Një vendim i vjetër i Gjykatës Kushtetuese shfuqizoi 12 vjet më parë 18 nene të Kodit Penal dhe të Kodit Penal Ushatarak që lejonin vrasjen në emër të shtetit. Gjithë argumentat e dikurshme të gjykatësve të një vendi që kishte parë vrasje politike pa gjyq nën komunizëm dhe ekzekutim publik në demokraci
Nga Lorenc Vangjeli, MAPO
Përbindëshi norvegjez, autori i masakrës më të madhe në këtë vend që nga Lufta e Dytë Botërore, rrezikon të dënohet vetëm me maksimumi 21 vjet burg për 92 viktimat që shkaktoi. Një lajm i tillë në Shqipërinë e hakmarrjes sy ndër sy dhe dhëmb për dhëmb, ngjan në kufinjtë e të pabesueshmes. Ndryshimi i akuzës ndaj tij dhe klasifikimi si krim kundër njerëzimit, maksimumi mund të shtojë dhe një dekadë më shumë në qeli për të, çka sërish në Shqipëri do të ngjante fare pak. Sepse kështu ndodh këtej Mesdheut dhe kështu është bërë normale të konsiderohet krimi dhe shpagimi ndaj tij në emër të shtetit apo në emër të individit. “I bëjmë thirrje shtetit që ta dënojë vrasësin me vdekje, ta sjellë të varet këtu në mes të fshatit, ndryshe ne do të bëjmë vetgjyqësi”, kronikat e zeza të medias shqiptare e kanë shndërruar një frazë të tillë në steriotip. Mosbesimi i thellë ndaj drejtësisë, por dhe trashëgimia parashtetërore dhe dobësia e shtetit, janë disa nga arsyet se pse kjo situatë nuk është krijuar sot, por është thjesht në vijimësi, në një tunel të cilit nuk i shihet drita. Të paktën ai lloj i dritës që vjen nga Evropa kristiane jo vetëm si trend, por edhe si detyrim. Megjithatë, pakkush kujton vitin e largët 1999, kufirin e fundëm në të cilin Kodi Penal dhe Kodi Penal Ushtarak kishin së bashku plot 18 nene që ndëshkonin fajtorët me vdekje. Po në atë vit, një vendim i rrallë i Gjykatës Kushtetuese, të cilin MAPO e ka në dispozicion, vendosi shfuqizimin e atyre neneve si të papajtueshëm me kushtetutën, një akt i rrallë edhe kurajoje ky, sidomos duke pasur parasysh rrethanat në të cilat merrej; vendi sapo kishte dalë nga anarkia e vitit 1997 dhe krimi kundër jetës, krimi kryesor që ndëshkohej me vdekje, ishte mjaft shqetësues.
Vrasjet në emër të shtetit
“Makina mori kthesën që të nxjerr në unazë rreth orës 04.00 të mëngjezit. Një tjetër furgon me policë shoqëronte atë udhëtim, që për një nga pasagjerët me pranga në duar, ishte i fundit. Atë do ta ekzekutonin në emër të shtetit”. Këto fraza dramatike janë shkruar në vitin 1994 nga gazetari i njohur Edmond Laçi, atëherë reporter i Gazeta Shqiptare dhe përshkruanin ekzekutimin e një të dënuari me vdekje që nga nxjerrja e tij nga qelia e deri në vendin ku u ekzekutua me një plumb në kokë.
Në vitin 1993, gazeta Aleanca kishte botuar një reportazh nga burgu 313 dhe një nga personazhet e tij, F.S., kishte dy vjet që priste edhe ai të ekzekutohej. Ishte dënuar me vdekje sepse kishte vrarë një ushtar të shërbimit të detyruar për t´i vjedhur mushkën me të cilën transportonte ushqime për repartin e tij. “I lidhur me pranga në duar dhe me një skafandër të rëndë në kokë, F.S. beson se është viktimë e një komploti në të cilin ishin përfshirë të gjithë të afërmit e tij që e donin të vdekur për çështjen e një trashëgimie toke. Rrëfimi i tij ishte gati sureal dhe ndërpritej vetëm nga betimet e herëpashershme për pafajësi të plotë”, shkruhej atëherë tek gazeta Aleanca për personazhin që do të ekzekutohej po atë vit.
