Votohet përsëri, më shumë, më fort

5 Gusht 2011, 10:36Politika TEMA

Nga Preç Zogaj

Në pikun e verës, në një ditë që rikthen temperaturat e larta, zgjedhjet  e përsëritura  në disa komuna të vogla të Shqipërisë  kanë fare pak gjasa të tërheqin  vëmendjen e  publikut të gjerë.  Për më tepër, ato  zhvillohen  në shenjën e stërngopjes dhe neverisë  ndaj një procesi  zgjedhor të stërzgjatur  e të manipuluar mu në Tiranë, mu në zemër të vendit, si askund  tjetër në tokën e Europës. Në kushte të tilla, kur dielli djeg vetëm shumë  dhe kur  regjimi i Berishës e ka goditur me sa ka mundur besimin e njerëzve te vota e lirë, katedrat e politikës parashikojnë natyrshëm indiferencë, mpirje, limonti, pjesmarrje të ulët, votime sa për të kaluar radhën, fitore të lehta të kandidatëve të  shumicës qeveritare, një mbyllje të shëmtuar dhe mjerane  të maratonës  së zgjedhjeve vendore që mbuluan  pranverën dhe verën e vitit 2011!

Vërtetë, duket se nuk ka asgjë intriguese në këto zgjedhje të përsëritura; nuk ka kuriozitet, nuk ka pritshmëri, nuk ka jehonë;  përvec kandidatëve, stafeve respektive dhe disa zyrave partiakë, askush  nuk i ka në defter këto zgjedhje të përseritura. Mendjet  e mprehta të botës mediatike po merren  me kuptimin e  dashit të  kurbanit në bashkinë  deri dje laike të kryeqytetit shqiptar, me sulmet e reja  të zotit Berisha  kundër Presidentit  Bamir Topi, me “gurin” e koalicionit  hipotetik PS-LSI  që dikush e hodhi në lumë dhe dhjetë të tjerë s’po e nxjerrin dot… Por zgjedhjet e përsëritura në dhjetë  komuna të vogla nuk janë e nuk kanë përse të jenë në  vëmendjen e tyre në këtë moment. Shokët e mi në Tiranë perqeshin me takt përfshirjen  time  në emocionet e zgjedhjeve në  komunën e Kolshit në Lezhë.  Nuk e thonë hapur  se janë njerëz të edukuar, por e marr me mend se çfarë mendojnë për mua: “E tërheq ajo dreq Lezhë, ajo dreq province;  e argëton, por edhe e zvogëlon, apo jo?  Këtu, pas asaj që ndodhi në Tiranë, është vënë në diskutim e ardhmja e politikës, kurse ai jep e merr  me Lalmin e ri, me Manatinë, me Barbullojën…”.

Në fakt, përkundër  asaj që përceptojnë  disa prej miqve të mi në mediat e Tiranës, unë kam  një ide tjetër për zgjedhjet e përsëritura në dhjetë komuna. Kam idenë se këto zgjedhje, përveç qëllimit të  respektueshëm për zgjedhjen e kryetarëve të ligjshëm, kanë edhe një mision. Kanë misionin të sfidojnë goditjen që i është votës së lirë  me maskaradën  zgjedhore  në  Tiranë. Me fjalë të tjera, të sfidojnë psikozën e disfatës dhe kapitullimit që mbjell  në shpirtin e njerëzve vjedhja e votës. Kësaj radhe  manipulimi ka qenë spektakolar, live, para kamerave. I vjedhuri nuk ka qenë dokushdo,  por vetë shefi i opozitës, Edi Rama. Goditja e madhe, bereqeti i madh! Kështu  kanë gjykuar  ata që vunë në jetë  maskaradën: me një gur të vrasin dy zogj.  Të marrin  bashkinë e kryeqytetit  dhe njeherësh  të  shkurajojnë më  shumë se kurrë opozitën, zgjedhësit e saj.  Pra “të fitojnë” qysh tani edhe për  herën tjetër, mundësisht me duar të pastra herën tjetër, pa qenë më nevoja e shtimit të votave me dorë, pra pa e bërë  baltë si qenë të detyruar ta bëjnë kësaj here, por urtë, butë, ashtu sic thuhet se  ia bën  Putini në Rusi, i cili, me gjasë nuk vjedh më vota  dhe nuk ka përse të vjedhë pasi një numër shumë i madh i zgjedhësve  të lirë dhe opozitarë në Rusi nuk shkojnë më  në zgjedhje me mendimin se vota e tyre vidhet, nuk numërohet, tjetërsohet dhe për të mos ua dhenë këtë kënaqësi kusarëve nuk shkojnë fare.  Duke i vjedhur disa herë, Putini me gjasa  ia ka dalë  t’i  lerë në shtëpi, domethenë t’i përjashtojë ata  në formë vetwpërjashtuese nga e drejta e votës. Kjo është sigurisht ëndrra e gjithë putinistëve të Europës,  të mëdhenj a  të vegjël qofshin.  Jo rastësisht, pas zgjedhjeve në Tiranë janë shtuar ndjeshëm  në internet dhe në media opinionet pesimiste dhe disfatiste të qytetarëve për vlerën e votës. Por nga ana tjetër duket qartë se është rritur shumë edhe  zemërimi për atë që ka ndodhur. Janë të shumtë ata që nuk duan gjë tjetër vecse  të mund të votojnë e të votojnë për të nxjerrë  “inatin” për Tiranën  me një votë kundër Berishës.

