Oketa: Edhe këtë humbje do ta kalojmë me analiza kafenesh

23 Shtator 2011, 05:25Politika TEMA

Deputeti demokrat, Gazmend Oketa, komenton situatën politike, zhvillimet në qytetin e tij, në Durrës, emërimet politike dhe nepotike dhe rezultatin e zgjedhjeve lokale.

Nga Artur Llana

 

1-Zoti Oketa tani që kanë kaluar katër muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve lokale, a mund të kemi një vlerësim të saktë të asaj që ka ndodhur në Durrës duke qenë se ju jeni deputet i këtij qyteti?

 

Duke ju falenderuar për pyetjen, do thoja se unë mund të jap vlerësimin tim personal lidhur me zgjedhjet e fundit lokale, ndërsa saktësia e këtij vlerësimi mbetet në gjykimin e lexuesve të gazetës suaj. Parë në këndvështrimin e një qytetari të thjeshtë do thoja se fushata e zgjedhjeve lokale konfirmoi edhe një herë qytetarinë durrsake. Ishte një fushatë shumë normale, pa nota të tepruara agresiviteti apo personalizimi si ndërmjet kandidatëve ashtu dhe ndërmjet forcave kryesore politike. Ishte një garë, e cila meriton vlerësimin maksimal si për periudhën e fushatës ashtu dhe mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet me datë 8 Maj 2011. Nga këndvështrimi politik, për Partinë Demokratike të Durrësit rezultati i këtyre zgjedhjeve mendoj se është një tjetër dështim si përsa i takon rezultatit për kreun e baskisë, ashtu dhe rezultatit si forcë politike, rezultat, i cili ka zbritur në nivele tepër të ulëta referuar historikut të zgjedhjeve në Durrës. Personalisht mendoj se ishin të gjitha mundësitë që bashkia e Durrësit të ndryshonte drejtim dhe të kishte për kryebashkiak kandidatin e Partisë Demokratike, mundësi të cilat fatkeqësisht nuk u shfrytëzuan. Por më 8 Maj qytetarët vendosën ndryshe nga çfarë prisnim ne si PD, dhe ne nuk na mbetet tjetër veçse të respektojmë vendimin e tyre. Nga ana tjetër nëpërmjet përfaqësuesve tanë në Këshillin Bashkiak ne duhet të përpiqemi maksimalisht në mbrojtje të interesave të qytetarëve durrsak duke lënë mënjanë përplasjet fallco dhe të padobishme politike.

 

2-Duket tashmë si një traditë që PD-ja e Durrësit nuk bën një analizë të qartë të shkaqeve që e çojnë në humbje, por mundohet të gjejë fajtorë deri në slloganin “armiq klase” brenda saj. Sa e dëmton një parti kjo lloj mënyre e të vepruari dhe a ka gjasa që edhe këtë radhë të mos ketë një analizë të humbjes së bashkisë së Durrësit?

 

Fakti që edhe katër muaj pas zgjedhjeve akoma nuk asnjë mbledhje të strukturave drejtuese të PD-së në Durrës do të thotë se nuk do të ketë asnjë analizë të zgjedhjeve lokale. Fatkeqësisht edhe këto zgjedhje do të kalojnë me “analiza” të bëra nëpër kafene buzë detit. Në gjykimin tim, një mënyrë e tillë të vepruari sigurisht që e dëmton një forcë politike si në imazh përkundrejt qytetarëve, ashtu dhe në mirëfunksionimin e jetës së saj të brendshme. Analizat e kafeneve më tepër se sa tentojnë në gjejnë shkaqet reale të një rezultati negativ zgjedhor, synojnë të sajojnë historinë e radhës me armiq klase, siç i cilësoni ju në pyetjen tuaj, apo armiq të partisë. Nëse duam të përmirësojmë diçka në punën tonë për të pasur një rezultat pozitiv në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, unë besoj se ka nevojë për një analizë serioze dhe të sinqertë, gjë e cila është paksa e pamundur të ndodhë pas një kohe kaq të gjatë. Nëse duam thjesht të ruajmë pozicionet individuale që ne kemi si deputetë apo drejtues lokal, atëherë “analiza” e bërë deri tani është e mjaftueshme.

 

3- Vihet re një zgjatje e kohës së qëndrimit të drejtorëve në institucione që varen nga pushteti qendror, madje ka nga ato që janë që në 2005 të zgjedhur. Pavarësisht punës që ato mund të kenë bërë a nuk është pak paradoksale që një qytet që ka rrjedhje votash të mos e ndjejnë peshën e  përgjegjësisë edhe këta drejtues?

 

Unë mendoj se duhet t’i largohemi praktikës së vlerësimit partiak të një drejtuesi institucioni. Është e vërtetë që shumë prej tyre kanë shkuar në pozicione drejtuese si përfaqësues politik të PD-së së Durrësit, por kjo nuk do të thotë se duhet të jetë partia ajo që vlerëson performancën e tyre. Ata drejtues kanë eprorë ministra apo drejtues të tjerë të cilët mbi bazën e objektivave të qeverisë apo të institucioneve vlerësojnë dhe punën e tyre. Unë nuk mendoj se një drejtor duhet vlerësuar thjesht nga fakti se sa vetë i ka punësuar iks apo ypsilon deputeti, por nga përgjegjshmëria, përkushtimi i tij në punë si dhe nga imazhi që ai ka arritur të krijojë tek qytetarët. Unë mendoj se një forcë politike duhet të gjenerojë ide dhe platforma politike qofshin këto dhe në nivel lokal dhe kur këto ide mungojnë nuk mbetet gjë tjetër veçse të merresh me drejtorë apo deri dhe roje ndërmarrjesh.

 

4-Kohët e fundit ka nisur një reformim, nëse mund ta quajmë kështu në disa institucione dhe konkretisht janë ndërruar dy drejtorë ai i Inspektoratit të Ndërtimit dhe ai i DAR-it. I pari është marrë borxh nga koalicioni i majtë në shkëmbim të një vote dhe i dyti është një njeri që hapur thuhet se është zgjedhur nga grupe që mundohen të kontrollojnë emërimet në këtë parti. Sa është e vërtetë kjo dhe a tregon se PD-ja e Durrësit e ka kthyer në traditë tashmë nepotizmin?

 

Unë do të dëshiroja që komenti im lidhur me këtë pyetje të vlerësohej si një koment që ka të bëjë më themelet apo parimet e çështjes dhe jo me emra të përveçëm. Fjala reformë është disi shumë e madhe për të mbuluar lëvizje të tilla. Marrja e një këshilltari të majtë, i cili gjatë gjithë fushatës punoi kundër kandidatit tonë dhe emërimi i tij në një pozicion drejtues thjesht në shkëmbim të votës në këshillin bashkiak është thjesht një matrapazllëk politik dhe aspak një reformë. Është një lëvizje, e cila sot mund të sigurojë një votë më shumë në Këshillin Bashkiak të Bashkisë Durrës, por që nesër mund të pasohet me efekte negativa në votat e qytetarëve durrsak kundrejt të djathtës. Përsa i takon emërimit të drejtorit të drejtorisë arsimore, nuk ndaj aspak të njëjtin mendim me ju lidhur me personin e emëruar, ndërsa me procedurën e ndjekur po. Kjo procedurë nuk ka të bëjë aspak me integritetin apo aftësitë e drejtuesit të ri të DAR, drejtues i cili unë mendoj se plotëson të gjitha kriteret profesionale për të marrë drejtimin e një drejtorie të tillë, por minimalisht ka të bëjë me parimet e shkelura të transparencës të cilat duhet të mbetën të njëjta edhe kur emërimet janë të goditura.

 

5- Kohët e fundit ju jeni lakuar si deputet me integritet, ndërsa nuk jeni bërë pjesë e votimeve në “turmë”. Sa hapësira ju ka dhënë kjo për ta bërë këtë gjë edhe në strukturat e PD-së së Durrësit dhe a mund të flasim këtu për një frymë që është në kontradiktë me emërimet nepotike apo edhe me lëvizjet që bëhen në strukturat e degës?

 

Njeriu integritetin nuk e fiton nga pozicioni apo posti që mban, por nëse ai ka integritet, ai thjesht e shfaq atë në cilindo pozicion që ndodhet. Unë në të gjitha qëndrimet e mia jam përpjekur që së pari të mbroj interesat e qytetarëve, të cilët më kanë votuar. Kur një deputet bën betimin, ai betohet mbi kushtetutën e vendit, kushtetutë e cila i takon të gjithë shqiptarëve pavarësisht bindjeve të tyre politike. Ndërsa me etiketimin që ju përdorni, duke i quajtur votimet politike si votime në “turmë” ndaj një opinion krejt tjetër. Sigurisht që ne deputetët kemi detyrime përkundrejt forcës politike që përfaqësojmë, dhe të mbrosh interesat e forcës tënde politike, të respektosh vendimet partiake nuk është aspak mëkat. Përsa i takon hapësirave në PD-në e Durrësit, nuk kam asnjë shqetësim personal. Hapësirat apo liria nuk dhurohen, por fitohen. Unë nuk pres nga askush të më lërë korridore apo fushë bosh për të shprehur atë që unë mendoj. Unë thjesht them opinionin tim dhe nëse ka argumenta që e kundërshtojnë atë dhe këto argumenta janë bindës, është injorancë të mos ndërrosh mendim. Faktin që strukturat e partisë mblidhen shumë rrallë apo nuk mblidhen fare, gjithsecili mund ta kuptojë si një mundësi apo hapësirë për të vepruar sipas bindjeve personale.

 

Prej 20 vitesh, cilado parti që vjen në pushtet merr kontrollin edhe të drejtimit të dy sektorëve të rëndësishëm siç është shëndetësia, e kam fjalën për nivelin lokal, dhe natyrisht për arsimin. A mendoni se ka ardhur koha që drejtuesit e spitalit dhe të arsimit të mos zgjidhen më nga kryesi partish apo edhe më keq nga grupime brenda partive për interesa të ngushta?

 

Në këndvështrimin tim e keqja nuk qëndron tek përzgjedhja partiake e këtyre drejtuesve. Çdo forcë kur vjen në pushtet kërkon të vendosë në drejtim njerëz, të cilët marrin përsipër të zbatojnë programin e saj. E keqja vjen më pas, vjen në ndërhyrjen pa kufi që i bëhet këtyre drejtuesve në punën e tyre të përditshme duke bërë që ata praktikisht të kenë vetëm firmën të tyren, ndërsa vula e institucionit të jetë nëpër degët e partive. Ju jeni i saktë në pyetjen tuaj kur përmendni dy nga sektorët kryesorë, arsimin dhe shëndetësinë ku profesionalizmi dhe integriteti i drejtuesve mendoj se duhet të dominojë mbi militantizmin partiak të çdo lloj ngjyre. Fëmijët në shkollë kanë nevojë për mësues të mirë, pacientët në spital kanë nevojë për mjek të zotë dhe të përkushtuar. Asnjërën nga këto cilësi nuk ta jep përkatësia politike. Një drejtues i aftë, me integritet dhe i respektuar nga qytetarët veçse i shton pikë forcës politike që e përzgjedh atë pikërisht për shkak të këtyre cilësive dhe jo për shkak të afërsisë me deputetin apo drejtuesin e degës së PD-së. Pas njëzet vitesh demokraci këto tema duhej t’i përkisnin të shkuarës, fatkeqësisht mbeten akoma temë e së tashmes.

 

Ka ndodhur shpesh që për disa nga drejtuesit e institucioneve në Durrës ka pasur akuza jo vetëm nga media, por edhe fakte të botuara nga KLSH-ja për abuzime. A mendoni se është bërë më e mira për t’i vënë këto njerëz para ligjit?

 

Në Durrës ka institucione që drejtohen nga përfaqësues si të PD-së ashtu dhe të PS-së dhe unë nuk e di se cilin rast ju mund të keni ndërmend por, nëse KLSH-ja gjen abuzime janë organe të tjera ato që merren me ndjekjen deri në fund të këtyre çështjeve. Sigurisht që cilido që kryen një shkelje ligjore duhet të mbajë përgjegjësi përpara drejtësisë, dhe kjo nuk duhet të varet nga vullneti i partive politike. Akuzat e ndërsjella politike, përdorimi vend e pa vend i tyre kanë bërë që tashmë asnjë akuzë të mos merret seriozisht edhe në ato raste kur abuzimi me detyrën “ulëret”.

 

Është krijuar bindja se shumë nga investimet që nuk realizohen nga bashkia e Durrësit kanë një përplasje interesash jo në favor të qytetit, por në favor të grupimeve. Ju e njihni mirë këtë realitet dhe natyrisht që do të kishin një mendim që a mos vallë po bëhet edhe politika lokale një pasuese e asaj në qendër për të bllokuar çdo gjë në dëm të kundërshtarit politik, por që në fakt është në dëm të qytetarëve?

 

Është e vërtetë që gjatë mandatit të shkuar ka pasur përplasje të panevojshme politike të cilat kanë shkuar në dëm të interesave të qytetarëve, siç dhe ka pasur marrëveshje në favor të interesave personale. Mjafton të kujtojmë se Këshilli i Rregullimit të Territorit përbëhej në shumicë nga përfaqësuesit e koalicionit të djathtë dhe ky këshill e ka gjetur “gjuhën e mirëkuptimit” kur është dashur të miratohen disa leje ndërtimi “majtas” e disa “djathtas” dhe rrallë herë e ka gjetur gjuhën për projekte publike, të cilat shkojnë direkt në interes të qytetarëve. Të shpresojmë që hyrja në fuqi e ligjit të ri të zhvillimit hapësinor, apo zhvillimit urbanistik për të qenë më i qartë për lexuesit, do heqë nga skena debatet e panevojshme politike lidhur me këto çështje dhe do bëjë që interesat e qytetarëve të jenë në plan të parë.

 

Natyrisht që u fokusuam tek pyetje që kanë të bëjnë me Durrësin, por që në fakt mund të kenë edhe një impakt për gjithë vendin. Gjithsesi a mendoni se ka ardhur koha e ndryshimeve jo vetëm në emra por edhe në mentalitete politike në funksion të qytetarëve?

 

Kjo është një pyetje të cilës më mirë se kushdo mund t’i përgjigjen vetëm qytetarët. Janë pikërisht ata të cilët gjykojnë cilindo në politikë dhe me votën e tyre përcjellim mesazhe të qarta dhe të sakta për klasën politike. Kur klasa politike ka kurajon dhe aftësinë për t’i lexuar siç duhet këto mesazhe atëherë ajo ndërmerr hapat e duhur duke ndryshuar atë çka qytetarët kërkojnë. Fakti që prej dy vitesh politika shqiptare ka mbetur peng i një debati politik të ashpër dhe që nuk ka gjeneruar asgjë pozitive në interes të qytetarëve, më bën të besoj se ka shumë nevojë për të ndryshuar mentalitetin në politikë. Dhe që ky ndryshim i mentalitetit të ndodhë mendoj se hapi i parë që duhet të bëjmë është që secili nga ne ta shohë kundërshtarin politik jo si një armik, i cili duhet asgjësuar me çdo kusht, por si një alternativë tjetër me të cilën duhet të përplasim idetë dhe jo inatet personale. Të shpresojmë që shirat e shumëpritur të vjeshtës, të zbusin dhe temperaturat e larta politike që kanë dominuar klimën politike gjatë dy viteve të fundit.

 

10 komente në “Oketa: Edhe këtë humbje do ta kalojmë me analiza kafenesh”

  1. orli says:

    Zoti Oketa,me vjen keq se me opinionin qe krijova unè per ju nga kjo interviste,nuk i”ploteson”kushtet te jesh ne majat e politikes rrumpalle alla shqiptarçe!!kultura dhe sinqeriteti juaj bien ndesh me injorancen dhe militantizmin ne te dy krahet e politikes e sigurisht me ato te pd-es.Ju uroj suksese ne jete.

    1. vlora -uji i ftohte says:

      Jam dakort me ty Orli, por ketu tek ne po nuk qe pak “rrumpalle” ngelesh pa gje…..

  2. Alban says:

    Intervista e Zotit Oketa shpreh nje pjese te personalitetit te tij. Kush ka patur fatin ta njohe nga afer, e aq me teper te kete punuar me te, ka mundesine te plotesoje pershkrimin e vlerave dhe cilesive te veçanta qe materializohen ne qenien e tij si njeri, shtetar, qytetar dhe familjar. Politika shqiptare fatkeqesisht i ka me pikatore personalitete te tilla. I uroj fat ne karieren e tij politike.

  3. SANDER MAFISHJA says:

    PO KUR U BE KY I BIRI TETOS MOS NGELTE DJALE NE KEMBE PO KY AKOMA FLE ME TETON.

  4. king says:

    Ne radhe te pare pershendes z.Oketa dhe eshte normale per nje analiz po dikush do fitonte Qytetaret Durrsak dhan verdiktin e tyre dhe duhet respektohen, po ashte pershendes per zgjedhjen e keshillit Bashkijak ku uzgjodh nje zonje me fitore bindese pra votuan 32 pro saj ndaj kandidatit rival i cili mori 13 vota,

  5. lili says:

    ligjin per plehrat e votoj apo jo Zotni Oketa?
    ne qofte se po,nuk na duhet gje per shqiperine!

  6. durrsaku i vjeter says:

    O Gaz po per fitoren e qarkut o burre ne vend qe te kenaqesh flet si maskara.
    harrove o burre kur bleve votat e PS per bamirin, apo ato squhen dhe nuk i dhe i vend pune po mijra dollare a euro.

    po sa cun i keq je o burre, nuk u bone kurre burre, mut je njelloj si bamiri

    me kete qe ke bo duke fol per turin e ke gropos veten

    1. turi says:

      Ngjo ktuna ti “durrsaku i vjeter” qe ke 2 vjet qe ke zbrit n’qytet.
      Ti dukesh qe nga komenti qe je kokrra e katunarit, po t’pakten emrin durrsak mos e perdor.
      T’pakten ate na e leni se ene detin na keni zone.

      1. indrit says:

        o DURRSAKU I VJETER,, vetem ti qe sje durrsak se po te ishe,, do e kishe njof se kush eshte gaz oketa po ndoshta do jesh nje nga ato kavajsit qe ka PD durrsit..

  7. lulzim says:

    me 8 maj durrsaket votuan kunder berishes

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje