dikur. Quhet Komisioni Hetimor i Kuvendit për Hetimin e veprimtarisë së institucioneve shtetërore për zbulimin, identifikimin, përballimin, neutralizimin, pengimin dhe ndëshkimin e veprimit të organizuar kriminal për dhunimin e institucioneve dhe përbysjen e rendit kushtetues në datën 21 Janar 2011”.
Ka një anekdotë të vjetër po me indianë; një prej tyre kërkon të ndryshojë emrin në gjendjen civile. Quhej Kali i Hekurt që Shkrofëtin Zjarr e Tym nga Flegrat kur Rend në Prerinë e Pafundme nga Muzgu në Agim.
Indiani donte të quhej thjesht Tren.
Edhe Komisioni hetimor me emër të gjatë dhe që ka vdekur tani quhet thjesht Bllof.
Me mbiemrin i paligjshëm.
Atësia ka emrin politikë.
Gjatë, komisioni Halimi sot mund të quhet Bllof Politik i Paligjshëm. Shkurt ishte një kalë që ndihmoi të kapërcejë një lumë dhe pati trajtimin që i rezervohet kalit mbasi kapërceu kalorësin në anën tjetër të lumit. Dhe këtë, duhet ta ketë ditur që në krye të herës, madje, edhe vetë deputeti E. H.
Që nga e mërkura e largët kur përballë Komisionit Hetimor foli, por nuk ju përgjigj pyetjeve Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama sepse nuk mund të trajtonte çështje konkrete nën hetim nga institucioni i saj dhe refuzoi të përgjigjet Drejtori i SHISH Bahri Shaqiri sepse anëtarët e komisionit nuk kishin çertifikatë sigurie, komisioni pati fatin e të hollit të pulës në shkretëtirë. Humbi pa nam dhe nishan. Humbi edhe përkundër premtimit se do të pyeste Presidentin e Republikës që gjithashtu e refuzoi atë komision. Humbi edhe përkundër premtimit të tërhequr pas, për hetimin e veprimtarisë “jogazetareske” të katër gazetarëve të njohur. Nga ajo e mërkurë, askush nuk është kujtuar më për komisionin dhe mbi të gjitha, as komisioni nuk është kujtuar për veten.
Arsyet janë dy dhe pavarësisht se cila është e para, ato nuk përjashtojnë njëra-tjetrën.
Një burim i rezervuar pohon me siguri të plotë se kryeministri Berisha e ka premtuar shuarjen e pazëshme të komisionit përpara një interlokutori shumë të rëndësishëm ndërkombëtar që ka vizituar Tiranën për çështjen e krizës politike që po kalon vendi. Ky premtim do të shërbente si një element që do të ndikonte në çtensionimin e situatës dhe pjesë e një pakete edhe me dy “oferta” të tjera të ngjashme për opozitën për të njëjtin qëllim.
Arsyeja e dytë është dhe shumë më e rëndë. Të tjera burime të rezervuara pohojnë se përkundër një lajmi të pilotuar në media, dy nga pesë anëtarët e komisionit hetimor nuk janë pajisur me çertifikata sigurie. Që do të thotë se ndërmjet komisionerëve Eduard Halimi, kryetar, Gent Strazimiri, Dashnor Sula, Enkelejd Alibeaj, Fatos Hoxha dhe Viktor Gumi, anëtarë, dy prej tyre nuk mund t´i bënin pyetje dhe të merrnin përgjigje nga shefi i SHISH për arsye sigurie. E thënë në një mënyrë tjetër, nuk afronin garanci vetjake për efekte sigurie, në ato standarte që kërkon statusi i ri i vendit që është anëtar i NATO-s.
Si nisi?
Të dielën në mbrëmje, në datën 23 Janar 2011, mbas një fjalimi të gjatë të kryeministrit në Kuvend, në prani vetëm të deputetëve të shumicës, me vendim unanim e të njëanshëm të tyre, u krijua komisioni hetimor parlamentar me emër të gjatë. Por vendimi me numër 82, që në titullin e këtij vendimi, i kishte dhënë rrugë gjithçkaje që pritej të hetohej. Kishte paracaktuar se çfarë kishte ndodhur të Premten e Zezë të 21 Janarit – “përmbysje e rendit kushtetues” – dhe po ashtu kishte paracaktuar fajtorët. Ata që kishin kryer “veprimin e organizuar kriminal për dhunimin e institucioneve”.
Për të kuptuar më mirë fatin e parashkruar të këtij komisioni që tashmë ka fatin e një fëmije të braktisur së pari nga krijuesi – ati i tij – duhet kuptuar dinamika e ngjarjeve që pasuan 21 Janarin.
Tre të vrarët e demonstratës së opozitës dhe një i katërt që humbi jetën ditë më pas nga plagët e marra në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, nuk u përmendën asnjëherë gjatë seancave të para të veprimtarisë së komisionit. Argumenti: “Hetimi i komisionit parlamentar nuk shtrihet për ato çështje dhe rrethana, për të cilat Prokuroria e Republikës së Shqipërisë ka filluar procedim penal sipas ligjit”, thuhet në objektin e hetimit. Një argument që në fakt do të duhej të përfshinte gjithë objektin për të cilin ishte krijuar vetë komisioni.
Dy nga personazhet më të rëndësishëm politikë të vendit që dolën përpara panelit me deputetë vartës të tyre, ishin kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.
Zoti Berisha, në dëshminë që dha në komision, nuk shtoi asgjë të re. Në deklarimet e mëparshme ai kishte përmendur disa fakte jashtëzakonisht të rëndësishëm:
Së pari, demonstruesit ishin vrarë nga një distancë e afërt,
Së dyti, demonstruesit ishin pajisur me çadra pistoletë, stilolapsa pistoletë, thika me helm për të përmbysur rendin kushtetues në vend. Duke anashkaluar faktin që në Shqipërinë e tregut të lirë, të gjesh armë zjarri të vërteta nga ato të rusit dhe kinezit që mbante në depo Enver Hoxha, është një sipërmarrje po aq e thjeshtë sa të blesh bukë në një dyqan lagjeje.
Së treti, se ishin identifikuar kamionë me armë dhe tritol që do të shërbenin sërish për demonstratën.
Së katërti se autorët e puçit të shtetit kishin plan A, plan B dhe Plan C.
Asnjë nga këto dëshmi nuk u provua e vërtetë. U vërtetua publikisht dhe pritet të vërtetohet edhe penalisht se demonstruesit u vranë nga përtej gardhit të kryeministrisë dhe se askush nga ta nuk është qëlluar duke qëndruar brenda rrethimit të saj.
Nuk u gjet dhe nuk u sekuestrua si provë materiale asnjë çadër pistoletë, asnjë stilolaps pistoletë dhe asnjë thikë me helm.
Nuk u ndalua asnjë kamion me armë dhe lendë eksplozive. Madje edhe BENZ-i që u përplas tek hyrja e kryeministrisë i shtyrë nga demonstruesit, ndryshe nga sa u tha në momentin e parë, nuk kishte asnjë gram tritol në bagazhin e tij.
Edhe nëse u realizua plani A, siç pretendonte kryeministri, nuk pati asnjë plan pasues B dhe C, përveç funeraleve të viktimave dhe protestës homazh të një jave më pas të opozitës së bashkuar po në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. E qetë, madhështore dhe rrënqethëse.
Ndërmjet këtyre skajeve të ngjarjeve të njëpasnjëshme, u hoq dorë nga etiketimet e paturpshme për Presidentin e Republikës dhe Prokuroren e Përgjithshme.
Në të gjithë dëshminë e gjatë të kryeministrit, pati vetëm një pyetje interesante nga paneli, nga ish-ministri i drejtësisë Enkelejd Alibeaj që “çuditërisht” morri përgjigje pozitive nga zoti Berisha. “Do t´i dorëzoni provat materiale që pretendoni se dispononi?”, pyeti pak a shumë zoti Alibeaj. Deri më tani, asnjë provë materiale nuk është dorëzuar askund.
Dëshmia, gjithashtu e gjatë e zonjës Topalli nuk pati asnjë dëshmi. Ishte thjesht një deklaratë e gjatë politike.
Si përfundoi?
Ishte një fund i paracaktuar. Kulmin e shkëlqimit dhe audiencës së tij publike, komisioni ja garantoi vetes që në krye të herës të veprimtarisë së tij dhe sidomos, kur kërkoi të marrë tabulatet telefonike të katër gazetarëve të njohur shqiptare, Balla, Baze, Çakuli dhe Bushati. Një kërkesë nga e cila u tërhoq po vetë. Më pas, rrënimi i tij nisi me refuzimin e Presidentit të Republikës që të pyetej nga paneli, njëlloj si një ushtar i Gardës së Republikës, me të njëjtin status dhe në të njëjtin vend.
Dështimi spektakolar, megjithatë, ndodhi kur Prokurorja e Republikës, duke respektuar ligjin që e pengonte të fliste për çështje konkrete që ishin nën hetim e sipër, refuzoi t´u përgjigjet pyetjeve të komisionerëve. Dhe aq më shumë, dështimi u vulos nga refuzimi i heshtur i drejtorit të SHISH, Bahri Shaqiri për të dalë në panel. Sipas deklarimeve të asaj kohe, një gjë e tillë pamundësohej nga mungesa e çertifikatave të sigurisë për anëtarët e komisionit.
Kur mbars politika
Të njëjtin fund duket se ka marrë, por kësaj rradhe në heshtje edhe një komision tjetër hetimor parlamentar. Ky është komisioni për hetimin e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive të Masakrës së Tivarit 1945. Edhe ky komision është ngritur në mënyrë të njëanshme nga pozita, në mungesë të opozitës. Kryetare e tij është deputetja Mesila Doda. Prej muajsh nuk ka njoftime publike për asnjë veprimtari të këtij komisioni dhe për dëshmitarë që merren në pyetje. Zyrtarisht, komisioni është duke mbledhur fakte. Praktikisht, një gjë e tillë nuk po ndodh. Ky komision u krijua në verën e vitit të kaluar kur opozita shqiptare kishte nisur një fushatë të gjerë publike të denoncimit të korrupsionit në nivelet më të larta të qeverisjes së vendit. Atëherë u gjykua gjerësisht se komisioni ishte një manovër e pozitës për shpërqëndrimin e vëmendjes së publikut nga patatet e nxehta me korrupsion që po i binin asaj në dorë. Nuk ka afat se kur mbyllet zyrtarisht efekti i vendimit 45, i 15 korrikut 2010 të Kuvendit që polli këtë komision me farë nga politika.
Pse është antikushtetues komisioni “H”
Një grup deputetësh të PS i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për të zgjidhur mosmarrëveshjen e kompetencës mes Prokurorisë së Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe për të përcaktuar organin kompetent që duhet të hetojë ngjarjen e 21 Janarit 2011. Po kështu, ata kanë kërkuar shfuqizmin e veprimtarisë së komisionit si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe pezullimin e tij deri sa të shprehet Gjykata Kushtetuese.
Objekti i hetimit të këtij komisioni hetimor dhe ushtrimi i veprimtarisë së tij në thelb ka krijuar një mosmarrëveshje ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë, dhe prokurorisë, për përcaktimin e sferës së kompetencave të përcaktuara nga normat kushtetuese mbi pushtetet e hetimit parlamentar dhe pushtetet e organit publik të prokurorisë, që ushtron ndjekjen penale.
Parimi kryesor që është cënuar nga objekti i hetimit parlamentar lidhet me shtetin e së drejtës. Cënimi i parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve ka sjellë cënim të kuadrit kushtetues të ndjekjes penale.
Në datën 21 Janar 2011 u qëlluan për vdekje tre qytetarë dhe një i katërt humbi jetën ditë më pas, për këtë arsye, organi i prokurorisë përveç fillimit të ndjekes penale mbi faktet dhe rrethanat e ndodhura gjatë tubimit të kësaj date, të referuara nga policia e shtetit, ka filluar ndjekjen penale edhe mbi vdekjet e këtyre personave. Dhe për këtë arsye, hetimi i Prokurorisë përfshin të gjitha rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja e rëndë dhe që janë edhe objekt hetimi i komisionit që në këtë mënyrë, ka marrë atribute që u përkasin organeve të tjera kushtetuese.
Qëllimi i ngritjes së komisioneve hetimore është për të njohur dhe verifikuar në thellësi një fenomen, ngjarje ose veprimtari, me synimin e nxjerrjes së përfundimeve mbi nevojën e miratimit, plotësimit apo korrigjimit të ligjeve të veçanta. E drejta për të ushtruar hetim parlamentar nuk mund të jetë, megjithatë, e pakufizuar. Kufizimi i saj lidhet me detyrimin që objekti i hetimit të respektojë parimet kushtetuese, siç është parimi i ndarjes së pushteteve.
Nëpërmjet komisionit hetimor me një objekt jokushtetues, Kuvendi ka marrë kompetenca hetimore që nuk i përkasin.
Comments are closed.
Kujtova se kane vdekur anetaret e komisionit,bashke me Halimin,por s’qenka e vertete,sa keq.
Vdekja e Halimit do ishte humbje e madhe.Koka te tilla te cuditshme nuk jane pare qe nga koha e dinosaureve.
Artikull me shume brume. Faleminderit zoti Lorenc Vangjeli. Une vete nuk marr vesh nga jurisprudenca, por si nje njeri i thjeshte mendoj se artikulli eshe shume bindes. Lavdi zotit qe ne Shqiperi kemi akoma njerez te tille te ditur dhe trima si artikullshkruesi.
Komisioni me qesharak i te gjithe kohrave
Keto komisione i ngjajne katerciperisht peralles me Mbretin Lakuriq. Te detyruar nga cmenduria e mbretit te tyre , obortaret therisnin ne nje goje : Kush nuk e shikon qe mbreti eshte i veshur ( kur ai ishte lakuriq fare) ose eshte budalla ose i cmendur. Ajde gjeja fillin tani : te pranosh te verteten e mbretit lakuriq dhe te deklarohesh budalla , apo te therasesh si Obortaret e mjere. Keshtu eshte eshe kjo puna e komisionit BLLOF. Faleminderit Lorenc Vangjelit per kontributin e tij ne gazetari
Halimi duhet te shpallet personazhi i vitit 2011. Nuk besoj se ka ndonje rast tjeter ne bote, ku nje person ti dedikohet me kaq pasion autodenigrimit. Dhe mbreti i mazokisteve do ti hiqte kapelen Halimit.
Mero,te propozoj qe te hapesh nje rubrike Sondzh:Kush mendoni se nga anetaret e komisionit “H” jane te pa besueshem dhe nuk sigurojne dot certifikate sigurie.
Bravo!!! Bravo!!! per guuximin qe kane, te rrish prane ketij pushteti te ndyre politik ne Shqiperi eshte njesoj si te besh vetevrasje pa date por te planifikuar.