Zgjedhjet e përsëritura në dhjetë komuna erdhën në këtë kontekst. Ato do të ishin një test i parë i efekteve që kanë krijuar manipulimet  në Tiranë. Ato do të na jepnim mundësinë të shihnim se në c’raporte janë mpirja dhe  disfatizmi në një anë  me vendosmërinë dhe zemerimin  në anën tjetër. Nuk kam një përgjigje shterruese për të gjitha komunat ku u përëriten zgjedhjet. E dhëna e parë  përshtypjelënwse  dhe optimiste ishte pjeswmarrja e lartë në votime. Më e lartë se në zgjedhjet e  8 majit. Në fshatrat afër apo larg qyteteve ku shtrihen  këto komuna njerëzit vërshuan nga mwngjesi në mbrëmje  drejt qendrave të votimit. Vërshuan zgjedhësit qeveritare, vërshuan po aq të vendosur, madje edhe  më të vendosur zgjedhësit opozitarë. Kjo ndodhi në një ditë  të nxehtë vere, që kishte shumë pak gjasa për të prodhuar një ngjarje, por që  prodhoi megjithatë një  lajm shumë të mirë për demokracinë: pjeswmarrjen e lartë  në votime si shprehje e një vetwdijeje akoma më të lartë  për  vlerën e votës.  Në komunën Kolsh të rrethit të Lezhës pjesmarrja ishte rreth tre përqind me e lartë se me 8 maj. Kishin ardhur disa emigrantë, por numri i tyre ishte më i vogël  se numri i shtuar i votuesve në tërësi. Një dëshirë e tillë për të votuar nuk ishte parë prej vitesh në ketë komunë që rrethon si një shall qytetin e Lezhës.

Mazhoranca angazhoi ministra, deputetë dhe gjithë  panelin e drejtorëve rajonalë. Nuk ka dyshim se ky fakt ka patur ndikimin e  vet pozitiv në  rritjen e interesimit të banorëve  për zgjedhjet dhe në angazhimin simetrik të palës opozitare. Por ngjarja kuptimplote në këtë komunë të mesme  ishte  pjesmarrja shumë e madhe e zgjedhësve opozitarë dhe përmbysja spektakolare e rrezultatit të datës tetë maj në favor të kandidatit të Opozitës së Bashkuar, Ferdinand Ndoja.

Në 8 maj  kandidatët rivalë  ishin thuajse barazim, me një epersi të pallogaritshme prej pesë votash  të kandidatit të shumicës, epërsi që u hodh poshtë nga Kolegji Zjedhor për shkak të mospërputhjes së numrit të votave me numrin e  votuesve.  Kurse me 31 korrik kandidati i opozitës mori rreth 400 vota me shumë. Analizat partiake do të ndricojnë  arsyet e kësaj përmbysjeje. Partitë e opozitës ndoshta do të evidentojnë me të drejtë rwndësinë vendimtare të bashkimit  të  faktorëve dhe aktorëve opozitarë të majtë dhe të djathtë.  Nga krahu i shumicës ndoshta do të kërkojnë ndonjë “kokë turku”. Por unë besoj se përtej arsyeve strikte lokale, ka një arsye më të përgjithshme që ka përcaktuar këtë përmbysje. Është përgjigja e një bashkimi të gjerë opozitar kundër  atentatit më të fundit të qeverisë ndaj votës së lirë në Tiranë. Votohet përsëri, më fort, më bindshëm.  Në Kolsh u eksperimentua kjo përgjigje, që çoi me shumë njerëz në zgjedhje dhe i dha vlerën e merituar votës. Edhe të “vegjlit” mund të japin mesazhe për gjithë vendin. Tani jam i bindur se edhe miqtë e mi në Tiranë  po mendojnë ndryshe për zgjedhjet  e së dielës.

 

6 komente në “Votohet përsëri, më shumë, më fort”

  1. endri says:

    Ti Prenc te drejte ke mor mik, qe nuk na behet me te votojme pasi e dime se vota nuk do te lexohet kjo eshte e sigurte dhe ne 2013 te gjithe ne mendojme se do jete e njenjta situate. Populli voto, Berisha numero.
    E perse duhet te votohet me ne kete vend? Si ka mundesi qe u vodhen votat u ndryshua vullneti i zgjedhesve dhe Bota nuk hesht?
    UNE PER VETE NDIHEM I LODHUR…

  2. LORA says:

    Nese Opozita nuk merr spunto as nga pergjegjshmeria e banoreve te komunes Kolsh,e paste harram
    voten e tyre e voten e shumices derrmuese te shqipareve.Cfare duan me shume keta zagare te beje populli per perzenien e qeverise tyryry e shefit te saj tyryry???Cfare faji u kane njerzit ketyre qe bene rregulla loje per betonimin e nje pushteti te pavotuar e te urryer nga shumica e shqiptareve.Per mua ardhmeria e shqiptareve varet nga aftesia e Opozites per administrimin e mbeshtetjes qe ju dha me 8 maj per ta shpetuar nga thonjte e pushtetit gangster te dr.tyryry-se.Edhe vota e Kolshit kete tregon,qe njerzit duan te ndryshojne me vote gjendjen e tmerrshme qe jetojne e sepse ata rrefuzojne te pranojne qe te nxirren jashte vendimarrjes per fatin e jetes se tyre.Opozita duhet te marri njehere e mire mesazhin se putinizimin e Shqiperise kane force edhe qytetaret ne Kolsh ta rrefuzojne.Po Opozota a ka force ta rrefuzoje????Kete pres ta shikoj ne aksionin e saj politik qe do te vijoje.

    1. jimmy says:

      Lora…………. Opozita shikone qe te mbushe thaset me EUro atie kryetarit te ps si intereson me gje se asnje se ndigjone ase EU e ase AMERIKE ATE VENDE E kane NE DORE KRIMINELET salija lulja

  3. luis says:

    Pse demoralizohi te dashur opozitar,Preci e thote drejt duhet vershuar te gjithe ata qe jane opozitare,jo vetem te votojme per te larguar Berishen,duke mbrojtur fort voten,dhe po qe nevoja hajdutit ti pergjigjemi me hajduteri.Pra mbrojta me e mire eshte sulmi,sepse edhe ne dime te vjedhim bile te korrim nje fitore te papare.Keshtu i do mushka drute dhe ne te mos hezitojme.

  4. Gazmend Nushi USA says:

    Preco ti e ke ne terezi o vella sa te heqin nga minister behesh kundershtare i asaj qeverie qe te heq nga minister,se ne fakt ti ke lindur per minister se je me origjine me gjak mbretrore dhe ke nje gje te mire ,se kur je minister nuk ke asnje ankese per qeverisjen.Po vazhdo Preco se ne fund te fundit dhe vete e ke pranuar qe ke qene spiun i sigurimit ,por qe gjoja te kane detyruar dhe ky rol te shkon ne cdo kohe.

  5. XHEVAHIR GRADICICA says:

    Zoti Preq !
    Dikur kishe shume komentues dhe lexues
    tani je katandisur si “kokoshi ne nje thele”
    Megjithate do mbahesh mend per shprehjen
    lapidare “me shume dua Nanon se Rajersonin”
    Po deshe te behesh perseri i besueshem per lexuesit
    duhet te shkruash ndonje artikull psh:Nuk dua as Berishen
    as Arvizu-ne as dhe Edi Ramen POR DUA SHQIPERINE.
    NQS E MBAN VETEN PER ATDHEDASHES
    DEHE HIQ DORE NGA BIZNESI I SHITJES
    ARTIKUJVE ME POROSI..tung nga prroi i vlahnes

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje