Nga Preç Zogaj
Çështjet e ndotjes, të gjelbërimit, të pastrimit, të trafikut, të transportit publik, të punësimit, të uljes së numrit të nxënësve në klasa, të thithjes së talenteve të shkolluar jashtë vendit, të largimit të lypësve nga rruga… Janë probleme, për të cilat kanë folur e flasin gjithnjë të gjithë kandidatët për kryetar bashkie të qytetit të Tiranës.
Nga ana tjetër, janë probleme që nuk kanë qëndruar në vend, por kanë marrë zgjidhje të pjesshme, të përkohshme, apo edhe të qëndrueshme nga një palë zgjedhje në tjetrën. Nga një qytet-fshat me një qendër groteske dhe me një periferi të stërmadhe, që Spartak Ngjela e quante me shaka “dormitorio”(fjetore), Tirana është bërë një qytet ku ka nisur të marrë jetë policentrizmi, me rrugë të zgjeruara dhe të asfaltuara në akset parësore dhe dytësore, me investime publike dhe private të shpërndara në gjithë perimetrin e qytetit.
Tirana brenda Unazës së Vogël ka ndryshuar shumë. Periferia nuk është më ajo që ka qenë. As në madhësi, as në pamje. Dallimet me pjesën e qendrës ekzistojnë, ka ende andej-këndej rrugica dhe mëhalla të lëna pas dore, por në tërësi kontrastet e forta të para disa viteve janë zbutur. Sot Tirana është një qytet i madh, pikësëpari sepse po ndërtohet si i tillë dhe jo thjesht sepse ka një popullsi tre herë me të madhe se në fillim të viteve nëntëdhjetë.
Natyrisht, rritja e shpejtë dhe e vijueshme bën që disa nga zgjidhjet e dhëna të “plaken” apo të fillojnë t’i rrinë ngushtë këtij qyteti të hapur. Ndërkohë, zhvillimi nxjerr në pah probleme të panjohura më parë. Kjo është marrëdhënia e gjallë midis kërkesave dhe përgjigjeve , midis nevojave dhe zgjidhjeve. Kërkohen gjithnjë zgjidhje të reja, ndërhyrje të reja. Në vartësi të prioriteteve dhe mundësive. Tipike për këtë që po themi është çështja e trafikut dhe, lidhur me të, çështja e ndotjes së ajrit. Ka pasur investime të rëndësishme për lehtësimin e trafikut.
Janë zgjeruar disa nga arteriet kryesore të qytetit. Unaza e vjetër është transformuar, bregu i Lanës ngitet në të dy krahët në një gjatësi shumë më të madhe se më parë; janë ndërtuar ura dhe rrethrrotullime me vlerë nga bashkia dhe aty – këtu edhe nga qeveria. Por “qytetarët kanë qenë më të shpejtë”. Makinat janë shtuar më shumë se investimet. Në kushtet e krijuara ndërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës është zgjidhja që e kap demin për brirësh.
Në arsim ka ndodhur pak ndryshe. Në vitin 2003, opozita e asaj kohe reklamonte një gjendje alarmante me 50-55 nxënës për klasë. Sot, deri edhe kandidati demokrat për bashkinë e Tiranës, zoti Lulëzim Basha, foli për një mesatare 40 nxënës për klasë. Vetë bashkia pretendon për një shifër më të ulët. Sido që të jetë e vërteta, ndërsa jemi ende mbi normë, merret vesh se numri i klasave dhe bankave është rritur më shumë se numri i nxënësve të rinj.
Ka lëvizje, ka zgjidhje, ka gjysma zgjidhjesh, ka qëndrim vendnumëro për një çështje apo mosmbajtje të fjalës për një çështje tjetër. Pavarësisht nga kjo dinamikë, është bërë zakon që lista e problemeve të Tiranës të shpaloset gjithnjë si për herë të parë nga çdo kandidat që vjen për të rivalizuar apo sfiduar kryetarin në fuqi, zotin Edi Rama. Të njëjtën gjë ka bërë deri tani edhe zoti Basha. Dhe si për të mos i lënë asgjë mangët filmit të mëparshëm, zoti Basha ka përsëritur edhe dy zotime të tjera: të publikojë për publikun të gjitha vendimet e Bashkisë; të organizojë çdo të premte pritje populli.
Çfarë do të thoshte më pak ose me shumë një kandidat tjetër i qeverisë? Nuk mund të them se çfarë do të thoshte më shumë, apo çfarë do të thoshte ndryshe një kandidati tjetër. Por besoj se në përgjithësi nuk do të thoshte më pak. Këtu lind pyetja se çfarë e diferencon një kandidat nga një tjetër në kushte të tilla? Çfarë i jep jetë, çfarë i jep autorësinë dhe vulën e personit një projekti për bashkinë? Të merremi vesh. Lista e problemeve qëndron në themelin e një projekti politik, teknik dhe menaxherial për qeverisjen e qytetit.
Por problematika nuk është vetë projekti. Zotimet me fjalë, pa u shoqëruar më mënyrën dhe mjetet e realizimit të tyre, nuk janë vetë projekti. Projekti është një lidhje organike propozimesh, përparësish, mundësish, burimesh… Dhe si një emërues i përbashkët i gjithë këtyre elementeve është vetë kandidati, natyra e tij, formimi i tij, karakteri i tij, profili i tij politik, profesional dhe njerëzor. Nuk mund të ketë një projekt anonim qoftë për qeverisjen qendrore, qoftë për qeverisjen lokale. Zgjedhësit u besojnë para së gjithash subjekteve politike dhe kandidatëve.
Përmes tyre shkojnë te programet. Kjo është natyra politike e zgjedhjeve. Po të ishte gara vetëm teknike, po të garohej vetëm me termat se kush i liston më mirë problemet dhe kush zotohet më mirë se shoku, nuk do të ishte nevoja të mundoheshin zgjedhësit. Më mirë shpallej një konkurs ndërkombëtar për menaxher bashkiak dhe zgjidhej problemi. Por drejtimi, edhe në nivelin e pushtetit vendor, mbështetet në parimin e përgjegjësisë së votës popullore dhe ka gjithnjë karakter politik.
Nëse vjen nga politika, por edhe nga shoqëria civile po të vijë, kandidati për kryetar bashkie, veçanërisht kandidati për Tiranën, e ka të detyrueshme shpalosjen me masë të vizionit të tij politik. Kandidati i PD-së për Tiranën në vitin 2003, zoti Spartak Ngjela i ndezi zemrat e demokratëve me idetë dhe shqiptimet e tij të paharruara për sundimin e ligjit si “monarku i vetëm në demokraci”, për çudibërjen e tregut të lirë, për meritën dhe elitën që “për ne është pronë”, për autonominë fiskale si “thelbi i thelbeve” i autonomisë vendore e tjerë. Kandidimi dhe fushata e tij kaluan në Tiranë si një thirrje dhe si një festë lirie, që vetëm ai dhe vetëm opozita e asaj kohe mund ta artikulonte.
Po cili është mendimi politik i Lulëzim Bashës? Qëkurse Liberalët e Rinj patën organizuar në vigjilje të zgjedhjeve të vitit 2005, një tryezë për vizionet liberaldemokratike, nuk më ka rënë rasti të dëgjoj apo të lexoj diçka politike prej tij. Ka qenë tërë kohës ministër dhe s’ka pasur kohë? Ka shkruar e folur, por më ka shpëtuar mua? E gjithë kjo nuk ka rëndësi. Por duhej diçka djalli e mori, në daljen e tij publike si kandidat për kryetar bashkie. Sepse po kandidon si politikan i radhës së parë në PD. Sepse Tirana është trampolina për më tej. Sepse në shumë mjedise politike dhe mediatike afër PD-së shihet si pasardhësi i zotit Berisha.
Me fjalë të tjera, dalja për herë të parë me kostum lideri ishte tamam rasti i Bashës për t’u hapur zemrën qytetarëve se cili është vizioni i tij për liritë, për sundimin e ligjit, për decentralizmin e tjerë – të gjitha këto jo në formën e citateve, por të aktualizuara në realitetin e kryeqytetit shqiptar sot dhe nesër. Për elitën dhe për qytetarinë e Tiranës, këto janë gjëra që vlejnë dhe çmohen më shumë se premtimet e tipit etatist që kandidatët e qeverisë i ofrojnë si “dhurata” për popullin.
Është e pabesueshme që në fjalimin e Bashës në çelje të fushatës mund të gjesh vetëm një apo dy fraza të mjegullta në lidhje me vizonin e tij politik kur flet për dy rrugë që ndahen: Njëra është politika e vjetër e ndasive, akuzave, konfliktit dhe pesimizmit. Kuptohet se kjo është, sipas tij, rruga e Ramës dhe opozitës. Tjetra është rruga që udhëheq drejt mundësive, bashkimit, shpresës , optimizmit – fjali e kërkuar që ka parasysh Berishën dhe shumicën qeveritare. Janë fraza propagandistike, pa thelb politik dhe për më tepër edhe të gabuara.
Akuzat që shkojnë në gjykatë i bëjnë mirë shoqërisë, qoftë kur vërtetohen, qoftë kur hidhen poshtë. Ndërkohë që shpifjet vetëm e helmojnë dhe e shkatërrojë atë. Zoti Basha, si politikan i ri, duhet ta dijë se politikë e vjetër dhe antidemokratike janë shpifjet, jo akuzat e zyrtarizuara në organin përkatës. Politikë e vjetër dhe antidemokratike është kultura e pagjykueshmërisë dhe pandëshkueshmërisë, që po vret demokracinë shqiptare. Sa për konfliktualitetin, kush nuk e di se kampioni në Shqipëri ka qenë dhe është zoti Berisha. Basha i mbështjellë me mjegull, këto fraza, sepse ato bien mbi të.
Më shumë se kaq, edhe pse mund të këtë mendime politike, ai nuk mund t’i thotë, sepse do t’i duhej të përplasej me vetveten dhe qeverinë e tij. A mund ta thotë, fjala vjen, Basha frazën e Presidentit të Francës, Nikola Sarkozi, se në demokraci ka edhe demonstrime të dhunshme, për fat të keq, por demokracia nuk e toleron përdorimin e plumbave të vërtetë? Ky është një koncept i fondamenteve të demokracisë. Mendjet e lira këtu e bëjnë diferencën. Nuk e thotë dot, sepse do t’i duhej të përballej me të vrarët në demonstratën e 21 janarit në Tiranë.
Kushtetutshmëria, sundimi i ligjit, decentralizmi – të gjitha këto janë tema të mëdha që e tradhtojnë në zbatim anëtarin e kabinetit “Berisha”, Ministrin e tij të Brendshëm. Por nuk janë vetëm temat e lirisë dhe demokracisë që tradhtojnë. Janë edhe “tekniket”. Premtohet ajër i pastër, ndërkohë që kjo qeveri me agjencitë e saj ligjzbatuese në Ministrinë e Brendshme, të Financave dhe të Ekonomisë janë përgjegjëse për makroskandalin dhe makrokorrupsionin me naftën “Virgjinia”, si armike e mjedisit dhe e makinave të qytetarëve.
Premtohet rritje e financimeve, ndërkohë që nuk jepet asnjë ide se nga do të vinë paratë në kushtet e zotimit tjetër për shkurtimin e taksave. I vetmi “burim” konkret që identifikohet, është shkurtim i rrogave të punonjësve të bashkisë. Sa janë këto punonjës, në ç’masë do t’u ulet rroga, sa do të jetë përfitimi në buxhetin bashkiak! Pa dashur të jem paragjykues, kam frikë se edhe në këtë pikë nuk ka llogari, por thjesht një qasje arkaike dhe populiste, nga ato që u ngrenë mornica politikanëve me vizion liberal.
Zoti Basha nuk shpalosi dot një vizion të hapur për liritë. Nuk e ka? E ka humbur në mjedisin etatist të qeverisë “Berisha”? Ka menduar edhe ai, si shumë e shumë të tjerë dje në komunizëm dhe sot në demokraci se rruga më e mirë për të bërë karrierë në një parti të mbyllur, të dominuar tërësisht nga një njeri i vetëm është të konformohesh, të mos kuptohesh çfarë mendimesh ke, t’i lësh mendimet të vdesin? Ç’rëndësi ka kjo! Fakti është se në ditën përuruese së fushatës së tij për bashkinë e Tiranës, Basha mungoi me mendimet e tij si politikan. Ka luk dhe paraqitje të mirë. Ka një të qeshur simpatike, që i ka bërë punë PD-së në fushatën e vitit 2005. Por mungesa e mendimeve të sistemuara të një politikani është diçka që më e pakta të ndalon buzëqeshjen.
shekulli online
Comments are closed.
Cfare ndryshimi ka Lul-i i Sal-iut nga arusha Mira e cirkut te Tiranes? Jeni te rinj e nuk e keni jetuar ate kohe? Ja u them une; Lul-i eshte baras me arushen Mira, ndersa Sal-iu me Tahir Bacoven.( Te me fali Tahiri qe e kam krahasuar me nje monster) I shkreti Lul nuk vlen as sa nje ari cirku.
Ndryshimi eshte se Arusha Mira kercente Napolonin, kurse derri Luli kendon Kengen e Qomiles.
Te dashur miq bashkohuni dhe ju ne grupin ne mbeshtetje te Edi Rames dhe fushates se PS.
Beni “Like” dhe tregoni mbeshtetjen tuaj.
http://www.facebook.com/pages/Per-Tiranen-rivotoj-Edi-Ramen/203843726301282
P.S Basha momentalisht ka me shume se ne,le t’ja kalojme!