Më herët, në qendër të Fierit, në 25 qershor të vitit 1992, dy vëllezër, Ditbardh dhe Jozef Çuko, u varën publikisht. Atyre ju hodh laku në fyt në orën 02.00 pas mesnate dhe u lanë pothuaj gjithë paraditen përpara një turme të shokuar kureshtarësh si ndëshkim për masakrën e tmerrshme që i kishin shkaktuar një familjeje fierake, përfshi dhe vrasjen e një foshnjeje vetëm shtatë muajshe. Në mënyrë të menjëhershme pati dy reagime të kundërta: opinioni shqiptar, edhe në mungesë të sondazheve të besueshme, e konsideroi si një akt të drejtë këtë vrasje të dyfishtë të dy vëllezërve, kurse Amnisti International, duke marrë pasasysh edhe krimin e rëndë të tyre, ekzekutimin e quajti “johuman dhe degradues”. MAPO ka mundur të sigurojë dhe një nga telegramet e shumtë të protestës që kjo organizatë dhe të tjera të ngjashme, i ka dërguar në atë kohë Presidentit të Republikës që kishte firmosur dënimin e tyre me vdekje dhe njëkohësisht edhe ministrave të drejtësisë dhe të punëve të jashtme.
Do të kalonin edhe tre vjet deri sa Shqipëria të bashkohej me familjen e madhe evropiane që në të drejtën e saj juridike dhe kristiane, e konsideron dënimin me vdekje si johuman. Bëheshin kështu gjithsej pesë vjet, që Shqipëria ish-komuniste po ballafaqohej me një realitet të ri dhe për vendin në të cilin, ekzekutimet për motive politike ishin normë, të gjitha mëdyshjet ishin deri diku të kuptueshme. Pamjet e vjetra bardh e zi kur një togë ushtarësh qëllonte barbarisht të quajturit sabotatorë të kënetës së Maliqit, mes tyre edhe një grua, dhe fotot e vjetra të ministrisë së brendshme të komunistëve që dokumentonin vrasjen e armiqve fatkeqë të regjimit, tashmë po kalonin në arkivin e historisë. Në realitet, ekzekutime të tilla në demokraci ndodhnin nga vetë individët që në vend të shtetit, vendosnin të hakmerreshin individualisht.
Moratoriumi, shteti nuk vret më
Plot 16 vjet më parë, në 11 korrik 1995, ish-kryetari i Kuvendit Popullor Pjetër Arbnori, i dënuar i ndërgjegjes, firmosi miratimin e ligjit 7959, për aderimin e Shqipërisë në Statusin e Këshillit të Evropës, një nga etapat e mundimshme të rrugës për integrimin evropian të vendit. Por një akt i tillë, shoqërohej dhe me një sërë detyrimesh të karakterit juridik ndërkombëtar, të cilat Shqipëria morri përsipër t´i realizonte brenda disa afateve të ngushtë kalendarikë. Shqipëria detyrohej që të ratifikonte Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut si dhe të nënshkruante protokollin 6 të kësaj Kovente për heqjen e dënimit me vdekje në kohë paqeje, brenda një afati tre vjeçar që nga koha e pranimit në Këshillin e Evropës. Rezoluta e tetorit të vitit 1994 e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, parashikonte se: “Zbatimi adekuat i Protokollit shtesë të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut duhet të mbetet një nga preokupimet e Asamblesë dhe vullneti për ta ratifikuar këtë protokoll duhet të përbëjë një kusht për anëtarësimin në Këshillin e Evropës”. Kjo klauzolë e karakterit juridiko-ndërkombëtar përbënte tashmë për Republikën e Shqipërisë, si një nga vendet që kishte fituar statusin e të ftuarit special, një kusht thelbësor për anëtarësimin e saj pranë Këshillit të Evropës. Për këtë arsye, që nga ky moment – nga viti 1995 – në Shqipëri edhe pse gjykatat vijonin të dënonin me vdekje, asnjë prej këtyre vendimeve nuk ishte ekzekutuar. Në vitin 1998, kohë kur moratoriumi për ekzekutimet kishte përfunduar, në Shqipëri kishin ndodhur ngjarjet e rënda të vitit 1997 dhe një vit më pas, kishte hyrë në fuqi Kushtetuta e re. Neni 21 i saj përcaktonte se: “Jeta e personit mbrohet me ligj”, por dhe ky nen, nuk sqaronte në mënyrë përfundimtare se çfarë do të bëhej me jetët e atyre që kishin marrë kriminalisht jetë të tjera. Sfondi politik i kohës e bënte edhe më të vështirë hedhjen e hapit final të heqjes përfundimtare të dënimit me vdekje. Opinioni publik i trazuar nga 1997 kërkonte sërish zbatimin e formulës hakmarrëse “sy për sy dhe dhëmb për dhëmb” dhe politika e ditës e kishte të vështirë të vihej përballë kësaj mendësie popullore në këmbim të vlerës kristiane të Evropës që jetën e jep vetëm Zoti dhe vetëm Zoti e merr. Vetëm një vit më pas, u gjend dhe një mundësi e tillë. Gjykata e Lartë, ndërpreu shqyrtimin e një çështjeje me disa të pandehur që rrezikonin dënimin me vdekje dhe ju drejtua Gjykatës Kushtetuese për t´u shprehur për papajtueshmërinë me kushtetutën me dispozitat e Kodit Penal që parashikonin dënimin me vdekje. Dhe kështu, topi kaloi në duart e gjyqtarëve më të lartë të vendit.
Në Gjykatën Kushtetuese
Sokol Sadushi, kishte vetëm një vit që ishte mandatuar si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Vetëm 35 vjeç, një nga juristët me moshë më të re që është ulur në atë tryezë, Sadushi caktohet relator i çështjes dhe shkruan vendimin prej 12 faqesh të 10 dhjetorit 1999. Ai ishte absolutisht një nga vendimet më të vështira që ka marrë ndonjëherë një trupë e tillë, gjithashtu dhe në një sfond të ngarkuar politik dhe me një popullatë kryesisht armiqësore ndaj vendimit të dhënë. Madje, një parti politike, republikanët, në ditën që do të shpallej vendimi, organizuan edhe një protestë përpara selisë së Gjykatës Kushtetuese. Por rruga e nisur, nuk kishte më kthim. Ishin tetë gjykatës të cilët firmosën unanimisht këtë vendim historik. Ata ishin, Fehmi Abdiu, Kryetar dhe gjyqtarët Hilmi Dakli, Zija Vuci, Hajredin Fuga, Alfred Karamuco, Kristofor Peçi, Kujtim Puto dhe Sokol Sadushi, relatori i çështjes.
U desh një muaj kohë nga fillimi i procesit deri në dhënien e vendimit. Në vendimin e arsyetuar që revista MAPO ka në dispozicion, fillimisht bëhet një prezantim i të drejtës evropiane dhe detyrimeve ndërkombëtare që kishte marrë Shqipëria për shkak të anëtarësimit të saj të hershëm në Këshillin e Evropës. “Nënshkrimi dhe ratifikimi në afatin e caktuar i Protokollit nr.6 nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, do t’i shërbente afirmimit të kredibilitetit të Republikës së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, si një shtet që shfaq seriozitet dhe përgjegjësi në drejtim të realizimit pa hezitim të atyre angazhimeve që ajo vetë i ka pranuar, si dhe do të mbyllte përfundimisht këtë problem mjaft të diskutuar”, thuhej në këtë vendim. Dhe më tej: “…Kushtetuta është hartuar duke u bazuar edhe në parimet që sanksionon Statuti i Këshillit të Evropës, ku në nenin 3 të tij thuhet: “Çdo anëtar i Këshillit të Evropës pranon parimin e përparësisë të së drejtës dhe parimin në bazë të të cilit çdo person nën juridiksionin e saj duhet të gëzojë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore. …edhe qytetarët shqiptarë si pjesë e kësaj bashkësie evropiane, ku heqja e dënimit me vdekje është bërë një domosdoshmëri, nuk mund të bëjnë përjashtim nga ky rregull dhe as nuk mund të vihen në pozita më të disfavorëshme në krahasim me qytetarët e shteteve të tjera për gëzimin e këtyre të drejtave dhe lirive themelore. Për këtë arsye ndaj tyre mund të zbatohen vetëm ato lloj kufizimesh që në thelb nuk tejkalojnë legjislacionin evropian”.
Në vendimin e tyre, gjykatësit nuk i referohen vetëm nenit 21 të Kushtetuës, të Kushtetutës që sanksionon mbrojtjen me ligj të jetës së personit, sepse ai nuk e ndalon në mënyrë të shprehur dënimin me vdekje, por as nuk e lejon atë. “Eshtë e nevojshme që të interpretohet kjo dispozitë në raport me dispozitat e tjera, me frymën që përcjell në tërësi Kushtetuta, si dhe me mënyrën se si e kanë rregulluar këtë çështje dispozitat e mëparëshme kushtetuese, shkruajnë ata duke cituar dispozitat kryesore kushtetuese, të cilat ishin në fuqi deri në vitin 1998. Sipas tyre, “E drejta e çdo njeriu për të jetuar mbrohet me ligj”, dhe, “Askujt nuk mund t’i hiqet jeta, përveç se në ekzekutim të një vendimi gjyqësor për një krim tejet të rëndë, të kryer me dashje për të cilin dënimi me vdekje është parashikuar me ligj”, dhe, “Dënimi me vdekje nuk mund të jepet për të rinjtë, të cilët në kohën e kryerjes së krimit kanë qenë nën moshën 18 vjeç, si dhe për gratë”. Gjykatësit arsyetojnë se mbi bazën e kësaj dispozite kushtetuese, ishte miratuar Kodi Penal në vitin 1995, pra, “…pa patur asnjë pengesë të karakterit kushtetues për të parashikuar dënimin me vdekje, për disa vepra të rënda penale”.
Por katër vjet më pas, me hyrjen në fuqi të Kushtetutës, gjykatësit vënë re zgjerimin dhe përforcimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut: “Parimet themelore të mbrojtjes së jetës njerëzore gjejnë mbështetje të plotë në dispozitat kushtetuese. Jeta është një e drejtë, atribut fondamental i qënies njerëzore dhe kur kjo jetë hiqet, apo merret nga shteti, njeriu në të njëjtën kohë eleminohet, si bartës të drejtash dhe detyrimesh. Jeta njerëzore përbën një vlerë të padiskutueshme dhe është objekt i mbrojtjes kushtetuese, por kjo nuk do të thotë se mbrojtja e jetës së njeriut në çdo moment dhe në të gjitha rrethanat duhet të jetë e njëjtë, pasi ajo është e influencuar nga një numër faktorësh të natyrave të ndryshme, të cilat është ligjvënësi ai që i parashikon me ligj. Legjislatori është vetëm i autorizuar që të bëjë përjashtimet me ligj, kur si rrjedhojë e mbrojtjes së një të drejte më të rëndësishme kushtetuese, kërkohet të hiqet jeta e dikujt”, shkruhet në vendim.
Më pas, citohet Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila në nenin 2 të saj, parashikon se: “Vdekja nuk quhet e shkaktuar në kundërshtim me këtë nen, në rastet kur ajo është pasojë e përdorimit të forcës, kur një gjë e tillë bëhet absolutisht e domosdoshme: a) për të siguruar mbrojtjen kundër dhunës të paligjshme; b) për të kryer një arrestim të rregullt ose për të penguar arratisjen e nje personi ligjërisht të burgosur; c) për të kundërshtuar, në përputhje me ligjin, një rebelim ose një kryengritje”. “Sipas kësaj dispozite të Konventës, jeta e njeriut mund të hiqet dhe kjo lloj vdekje që i shkaktohet atij, qoftë dhe nga shteti, nëpërmjet organeve të tij, nuk ka të bëjë aspak, si dhe nuk mund të jetë e njëjtë me dënimin me vdekje, si lloj dënimi të dhënë nga gjykata, por është e lidhur me ato raste përjashtimore, shprehimisht të sipërcituara”.
I hapej kështu rruga Kuvendit të Shqipërisë që të hidhte hapin final. Dhe këtë hap e përgatiti Gjykata Kushtetuese, e cila në vendimin e saj, duke cituar nenin 1 të Protokollit 6: “Dënimi me vdekje hiqet. Askush nuk mund të ndëshkohet me një dënim të tillë, as të ekzekutohet”, u jepte ligjvënësve detyrimin që të shfuqizonin një numër nenesh të Kodit Penal. Të plot 18 neneve që lejonin shtetit të merrte jetën e dikujt tjetër, varësisht krimit të shkaktuar. Sipas gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese, “Dënimi me vdekje është një mohim i të drejtës për jetën dhe në vetvete përbën një dënim çnjerëzor e mizor, që shteti e realizon nëpërmjet pushtetit të tij gjyqësor. Dënimi kapital nuk lidhet me kufizimin, por me eleminimin përfundimisht të subjektit nga shoqëria. Ai është një mënyrë e privimit të jetës së personit, i cili në këtë rast ka vetë shtetin si ekzekutor. Dënimi me vdekje nuk i përgjigjet as qëllimit të dënimit penal… Masat e tjera penale që përmban Kodi Penal, duke filluar nga gjoba, burgimi deri në 25 vjet, apo burgimi i përjetshëm, si një alternativë e dënimit me vdekje, janë plotësisht të mjaftueshme, të cilat jo vetëm që përmbushin më mirë qëllimet e dënimit penal, por kur ato zbatohen me rigorozitet nga organet gjyqësore, ushtrojnë ndikimin e padiskutueshëm për ndëshkimin e fajtorëve dhe për një luftë efektive kundër kriminalitetit”.
Këtu u mbyll një kapitull për të hapur një kapitull të ri, por ende të paplotë evropian të vendit. 12 vjet më pas, relatori i kësaj çështjeje, Sokol Sadushi, thotë se ka qenë një nga vendimet më të vështira të marrë, për shkak edhe të situatës në të cilën kalon vendi. Si jurist nuk ka asnjë dilemë në drejtësinë e atij vendimi, por kujton se paradoksalisht, tek kundërshtarët e heqjes së dënimit me vdekje, ishte dhe një kategori e vogël qytetarësh, të cilët ishin pikërisht subjekt i kësaj “faljeje”. “Kam dëgjuar që shumë të dënuar me burgim të përjetshëm janë ankuar për këtë gjë. Eshtë e tmerrshme të mendosh për një jetë të tërë që është e detyruar të kalohet mbyllur në qeli”, thotë Sadushi. Në fakt kështu është, sepse është në natyrën njerëzore që të kërkojë atë që nuk ka mundësi të ketë. Edhe kur bëhet fjalë për jetën dhe vdekjen. Ashtu siç ndodhi dhe me përbindëshin norvegjez, i cili ka të garantuar jetën e tij edhe pse ka marrë jetën e 92 qytetarëve në një masakër tragjike. Amerikanët mendojnë ndryshe. Dhe natyrisht, në një rast të tillë do të kishin vepruar ndryshe. “Sy ndër sy dhe dhëmb për dhëmb”, siç thuhet shpesh në kronikat e zeza të medias shqiptare, kur të afërm të viktimave thonë: “Duam që vrasësi të dënohet me vdekje, ndryshe do ta zgjidhin vetë këtë punë”. Të gatshëm për të nisur një cikël hakmarrjeje dhe një spirale të pakëputur bashkëjetese mes jetës dhe vdekjes.
O Lorenc nuk ke si te besh analiza o burre kur nuk ke shtet, te tjerat jane fjale te kota. Vetem kur shteti te jete ne vendin e tij atehere mund te diskutojme mbi keto fenomene dhe hipoteza, deri sa shteti nuk ekziston çdo diskutim eshte i kote se shteti eshte rregullatori i asaj turme qe quhet popull, ne mungese te tij eshte reaksion normal fakti i mbrojtes qofte edhe me arme, eshte instikt ne fund te fundit qe nuk ekziston vetem te shqiptaret.
Nuk perzihen bashke gjykata te korruptuara dhe denimi me vdekje se shkon per lesh pastaj.
Lorenc je kapur ne degen e gabuar per te mbrojtur ate qe te gjithe e duam “te drejten per te jetuar”….
Ke vene perballe Shqiperine dhe Norvegjine,shqipetaret dhe norvegjezet,dhe ne thua shikoni norvegjezet duhet te kemi ligje te buta si ata…Ti marim gjerat pak me shtruar.Vrasjet ne Norvegji ndodhin njehere ne vit ose s ndodhin fare,po keshtu dhe vjedhjet etj…Ligjet jane per te vene nen kontroll shoqerine.Po ne nje shoqeri te vetkontrolluar ligjet pothuaj s luajne asnje fuksion,prandaj nese egzistojne jane thjesht si mase sigurie ne ndonje rast ekstrem si ky qe ndodhi.Pra ne shoqeri te tilla eshte e kuptueshme qe ligje te jene te buta.Por c ndodh .Ndodh ky rasti ekstrem dhe vihet re qe ligji eshte i bute.Norvegjezet thane ne mbi 60% qe ligji eshte i bute.Nese raste te tilla perseriten me shpesh atehere qeveria do detyrohej te ashpersonte ligjin.Po siku atje te vriteshin 2-3 vete ne dite do fillonin te mendonin per burgimin e perjetshem ose denimin me vdekje..
Le te hidhemi tek Shqiperia:Po veme nje ligj te bute qe te jemi si norvegjezet.Supozojme une vras dike…Ne gjyq koruptoj prokurorin dhe gjykatesin qe s jane norvegjeze po shqiptare te koruptueshem dhe dal i pafajshem ose dal pas tre muajsh se ligji eshte i bute,dhe e zbut me teper gjyqtari i koruptuar.Une dal nga burgu dhe vras nje tjeter.Te afermit e tij e dine qe do dal i pafajshem,atehere c te bejne,te presin qe tu vras nje te aferm tjeter???Jo do me vrasin para se ti vras.Behet fjale per mbijetese.Pras sic e sheh ligji i bute i Norvegjise s fuksionon ne Shqiperi…….
Shkurt hesapi:Shqiperia eshte nje vend me shoqeri ekstreme dhe ligjet duhet te jene ekstreme.Me kalimin e kohes kur shoqeria shqiptare te ndergjegjesohet ,fjala vjen nje vrasje ne muaj jo 2-3 ne dite,ligji zbutetnga denum me vdekje ne burg te perjetshem apo 25 vjet burg dhe kur vrasjet jane 2-3 ne vit atehere ligji behet edh vetem 10 vjet burg.Pra ndergjegjesohet shoqeria pastaj zbutet ligji,jo te zbutet ligji qe te ndergjegjesoje shoqerine…..Ne Norvegji i shka truri njerit dhe vrau eshte rast i i zoluar ,ne Shqiperi na kane shkre trute te gjitheve.Prandaj nuk ka dhe s duhet te kete ligje te njejta apo te ngjashme…….Po te beja nje krahasim do thoje qe Norvegjezet jane aliene per shqiptaret,vijne nga nje bote ende e larget per ne dhe s ka pse adoptojme menyren e tyre te kontrollimit dhe fuksionimit te shqerise…Me kalimin e kohes mbase por jo sot jemi ende shume larg….
Shume bukur ka arsyetuar Albani. Na merzitet pa mase ju snobet qe ne çdo moment na permendi jo “boten”, jo kristianizmin e ku di une. Kina psh, nje superfuqi ne rritje, e ruan denimin me vdekje. Ajo vret vrasesit, dealer-et e droges qe helmojne rinine per tu pasuruar vete, pedofilet etj. Shoqeria njerezore, eshte si organizmi i njeriut. Duhet pastruar, kuruar e lare, se ndryshe qelbet. Personalisht jam plotesisht dakort per denimin me vdekje, si te atij norvegjezit te çmendur, te pedofileve, te vrasesve me pagese etj etj. Hipokritet te mos na qajne me lot krokodili dhe te na hiqen si shenjtore. Bota eshte ndertuar mbapsht. Eshte me e tmerrshme te lesh qindra mijera veta te vdesin nga uria ne Bririn e Afrikes sesa te ekzekutosh nje kriminel. Dhe kjo bota juaj po i le te vdesin, pa iu bere vone shume. Disa madje sulmojne edhe vende te tjera per arsye “humanitare” si psh Irakun apo Libine dhe kane shkaktuar atje me qindra mijera viktima te pafajshme. Per keta duhet te mendohet te shpetohen dhe jo per kriminelet. Veçse ne qofte e vertete shprehja se korbi korbit nuk ia nxjerr syte.
Ahhhhhhhh …Une LITAR, kame vite qe pres per pune! kjo qeveri anti shqiptar i takon litari ne fyte…
Litari, dhe une zjarri kame te njejtin “PLANE” pres benzine te me hedhen. SHQIPERIS I KAN NGELUR VETEM DY PATRIOT “Mero Baza dhe Lorenc Vangjeli” COHUNI VELLEZER TE SHPETOJME SHQIPERIN, nga agjentet,spiunet e tipit Sali-Luli..
eshte e vertete ligjet duhet te zbuten gradualisht jo sic ndodhi te ne nga ligje ekstreme ne ligje korruptive