Pritet marrëveshje Thaçi-Tadiç

19 Shtator 2011, 09:46Rajoni TEMA

Vizita e kryeministrit Hashim Thaçi në Nju-Jork, për të marrë pjesë në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, përveç përpjekjeve lobuese, mund të realizojë edhe një marrëveshje të rëndësishme për veriun e Kosovës. Të paktën kështu besojnë përfaqësues të misioneve ndërkombëtare të akredituar në Kosovë.

Burime të “Zërit” brenda këtyre misioneve deklarojnë se vizita e Thaçit në Nju-Jork, mund të rezultojë me një marrëveshje për heqjen e barrikadave nga rrugët në veri. Kjo marrëveshje, sipas tyre, do të mund të realizohet pas një takimi që do të zhvillohet me presidentin e Serbisë, Boris Tadiç dhe përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian dhe atyre të SHBA-së.

“Barrikadat do të largohen, mirëpo duhet të ketë siguri fillimisht. Për të pasur një ambient të qetë për largimin e barrikadave pa pasoja duhet të ketë një marrëveshje mes palëve dhe kjo marrëveshje ka gjasë që të arrihet në Nju-Jork”, ka qartësuar ky burimi ndërkombëtar.

Madje, sipas të njëjtit burim, arritja e një marrëveshjeje të mundshme ka qenë arsyeja kryesore që kryeministri Thaçi ka shkuar në SHBA, pikërisht në kohën kur veriu i Kosovës është bllokuar nga ekstremistët serbë në përpjekje për të parandaluar ligjshmërinë në këtë rajon.

“ZERI”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje