Një veturë e EULEX-it ka shpërthyer, sot në orët e hershme të mëngjesit, në lagjen “Kodra e Diellit” në Prishtinë.
Policia e ka konfirmuar rastin dhe është duke hetuar nëse zjarri ka qenë i qëllimshëm apo aksidental. Dëshmitarët besojnë se zjarri ka qenë i qëllimshëm, ngase kanë dëgjuar kur veturës i janë thyer xhamat dhe brenda është vënë një masë eksplozivi.
“Rreth orës 5 të mëngjesit dy vetura të EULEX-it janë djegur në rrugën ‘Ferat Dragaj’. Ekspertët e zjarrit pritet ta konstatojnë nëse zjarrvënia ka qenë e qëllimshme apo aksidentale”, ka njoftuar zyra për informim e Policisë së Kosovës.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë zjarrfikësit, të cilët kanë lokalizuar zjarrin. Shpërthimi i veturës ka shkaktuar panik te banorët e kësaj lagjeje.
KTV ka transmetuar fotografi të bëra pak minuta pas zjarrit. Jozyrtarisht thuhet se tre persona i kanë vënë zjarrin veturës dhe kanë ikur në drejtim të panjohur.
Express