Sulmuesi argjentinas, Karlos Tevez, ka vendosur përfundimisht që të largohet nga ekipi anglez Mançester Siti. Me një deklaratë të shpërndarë për mediat, Tevez ka thënë se tashmë është koha për t’u larguar, për shkak të familjes së tij. “Me keqardhjen më të madhe du t’ju bëj të ditur dëshirën time për t’u larguar nga klubi. Shpreh gjithë vlerësimin tim më të madh për ekipin, tifozët dhe presidentin Mansour, por dua të qendroj më shumë pranë familjes sime”, thuhet në deklaratën e shpërndarë nga Tevez. Ky i fundit kërkon që të rikthehet në Argjentinë, por kjo gjë do të jetë shumë e vështirë, pasi Siti nuk mund ta lërë atë të largohet pa një shifër prej 30 milionë eurosh. Dhe këtë shifër, asnjë klub argjentinas nuk mund ta paguajë. Për këtë arsye, Tevez mund të përfundojë edhe në ndonjë ekip tjetër europian, si Inter apo Juventus, që kanë shfaqur interes për të.